Shtetasi Mikheil Binishavili, i njohur si “Mishka”, bashkëortak i Amant Josifit në qendrat telefonike mashtruese dhe drejtues i grupit “Milton Group”, pritet të përballet me drejtësinë në Gjermani, nën akuza të rënda për mashtrime financiare ndërkombëtare.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, përfshirë edhe DIE ZEIT, Binishavili akuzohet se ka shkaktuar dëme të konfirmuara prej më shumë se 52 milionë eurosh, ndërsa vlerësohet se dëmi i përgjithshëm global, i ashtuquajturi “dëm i errët”, arrin rreth 180 milionë euro. Viktimat kryesore janë qytetarë nga Gjermania, Austria dhe Zvicra.
Procesi gjyqësor pritet të nisë më 15 janar në Gjykatën Rajonale të Bambergut, ku janë parashikuar 11 seanca dëgjimore. Vendimi përfundimtar mund të shpallet në fund të muajit shkurt.
Prokuroria gjermane pretendon se, në periudhën 2014–2019, Binishavili ka drejtuar nga Tirana një call center me deri në 600 punonjës, i cili administronte të paktën 28 platforma mashtruese investimesh online. Përmes këtyre platformave, qytetarët nxiteshin të investonin shuma parash, të cilat në shumicën e rasteve humbnin plotësisht.
Gjithashtu, ai dyshohet se ka porositur krijimin e një softueri të posaçëm mashtrues për “cybertrading”, mbi bazën e të cilit janë operuar rreth 400 platforma të tjera të ngjashme. Binishavili u arrestua në Armeni në gusht të vitit 2023, u ekstradua në Gjermani në maj 2024 dhe aktualisht ndodhet në paraburgim, ndërsa hetimet për persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë vijojnë. a.b





