Spiropali sot në Parlament
Ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, deklaroi në seancën plenare të Kuvendit se i vjen keq që largimi i saj nga detyra ishte paralajmëruar nga kreu i opozitës, Sali Berisha.
Gjatë fjalës së saj në Kuvendi i Shqipërisë, Spiropali tha se çdo funksion në institucion është një nder, duke shtuar se është e qetë për vendimin e largimit nga posti. Sipas saj, e vetmja gjë që e ka habitur është fakti që largimi i saj ishte përmendur më herët nga Berisha në sallën e Kuvendit.
“Është e vërtetë që ajo detyrë është nder i madh, por çdo detyrë këtu në Kuvend është po ashtu nder i madh. Jam e qartë dhe e qetë. E vetmja gjë për të cilën më vjen keq është që largimin e paralajmëroi Sali Berisha në sallën e Kuvendit. Vetëm për këtë jam e habitur që i doli fjala”, u shpreh Spiropali, sipas raportimit të A2 CNN.
Në replikë, Berisha i është kundërpërgjigjur duke deklaruar se largimi i saj nuk ka lidhje me të, por me vetë sjelljen e saj. Ai tha se Spiropali kishte pritshmëri për një tjetër post në qeveri.
“S’e ke nga Berisha, jo, e ke nga vetja jote. Gëzoheshe se tani do bëheshe ti zv.kryeministre. Nuk e ke nga Sali Berisha, e ke nga vetja jote se more përpjetë”, u shpreh Berisha. a.b





