Ushtria shqiptare shton kapacitetet, njësi e re për sigurinë kibernetike dhe 2...

Ushtria shqiptare shton kapacitetet, njësi e re për sigurinë kibernetike dhe 2 ‘Black Hawk’

181
0
Shares

Forcat e Armatosura dhe i gjithë sistemi i Ministrisë së Mbrojtjes do të ketë një njësi të veten për sigurinë kibernetike ndërsa forcat ajrore u pajisën me 2 helikopterë amerikanë të teknologjisë së sofistikuar ‘Black Hawk’.

Njësia ushtarake e sigurisë kibernetike është mbështetur financiarisht me një fond të SHBA prej 8.4 milionë dollarësh si pjesë e një shume totale prej 50 mln dollarë që qeveria amerikane i ka akorduar Shqipëri për sigurinë kibernetike.

Një këshilltar i huaj do të asistojë njësinë për 3 vitet e para.

“Kemi dhe mundësinë e madhe që në rrjetet e qendrave të inovacionit dhe mbrojtjes kibernetike të NATO-s, kemi mundësi të shkëmbejmë informacione, të marrim trajnime të vazhdueshme, ka një qendër të NATO-s për sigurinë kibernetike, qendër ekselence në Estoni, ne jemi bërë pjesë e saj”, tha ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.

Drejtuesi i kësaj qendre pranon se mbi sistemin e Forcave të Armatosura ka pasur sulme nga Rusia dhe Kina.

“Kemi pasur tentativa, por nuk kemi pasur dalje të informacionit. E kemi menaxhuar kemi pasur dhe nga rusët dhe nga Kina”.

Aktualisht numërohen rreth 2 mijë sulme çdo ditë drejt sistemeve të Forcave të Armatosura deri më tani asnjë nuk është konsideruar kritik.

Ndërkaq një ditë më parë Shqipëria ka marrë në dorëzim 2 helikopterët ushtarakë Black Hawk që do të jenë në përdorim nga Forcat e Armatosura Shqiptare.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha se siguria dhe mbrojtja e vendit janë prioritet absolut i qeverisë.

“Dy helikopterët Black Hawk mbërritën në vendin tonë si një investim shumë i rëndësishëm për Forcat tona të Armatosura. Mirënjohje e veçantë për partnerin tonë strategjik SHBA për mbështetjen e tyre të vazhdueshme! Mbrojtja dhe siguria e vendit tonë, prioriteti ynë absolut”, deklaroi Peleshi.

Helikopterët Black Hawk mbërritën në Shqipëri nga SHBA dhe u transportuan me avion ushtarak amerikan.

Edhe ambasada amerikane në Tiranë ka vlerësuar partneritetin mes Shqipërisë dhe SHBA në fushën e mbrojtjes. Ambasada e SHBA thotë se këta helikopterë do të ndihmojnë Forcat Ajrore të Shqipërisë.

“Mbërritje historike e helikopterëve të parë UH-60 Black Hawk të Shqipërisë. Një avion transportues C-17 i Shteteve të Bashkuara erdhi në Tiranë për të dorëzuar porosinë e parë të Shqipërisë për helikopterë Black Hawk, mbështetur me mbi 50 milionë dollarë nga fondet e ndihmës së SHBA. Helikopterët e rinj do të ndihmojnë në forcimin e aftësive të forcave ajrore të Shqipërisë dhe aftësinë për të kryer evakuim mjekësor, rikuperim të personelit, misione kërkim-shpëtimi, si dhe mbështetje të lëvizjeve logjistike të NATO-s për operacione dhe stërvitje. Shtetet e Bashkuara janë krenare për partneritetin e fortë me Shqipërinë në fushën e mbrojtjes”, thuhet në një njoftim të ambasadës amerikane në Tiranë.

Black Hawk është helikopter kryesor i transportit dhe sulmit ajror i ushtrisë amerikane me ngritje mesatare. Ai është i pajisur me dy motorë dhe me dy helika me nga katër tehe.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY