Rrëfimi i arkëtares së Ujësjellësit: Si u përlesha me grabitësin dhe si...

Rrëfimi i arkëtares së Ujësjellësit: Si u përlesha me grabitësin dhe si më grabiti 6 milionë lekë

51
0
Shares

Kjo çantë që shihni në foto, u vodh për disa orë me rreth 6 milionë lekë (të vjetra) brenda.
Autori, pasi grabiti paratë, çantën e hodhi në rrugë, për t’u gjetur më pas nga policia. Ai madje lajmëroi nëpërmjet telefonit të të grabiturës se ku ndodhej çanta.
Duket si një skenar, por gjithçka ka ndodhur mëngjesin e së premtes në Babrru, vetëm pak kilometra larg Tiranës. Arkëtarja e Ujësjellësit, 51 vjeçarja M. Lleshi po shkonte në punë si çdo ditë, ndërsa të premten ra pre e grabitjes.
Një person me armë të ftohtë në duar, e kërcënoi, duke i marrë me dhunë nga duart çantën me rreth 6 milionë lekë të vjetra.
Punonjësja e ujësjellësit në Paskuqan, pjesë e Bashkisë së Kamzës i transporton paratë me çantë normale me autobusë publikë. E pa besueshme, por e vërtetë. Në disa raste, shumat e transportuara janë edhe më të mëdha dhe e konsideron veten me fat që nuk ka pasur pasoja më të mëdha.
Paratë, sipas rastit mbahen nëpër sirtarë apo dollapë rrobash. Kjo nuk ndodh me paratë e familjes, e jo më me paratë e institucionit. E grabitura rrëfen për Ora News, momentet e tmerrit të grabitjes.

Si ndodhi ngjarja?
Po shkoja në punë si çdo ditë rreth orës 07:30 minuta. Vetëm në një moment dikush më kap për krahu nga mbrapa shpine, dhe më pas më kap çantën. Unë rezistova, por në dorën tjetër kishte një thikë. Më tha se do të më qëllonte, nëse nuk e lëshoja çantën. Pasi e mori me plot forcë, u largua me vrap. Bërtita dhe të gjithë njerëzit në një lokal aty pranë dolën për të më ndihmuar. Për fat qëlloi edhe një punonjës policie jashtë orarit të punës, që u bë dëshmitar i ngjarjes. Dikush e ndoqi me motor dhe rreth 200 metra më andej, grabitësin po e priste dikush tjetër me një makinë. Por, edhe në këtë rast kërcënimi me thikë nga ana e autorit e bëri që të tërhiqej mbrapsht personin që e ndoqi.

Ç’ndodhi më tej?
Pavarësisht përpjekjes për ta ndalur, ai bashkë me një tjetër u larguan me shpejtësi. Për fat, aty pranë kishte kamera sigurie të bizneseve, të cilët janë sekuestruar nga policia. Ajo që mbajtëm ishin targat e makinës dhe asgjë tjetër. Menjëherë shkova në polici për të bërë denoncimin. Pati shumë dëshmitarë. Jam  e traumatizuar nga gjithçka ndodhi dhe nuk më besohet ende. Më duket si një film, por që për fat keq kësaj here isha unë personazh.(përlotet)

Çfarë kishit në çantë?
Rreth 6 milionë lekë (të vjetra) të mbledhura nga prerja e faturave të ujit. Kisha edhe sende personale, siç ishte një portofol, telefoni celular, si dhe dokumente të tjera si fatura uji.

Përveç parave, të gjitha të tjerat i keni rimarrë nga policia…?
Po! E vërtetë! Grabitësi nuk e fiku telefonin dhe teksa një kolegia e imja i binte vazhdimisht, ai e hap në një moment dhe thotë se çantën dhe telefonin e keni tek rruga 5 Maji. Atje shkoi policia dhe e gjeti, duke sekuestruar edhe disa letra ku besohet se janë gjurmët e gishtërinjve.

Kush mendoni se mund ta ketë bërë këtë?
Nuk di të them. Është një çështje që i përket policisë. Ajo duhet ta zbardhë ngjarjen. Thonë se e kanë identifikuar dhe është nga Durrësi. Me siguri duhet të më ketë vëzhguar për sa kohë më doli në pritë. Ishte gjithçka e organizuar dhe nuk mund të jetë rastësore. Ndihem me fat që nuk mora ndonjë plagë, pasi siç e dimë ka pasur plot raste edhe tragjike.

Ç’po ndodh me ju tashmë pas ngjarjes….?
Jam në traumë. Vuaj edhe nga diabeti. Në punë më kanë pezulluar deri në sqarimin e plotë të ngjarjes. Aktualisht po marrë ndihmën e nevojshme tek psikologu. Nuk është e lehtë t’i tejkalosh ngjarje të tilla aq më tepër për një femër, e cila në atë moment ndihet më e pambrojtur se kurrë. Dje isha e tillë.
Situatë dramatike, aq sa nuk mbaja mend ku i kisha lënë këpucët në rrugë dhe nuk dija se si të sillesha dhe si të veproja. Isha komplet e këputur, në gjendje shoku…
Shpresoj që autori të dalë përpara ligjit dhe të marrë dënimin e merituar. Gjithçka është bërë e pasigurt.

Paratë pse i merrni me vete, kur bëhet fjalë për shuma të mëdha…?
E kemi metodë pune. Kështu kam bërë prej 6 vitesh. I kam derdhur dy herë në javë pranë arkës qendrore të komunës. Kam pasur gjithnjë frikë dhe për fat një ditë më ndodhi.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY