Ka dështuar për herë të katërt radhazi mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, e kërkuar nga deputetët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ku pritej të shqyrtohej kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për lejimin e arrestimit të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Mbledhja ishte planifikuar të zhvillohej në orën 11:00, por nuk u mbajt për shkak të mungesës së deputetëve të mazhorancës socialiste në Këshill. Për këtë situatë, grupi parlamentar i PD i është drejtuar me shkresë kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, duke kërkuar thirrjen e mbledhjes, por sipas opozitës, nga ana e tij nuk ka pasur asnjë reagim.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se do ta kallëzojë në SPAK kryetarin e Kuvendit, duke e akuzuar për shkelje të ligjit përmes refuzimit për të mbledhur Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve.
Ky është rasti i katërt me radhë që përpjekja e opozitës për të mbledhur Këshillin dështon, pasi edhe në tre njoftimet e mëparshme deputetët e mazhorancës nuk janë paraqitur, duke bllokuar shqyrtimin e kërkesës së SPAK.
Pas mbledhjes së deputetëve të opozitës, Bardhi akuzoi mazhorancën për zvarritje të qëllimshme të procesit dhe për përpjekje për t’iu shmangur drejtësisë. Ai theksoi se kanë kaluar tashmë tre javë nga kërkesa e SPAK për arrestimin e Ballukut, pa asnjë vendimmarrje institucionale.
“Edhe sot, pesë anëtarët e opozitës në Këshill, me përgjegjshmëri të plotë, kërkuan mbledhjen e Këshillit të Mandateve për të vijuar shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut. Kërkesa ishte plotësisht në përputhje me Rregulloren e Kuvendit. Sot bëhen tre javë nga kërkesa e SPAK për arrestimin e krahut të djathtë të Edi Ramës dhe tre javë që Niko Peleshi dhe deputetët socialistë në Këshill fshihen, ashtu siç fshihen ata që kanë shkelur ligjin. Ky është një rast i paprecedent, ku Këshilli merr kaq shumë kohë për shqyrtimin e një kërkese urgjente të SPAK,” deklaroi Bardhi.
Ai shtoi gjithashtu se afati trejavor i kërkuar nga Belinda Balluku për t’u njohur me aktet dhe provat hetimore, sipas tij, ka qenë vetëm një justifikim për të fituar kohë, pasi as vetë ministrja dhe as përfaqësuesit e saj ligjorë nuk kanë tërhequr dosjen hetimore.
“Afati prej tre javësh është një alibi për t’iu fshehur drejtësisë dhe jo kohë e nevojshme për përgatitjen e mbrojtjes, pasi mbrojtësit e Ballukut nuk kanë marrë materialet hetimore. Nuk i ka tërhequr as vetë e pandehura që kërkonte kohë për t’u përgatitur. Edhe afati trejavor për të kaluar Vitin e Ri në shtëpi, e jo në burg, ka përfunduar. Peleshi duhet të sqarojë pse nuk thërret mbledhjen e Këshillit,” u shpreh Bardhi.
Sipas opozitës, vonesa në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve përbën një përpjekje të hapur për të bllokuar drejtësinë dhe për të mos i dhënë SPAK përgjigjen e kërkuar.



