Te tre në prangq
Tre persona bien në pranga në operacionin “Hostage”, mbanin peng dhe dhunonin një shtetas nga Kosova për 70 mijë euro
Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Hostage”, duke shpëtuar një shtetas nga Kosova që mbahej peng prej disa ditësh dhe duke vënë në pranga tre autorët e dyshuar.
Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Seksioni për Mbështetjen Operacionale të Hetimit në DVP Vlorë ndërhynë menjëherë pasi familjarët njoftuan se i afërmi i tyre po mbahej peng në një apartament në qytet. Pas veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, u lokalizua banesa në rrugën “Janaq Kilica”, lagjja “Osman Haxhiu”.
Si rezultat, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
• J. Z., 25 vjeç,
• O. Ç., 18 vjeç,
• V. A., 35 vjeç, të tre banues në Vlorë.
Hetimet treguan se tre të rinjtë kishin rrëmbyer dhe mbajtur peng që prej datës 28.11.2025, në një apartament, shtetasin F. Xh., 39 vjeç, nga Mitrovica e Kosovës, të cilin e kishin dhunuar fizikisht dhe i kishin kërkuar 70 000 euro në këmbim të lirimit.
Gjatë operacionit u bë e mundur lirimi i menjëhershëm i të penguarit, i cili më pas mori kujdesin e nevojshëm shëndetësor.
Në kontrollin e banesës, në posedim të J. Z., policia sekuestroi lëndë narkotike të dyshuar Cannabis Sativa, si dhe një radio komunikimi të ngjashme me ato të Policisë.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë. Të arrestuarit do të hetohen për veprat penale “Rrëmbim ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim; “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”; dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”. r.k





