Kreu i SPAK, Altin Dumani grupe kriminale të trafikimit e shohin Shqipërinë si një atraksion për të investuar produktet e veprës penale.
“Aktiviteti i trafikimit zhvillohet kryesisht në Evropë, në Mbretërinë e Bashkuar, në vendet Skandinave, në vendet e BE-së. Në Shqipëri e shikojmë si një atraksion për të investuar produktet e veprës penale të ardhura nga krimi dhe ato shifra për sekuestro dhe konsfiskime tregojnë që kemi qenë aktivë në këtë drejtim. Kemi rritur procedimet penale për pastrim parash për vitin 2023. Edhe trendi i 2024-ës është sërish në rritje”, tha Dumani.
Gjatë fjalës së tij, Dumani është shprehur se në vitin 2023 është vënë re një rritje e numrit të referimeve nga Byroja Kombëtare e Hetimit.
“Në vitin 2023, vihet re një rritje e numrit të referimeve nga BKH-ja, në 18 vetëm nga BKH-ja dhe janë regjistruar procedime penale mbi bazën e referimeve nga BKH-ja, është një shifër premtuese”.
Duke ju referuar çështjeve penale për goditjen e korrupsionit në shtet, drejtuesi i SPAK Altin Dumani ka qetësuar administratën që të punojë e qetë për sa kohë respekton ligjin.
“Administrata le të rrijë e qetë, le të përmbushë detyrimet ligjore dhe funksionale dhe sa kohë që janë në respektim të ligjit, ata le të vazhdojnë të punojnë të qetë. Patjetër, në rast se nga hetimet tona konstatojmë sjellje në kundërshtim me ligjin, ashtu siç dhe ligji na detyron, ne do ushtrojmë ndjekjen penale. Por dua ta deklaroj, që administrata të vazhdojë e qetë të përmbushë detyrimet ligjore dhe funksionale. Ne nuk kemi target konkret. Jo. Ne kemi burimet tona të informacionit, kemi hetuesit tanë, kemi institucionet, kemi institucione të tjerë, Agjencia e Mbikëqyrjes Financiare që mund të na sinjalizojnë dhe me iniciativë që fillojmë procedimet penale. Por administrata duhet të vazhdojë të punojë e qetë sa kohë që puna e tyre është në përputhje me ligjin”, u shpreh Altin Dumani.
Për herë të parë Altin Dumani tha se ka gjyqtarë dhe prokurorë që kaluan vetingun duke u përfshirë në korrupsion.
“Unë jam më shumë i shqetësuar me ata që kanë kaluar vetingun dhe vazhdojnë të jenë në sistem që sërish mund të ndeshemi para personave me natyrë korruptive, realisht ky është shqetësimi im më i madh. Këtu jemi të vëmendshëm dhe nga mediat, edhe nga shoqëria civile, por edhe nga politika kur ka denoncime, përpiqemi të mbajnë shënime dhe të bëjmë vlerësimet tona paraprake. Vjet ne arrestuam një prokuror në detyrë, proceduam një gjyqtare në detyrë dhe disa ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë.”, tha Dumani.
Ai tha se edhe brenda institucionit që drejton u betuan 60 veta vitin e kaluar, nga këta vetëm 1 është larguar. 1 tjetër është larguar nga detyra si rezultat i një procesi në raport me shkeljet të një natyre flagrante dhe çuan në largimin nga detyra dhe kemi 9 të dorëhequr për shkak edhe të procesit të vetingut brenda llojit. Por patjetër që jemi me këmbanë alarmi edhe brenda SPAK-ut.
Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani vlerësoi bashkëpunimin me Policinë e Shtetit, por theksoi se ka një pakicë të inkriminuar brenda tyre.
“Duhet ta them, është e rëndësishme të bëjmë dallimin mes shumicës absolute të Policisë së Shtetit të cilët janë të dedikuar me mish e me shpirt janë të angazhuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Dua të distancoj këtë pjesë nga një pakicë e inkriminuar. Në shumë nga hetimet tona të suksesshme një rol të suksesshëm ka luajtu Policia e Shtetit.
Por në shumë nga hetimet tona janë evidentuar lidhje të krimit të organizuar me funksionarë të korruptuar të Policisë së Shtetit.
“Unë kam patur në konsideratë kur bëra deklaratën, rezultatin e hetimeve të kryera nga SPAK nga viti 2020 deri në 2023 lidhur me subjekte punonjës të Policisë së Shtetit të proceduar penalisht dhe më rezulton janë proceduar penalisht rreth 70 punonjës policie nga SPAK. Dhe siç është bërë publike dhe nuk mund ta fsheh na kanë rezultuar drejtues të lartë të policisë lidhur me krimin e organizuar. Është ulëritëse kur bëhen pjesë dhe bashkëpunues me krimin e organizuar në krimet që krimi i organizuar kryhen. Ish-drejtori i Forcës Operacionale, disa shefa komisariatesh, shefa krimesh dhe nuk mund të rri pa e adresuar këtë shqetësim. Por që kemi bashkëpunim shumë të mirë me Policinë e Shtetit, bashkëpunojmë përditë”, u shpreh drejtuesi i SPAK Altin Dumani duke ju përgjigjur pyetjeve të deputetëve. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/