SPAK shpjegon kontrollin e gazetarit Elton Qyno. E mbajti dje 7 orë...

SPAK shpjegon kontrollin e gazetarit Elton Qyno. E mbajti dje 7 orë në SPAK

180
0
Shares

Gazetari Elton Qyno u mbajt dje 7 orë në SPAK ndërsa iu kontrollua baneaa, zyra dhe sende apo mjete personale.

Ndalimi i tij u konsiderua shkelje e lirosë së medias ndërsa sot SPAK ka dhënë detaje nga ndalimi i gazetarit.

DETAJET:

Në datën 10.12.2023 janë konstatuar të botuara në faqen e internetit të medias audiovizive Ora News (oranews.tv), artikuj të shkruara nga gazetari Elton Qyno, që bëjnë fjalë për disa komunikime të kryera nga persona që janë subjekte të hetimeve paraprake. Në datën 11.12.2023 artikujt janë publikuar edhe nga media të tjera.

Në artikujt që janë publikuar nga gazetari Elton Qyno, është konstatuar dukshëm se, teksti dhe përmbajtja e bisedave në këto publikime përmbante disa pjesë të komunikimeve që bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani ka bërë me disa persona të tjerë (të paidentifikuar deri aktualisht nga hetimet) në platformën e kriptuar SkyECC, që janë objekt i hetimeve paraprake.

Nga verifikimi i publikimeve të artikujve të sipërcituar, përmes konsultimit me të dhënat e akteve hetimore të komunikimeve SkyECC që disponon Prokuroria e Posaçme, rezultonte se bisedat e bëra publike në media, nuk janë dokumentuar ende në akte procedurale nga ana e Prokurorisë së Posaçme në kuadër të procedimit penal nr.75/2022. Gjithashtu, disa nga shkrimet e evidentuara në artikujt mediatikë, përputheshin me përmbajtjen e komunikimeve që ka kryer Nuredin Dumani me përdorues të tjerë në platformën SkyECC (të paidentifikuar deri aktualisht), komunikime të cilat vetëm Prokuroria e Posaçme i disponon  aktualisht, si akte procedurale të hetimit paraprak.

Kjo situatë e prezantuar në media krijoi dyshime se mundet të ndodheshim para elementëve të veprave penale:  “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Ndalimi i dhënies dhe i shpalljes së të dhënave në kundërshtim me ligjin”, të parashikuara përkatësisht nga nenet 295/a paragrafi (3) dhe 313/b pika (1) të Kodit Penal. Mbi këtë, Prokuroria e Posaçmefilloi hetimet dhe regjistroi procedimin penal nr.245/2023, për kryerjen e dy veprave penale të mësipërme.

Nisur nga fakti se publikuesi i artikujve të mësipërm ishte Elton Qyno / gazetar, më datë 13.12.2023 ai u ftua për tu paraqitur në SPAK, për t’i marrë një deklarim në cilësinë e personit në dijeni të fakteve që përbëjnë objekt hetimi, ftesë që gazetari  iu përgjigj pozitivisht dhe u paraqit. Pasi iu bënë të njohura arsyet e marrjes në pyetje, siç dhe parashikimi i nenit 159 i KPP (e drejta e mos deklarimit për shkak të profesionit të gazetarit) iu kërkua të shpjegonte mbi mënyrën se si kishte siguruar akte hetimore që përbëjnë sekret hetimor, zbulimi i të cilave ndaj të tretëve përmes publikimit është i ndaluar nga ligji procedural. Po kështu, iu bë e ditur dhe domosdoshmëria që ka lindur për të identifikuar e gjetur dokumente ose akte në origjinal apo në çdo formë tjetër që ai i dispononte.

Shtetasi Elton Qyno është përgjigjur se burimi ka qenë konfidencial dhe nuk mundet ta deklarojë për shkak të sekretit që lidhet me profesionin. Në këtë rrethanë, gazetari deklaroi me shkrim se aktet e dokumentet që dispononte ishin sekret që lidheshin me profesionin e tij (parashikim i nenit 211 pika 1 K.Pr.P) dhe nuk mund t’i jepte. Duke e konsideruar këtë si të pabazuar dhe me synimin për të gjetur dokumente, prova materiale, gjurmë ose sende që i përkisnin veprës penale, ai u ftua nga hetuesit që t’i këqyrej telefoni/telefonat që kishte në përdorim, gjë që gazetari iu përgjigj negativisht.

Sjellim në vëmendje se Prokuroria e Posaçme, me urdhrin e datës 14.06.2022, ka urdhëruar ndalimin e publikimit të akteve procedurale për këtë procedim penal dhe ky akt i është komunikuar shtetasit Elton Qyno.

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.501 datë 13.12.2023 dhe nr.502 datë 13.12.2023 vendosi lejimin e kontrollit personal të shtetasit Elton Qyno, lejimin e kontrollit të banesës dhe të zyrës së tij, në vendin e punës, Zyrat e TV Ora News. Në vendimin gjyqësor u lejua edhe sekuestrimi i të dhënave kompjuterike në sistemin kompjuterik në vendin e punës dhe në banesë të tij.

Në zbatim të vendimeve të gjykatës, kontrolli personal solli rezultat negativ, telefon celular nuk iu gjet; nga kontrolli në banesë dhe në ambientet e punës u gjetën dhe u sekuestruan dokumente dhe sende elektronike tek të cilat dyshohet të ketë gjurmë të veprës penale që po hetohet. Ndërkaq, para mesnatës, me anë të pajisjeve speciale gjurmuese operacionale u bë e mundur që në një Bar Kafe me vendndodhje në distancë të afërt me Godinën e SPAK, të gjenden dy telefona celularë, që pasi iu vunë në dispozicion, të njihen prej tij si sende të tij.

Dy telefonat celularë, pajisjet elektronike dhe dokumentacion në letër u sekuestruan në zbatim të vendimit të gjykatës, për t’iu nënshtruar ekzaminimeve të mëtejshme. Në përfundim të veprimeve të urdhëruara nga gjykata dhe të ekzekutuara tashmë, gazetari Elton Qyno u largua nga ambientet e SPAK për në banesë të tij.

Prokuroria e Posaçme ka kryer veprimet procedurale në përputhje të plotë me kërkesat e Kodit të Procedurës Penale, si dhe në zbatim të vendimeve nr.501 datë 13.12.2023 dhe nr.502 datë 13.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.r.k

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY