VIDEO/ Historia e kishës 15-shekullore të “Shën Mërisë” në Labovë, dhuratë e...

VIDEO/ Historia e kishës 15-shekullore të “Shën Mërisë” në Labovë, dhuratë e Perandorit Justinian

503
0
Shares

Historia e kryqit të famshëm të kishës së fshatit Labovë na tërhoqi drejt kësaj treve ku pasuritë natyrore nuk janë të vetmet resurse. Udhëtimi për në Labovë nis shumë kohë para se fizikisht ta nisësh atë. Njohuritë mbi këtë vend mistik janë të lidhura pashmangshmërisht me imagjinatën. Shekuj të tërë histori brenda një hapësire kaq të vogël dhe kaq shumë të lënë pas dore.
Përballja e parë me harresën nis sapo merr kthesën për në rrugën që të çon në këtë vend, ku ndodhet një prej objekteve më të çmuara të trashëgimisë sonë  kulturore, kisha e “Shën Mërisë”, apo e njohur gjerësisht si “Kisha e Kryqit”, që i dha edhe emrin këtij vendi.
Rruga e paasfaltuar që ndodhet para se të kthehesh për të hyrë në Libohovë, duket se tashmë është kthyer në një tabelë orientimi për këdo që viziton për herë të parë Labovën.
Ndalesa e parë nuk mund të mos jetë tjetër veçse në kishën e “Shën Mërisë” në Labovë.
Xha Stefani, një mësues pensionist, mikpritësi dhe shoqëruesi ynë i këtij udhëtimi, cicëron vullnetar i vlerave të kishës së lashtë dhe i papërsëritshëm në njohuritë e tij, na tregon detaje mbi ndërtimin e kësaj kishe që daton në vitin 554 dhe thuhet se është për nder të Kostandin Labovitit, një shpatar i dalluar dhe një prej njerëzve të besuar të Perandorit Justinian.
Perandori latin i bëri dhuratë atij këtë kishë, si formë shpërblimi për kontributin e tij në luftëra. Pesë vjet pas ndërtimit, një nga njerëzit e besuar të Perandorit Justinian i bëri dhuratë kishës një kryq me peshë 4 kg, që kishte pothuajse 600 gramë ar. Fill pas kësaj, fshati mori edhe emrin Labova e Kryqit.
Miha pohon se dokumenti që dëshmonte vjetërsinë e këtij objekti që prej kohës së Justinianit është djegur nga një zjarr aksidental.
Kjo zonë është e pasur me objekte të tilla të çmuara. Në një sipërfaqe të vogël brenda kësaj zone, ndodhen rreth 30 kisha dhe 4 manastire të ndërtuara mbi rrënojat e tempujve paganë.
Elementë të ndryshëm, ekzistentë në brendësi të kësaj kishe, dëshmojnë vjetërsinë dhe vlerat e saj. Gravura e Justinianit, e cila ndodhet vetëm në dy kisha, në kishën e Labovës së Kryqit në Shqipëri dhe në kishën e lindjes së Jezu Krishtit në Jeruzalem, është sipas Mihës, një tregues thelbësor i vlerës së këtij objekti.
Një tjetër detaj i vënë në dukje nga 80-vjeçari Stefan Miha është edhe e kuqja e pazbërthyer e Onufrit, që ndodhet në këtë kishë.
Kryqi i famshëm, i njohur gjerësisht, është kthyer në legjendën e gjallë të këtij vendi. Thesari i rrallë ruhej brenda mureve të kishës 1500 vjeçare për shekuj me radhë.
Në vitin 1967 kur nisi shkatërrimi i objekteve të kultit, kryqi i shenjtë u fsheh nga banorët e fshatit. Ai u rishfaq në vitin 1968, pas shantazheve të njëpasnjëshme të Sigurimit të Shtetit për ta kthyer kryqin “në fondin shtetëror të trashëgimisë”. Tre vjet më pas më 1989, ai vidhet dhe prej asaj dite gjurmët e tij zhduken. Miha tregon se kryqi ishte rreth 450 gramë, i larë në flori. Ai mban përherë me vete fotografi të tij, ndërsa na rrëfen me pasion historinë e këtij kryqi famëmadh.
