Zëdhënësja për Antikorrupsion në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli
Zëdhënësja për Antikorrupsion në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në zonën e Kodër Babrru, duke akuzuar qeverinë për shkelje të së drejtës së pronës private dhe mungesë transparence.
Sipas saj, pronat me nr. 173 dhe 174, të njohura në kadastër si pronë e familjes Dervishi, janë kaluar në administrim të Ministria e Mbrojtjes për llogari të kompanisë Kayo, pa sqarim publik dhe pa respektuar të drejtën kushtetuese të pronës.
Vangjeli deklaroi se aktualisht prona është e rrethuar dhe ruhet nga ushtarë, ndërsa pronarët, sipas saj, nuk lejohen të hyjnë në territorin që u përket. Ajo shtoi se mungon një tabelë informuese për kufizimet dhe se nuk ka pasur komunikim zyrtar me banorët.
Në deklaratë u ngritën gjithashtu shqetësime për ndërtimin e një objekti pranë zonës së banuar, i cili në tabelën e lejes figuron si “fabrikë tekstilesh”, me zhvillues “Kayo” dhe sipërmarrës MSSC Group shpk. Sipas Vangjelit, kompania “Kayo” është një subjekt që mund të prodhojë armë dhe municione, çka ka shtuar frikën e banorëve se pas projektit të deklaruar si fabrikë tekstilesh mund të fshihet një aktivitet me natyrë ushtarake.
Ajo theksoi se nëse në atë zonë do të zhvillohet prodhim armësh apo demontim municionesh, pranë banesave të qytetarëve, atëherë bëhet fjalë për një rrezik serioz për sigurinë publike dhe për një mashtrim të hapur mbi natyrën reale të investimit.
Vangjeli bëri të ditur se banorët kanë protestuar dhe kanë depozituar kallëzim penal, ndërsa kanë paralajmëruar se do ta ndjekin çështjen deri në Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Në përfundim, ajo theksoi se, sipas Partisë Demokratike, askush nuk është mbi ligjin dhe se e drejta e pronës private dhe siguria e qytetarëve duhet të jenë prioritare në çdo vendimmarrje shtetërore. a.b





