Është bërë publik raporti i plotë i Partisë Demokratike në Këshillin e Mandateve, në një kohë kur Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar autorizimin për arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.
Në dokument përfshihen edhe deklarimet e prokurorëve të SPAK gjatë mbledhjes, ku janë paraqitur pretendime për intimidim të dëshmitarëve në këtë çështje. Sipas prokurorëve, disa persona, në emër të Ballukut, dyshohet se kanë kontaktuar dëshmitarë me qëllim ndryshimin e deklarimeve të tyre.
Në raport citohet një përgjim i datës 20 nëntor 2025, ora 12:23, ku një dëshmitare shprehet se ndihet e frikësuar nga persona që e kanë kontaktuar për të ndryshuar dëshminë.
Prokurori i SPAK, Dritan Prençi, ka deklaruar në mbledhje se përmbajtja e transkriptimit tregon të dhëna mbi intimidimin e personave. Sipas tij, dëshmitarja përmend emra konkretë, përfshirë zyrtarë, si edhe persona të cilësuar prej saj si “të fortë”, të cilët dyshohet se i kanë bërë presion.
“Në përmbajtje rezultojnë të dhëna për intimidim. Zonja shprehet se është e frikësuar, përmend emra zyrtarësh, por edhe persona të tjerë. Ajo përmend edhe tentativë përmes korrupsionit që të ndryshojë thëniet apo të zëvendësojë mbrojtësin e saj me një mbrojtës të sugjeruar nga persona që i vetëofrohen”, ka theksuar Prençi. m.k





