Foto, Iljaz Labi zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, i arrestuar
Lidhur me arrestimin e zëvendësdrejtori të Përgjithshëm të Burgjeve, ka reaguar zyrtarisht edhe drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Duke dhënë detaje për procedimin, hetimin dhe arrestimin e numrit 2 të Burgjeve dhe 4 drejtuesve të kompanive private, Policia bën të ditur edhe shifrën për rreth 20 milionë lekë (të vjetra) që Iljaz Labi merrte për çdo tender, të cilët gjithmonë i fitonin 4 të arrestuarit e tjerë.
Reagimi i Plotë i Policisë së Shtetit
Seksioni për Korrupsionin në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Sektorin për Korrupsionin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me Drejtorinë e Forcës Operacionale, nën drejtimin e Njësinë e Përbashkët Hetimore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, në kuadër të Procedimit Penal Nr. 16 te vitit 2016, finalizoi me sukses Operacionin Policor të koduar “Meals”, duke bërë të mundur ekzekutimin e Vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, e cila kishte caktuar masë sigurimi personal “arrest në burg” për shtetasit:
1. Iljaz Labi, 49 vjeç, lindur ne Gjirokastër dhe banues në Tiranë, me detyrë Zv/Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, Tiranë.
2. Elidjan Laskaj, 57 vjeç lindur në Leskovik dhe banues në Tiranë, administrator i firmës “Dogel”.
3. Ylber Kalaja, 44 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, administrator i firmës “Vllaznia”.
4. Nexhmi Balla, 61 vjeç, lindur dhe banues ne Tiranë, administrator i firmës “Nelsa”
5. Shemsi Sinani, 59 vjeç, lindur në Lushnjë dhe banues në Tiranë, administratori i firmës “M. B. Kurti”
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë në funksion të Procedimit Penal Nr. 16 të vitit 2016, për veprat penale të “Korrupsionit pasiv të funksionareëve të lartë dhe të zgjedhurve vendore”, “Korrupsionit aktivë të funksionarëve të lartë dhe të zgjedhurve vendore”, të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245, 260 dhe 25 të Kodit Penal.
Shtetasi Iljaz Labi me detyrën e Zv/Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, gjatë zhvillimit të tenderëve në këtë institucion, ka favorizuar disa firma private e konkretisht firmat “Dogle”, “M.B. Kurti”, “Vllaznia” e “Nelsa”, të cilat kanë marrë të gjitha tenderat e zhvilluara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, për furnizimin me ushqime të IEVP në të gjithë vendin.
Administratorët e këtyre kompanive bënin marrëveshje me njeri-tjetrin dhe me funksionarin për të kryer konkurrim fiktiv për tenderët e ushqimit.
Këta shtetas takoheshin me njeri-tjetrin dhe binin dakort paraprakisht se kush do të ishte fituesi.
Për të realizuar qëllimin administratorët kanë paguar ryshfet tek shtetasi Iljaz Labi, që ky i fundit t’u krijonte lehtësirat e nevojshme për t’u shpallur fitues i paracaktuar, duke paguar shuma nga 2 milionë lekë të reja për çdo raste tenderimi.
Gjatë ekzekutimit të vendimeve të gjykatës, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 8 vula të subjekteve të ndryshme dhe shumë dokumentacione tenderimesh të cilat dyshohen se janë të falsifikuara.
Ky hetim është ndjekur nën drejtimin e Njësisë së Përbashkët Hetimore të Prokurorisë së Krimeve te Renda Tiranë, me metoda speciale të hetimit për një periudhe kohore 9 mujore dhe aktualisht vazhdon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal, si nga subjektet e tjera private të cilat kanë qenë pjesëmarrje në këto tenderime dhe të punonjësve të tjerë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të përfshirë në këto afera korruptive.
Materialet proçeduriale iu kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë, në ngarkim të shtetasve Iljaz Labi, Elidjan Laskaj, Ylber Kalaja, Shemsi Sinani dhe Nexhmi Balla, për veprat penale të “Korrupsionit pasiv të funksionareve te larte dhe të zgjedhurve vendore”, “Korrupsionit aktive të funksionareve të lartë dhe të zgjedhurve vendore”, të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245, 260 dhe 25 të Kodit Penal.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/