Ikonostasi me vlera të rralla ka rënë disa herë pre e grabitësve gjatë dekadave të fundit. 15 ikona të çmuara u morën në vitin 1998, por pas pak ditësh ato u braktisën brenda një thesi pranë fshatit. Rasti i tretë i grabitjes ishte në muajin shtator të vitit 2007, kur 20 ikona u vodhën nga ikonostasi. Për banorët, të gjitha rastet e grabitjes më shumë se dëme vlerësohen si fyerje ndaj kishës dhe komunitetit që e ka mbajtur prej shekujsh. Ata pohojnë se, të gjitha ikonat e vjedhura kanë një vlerë shumë të madhe, pasi janë shumë të lashta, gati gjashtëshekullore.
Vizitorë të shumtë udhëtojnë deri në fshatin e largët për të parë këtë kishë dhe prekur nga afër bukuritë e njohura të saj.
“Duket madhështore në pamje të parë, por brenda është shumë herë më e vogël”, pohon një turist izraelit.
“Shqipëria është sa e ngjashme aq edhe  e ndryshme nga Izraeli. Pamja që të rrethon është shumë e bukur, ka shumë gjelbërim, ndërsa ne kemi më shumë zona urbane. Fshatrat tuaj janë të mrekullueshëm, fushat e gjera janë një pamje që ne nuk e shohim përditë. Kisha në pamjen e saj të jashtme duket aq e madhe, ndërsa brenda është shumë herë më e vogël, por është vërtet e bukur dhe mbresëlënëse. Nuk gjej fjalë që ta përshkruaj, por pamja e saj të lë pa fjalë. Thjesht e bukur”.
Fshati është i heshtur. Duket sikur nuk banon askush në këtë parajsë të harruar, këtu ku ujët e burimit rrjedh pa reshtur, këtu ku dyert e moçme mbajnë të mbyllura brenda vetes historitë e tyre të pafund.
Labova e Kryqit njihet edhe si një nga vendbanimet e hershme prej periudhës bizantine. Dëshmi e saj është kjo kala e vjetër që vendasit sot e quajnë Palokastër. Kalaja e Labovës, një monument me vlera të mëdha arkeologjike e kulturore është konsideruar nga autorë të ndryshëm si pjesë e strukturës mbrojtëse të Luginës së Drinos me qendër Antigonenë. Por krejtësisht e lënë në harresë, për të nuk kujdeset askush.
Arkeologu Vladimir Qirjaqi ka kryer gërmimet e para në këtë territor në vitin 1987. Për të ky vendbanim është një aset turistik I jashtëzakonshëm, por i pa propaganduar. Kemi mundur t’ia marrim këtë intervistë intelektualit gjirokastrit, vetëm dy ditë para ndarjes së tij të papritur dhe të parakohshme nga jeta.
Në fund të këtij udhëtimi të shkurtër, ku sigurisht shumë gjëra mbetën pa thënë, mbartëm me vete ndjesitë e një bote mistike, magjepsjen e këtyre objekteve të së shkuarës, keqardhjen për braktisjen e vlerave. Edhe pse me një numër të lartë vizitorësh që shpesh I kalon të 200-ët në muaj, të ardhurat e pakta nuk arrijnë për të mirëmbajtur kishën që rrezikon shembjen.
Në ikje nuk mund ta kesh të lehtë të harrosh zhveshjen e pamëshirshme të këtij objekti madhështor. Prej fillimit te demokracisë, zhveshja e kishave nga objektet e kultit kane qenë dukuria më e shpeshtë. Një numër i madh kishash ranë pre e hajdutëve të cilët grabiten çdo send me vlerë jo vetëm fetar, por edhe kulturor, duke shkaktuar skandalin e humbjes së vlerave të vërteta kulturore dhe historike për t’i cilësuar këto vende, si vende pa histori, duke qenë se fshinë pothuajse çdo gjurmë të saj. Vjedhja e kishave ka vazhduar në mënyre sistematike duke shqyer portat, duke i çmontuar, vjedhur objektet dhe dëmtuar afresket. E vetmja gjë që ka mbetur pas grabitjes së ikonostaseve, ikonave të ndryshme dhe objekteve të tjera të çmuara janë vetëm muret.
Kisha e Labovës së Kryqit vazhdon të rrijë në këmbë, me shtrembësinë e vetë të habitshme, një Pizë shqiptare, që rënkon nga dhimbjet e plagëve të kohës dhe goditjet e pamëshirshme të njeriut, më e keqja nga të gjitha indiferenca dhe harrimi. /TV News24/
kisha e laboves se kryqit1

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY