INTERVISTA/ Gazetari i thotë Ramës se është në Londër për barkat, Rama...

INTERVISTA/ Gazetari i thotë Ramës se është në Londër për barkat, Rama thotë se do bisedojë për turizmin

28
0
Shares

Intervistë e Kryeministrit Edi Rama në studion e programit “Today” të BBC Radio 4

Gjatë vizitës së tij në Mbretërinë e Bashkuar, Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar sot në një bisedë në studion e programit “Today” të BBC Radio 4. Ai foli në lidhje me problemet e Shqipërisë me Britaninë në lidhje me emigracionin e paligjshëm por ndërsa gazetari e pyeti për varkat, Rama tha se do të flasë me Sunak për turizmin.

Pyetje-përgjigje:

-Në vitin 2020, vetëm 50 shqiptarë e kaluan Kanalin për në Britani. Në vitin 2021, ishin 800, vitin e kaluar ishin 12301 persona, shumica dërrmuese e të cilëve ishin burra. Në dhjetor, Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar nënshkruan një marrëveshje për ta luftuar këtë çështje. Raportimet e hershme tregojnë se qindra shqiptarë janë kthyer në vendin e tyre dhe shifrat e të mbërriturve janë ulur, por kjo është e ndërlikuar, për shkak të faktit se shifrat ulen përgjithësisht gjatë dimrit. Kjo është vetëm një prej sfidave të mëdha të Kryeministrit të vendit. Lindur në një familje artistësh, Edi Rama e nisi karrierën e tij si basketbollist, kaloi një dekadë duke pikturuar në Paris, ishte lektor në universitet dhe më pas u zgjodh udhëheqës i vendit të tij, mbështetur gjerësisht si kryetar i bashkisë së kryeqytetit, Tiranës, ku ishte nismëtari i lyerjes së blloqeve të zymta parafabrikate të periudhës komuniste me ngjyra të ndezura e të shndritshme. Ai po zhvillon vizitën e tij të parë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar sot dhe është bashkuar me ne në studion e programit “Today”.

Kryeministri Rama, mirëmëngjes!

Kryeministri Edi Rama: Mirëmëngjes

– Faleminderit shumë që erdhët të na vizitonit. Në krye të agjendës së takimit me kryeministrin tonë do të jetë çështja që lidhet me njerëzit që kalojnë Kanalin. Cili është vlerësimi juaj, a po e ul marrëveshja dypalëshe numrin e shqiptarëve që mbërrijnë këtu përmes Kanalit Anglez(La Mansh)?

Kryeministri Edi Rama: Siç e thatë edhe ju, kjo është një çështje komplekse. Sa më takon mua, jam këtu të sigurohem që të gjithë ta dëgjojnë qartë dhe fort se shqiptarët nuk lidhen vetëm me varkat. Ashtu si Britania nuk është vetëm XhejmsBond apo Mr. Bean, edhe ne nuk jemi vetëm “Taken”. Ne jemi këtu si një komunitet i rëndësishëm, drejtojmë automjetet, ndërtojmë, gatuajmë dhe madje edhe këndojmë për ju, kështu që nuk kemi të bëjmë vetëm me barkat, kemi të bëjmë me një çështje komplekse, që lidhet sigurisht me ambicien dhe nevojat e njerëzve në anën tonë të botës që të shkojnë në vende ku e imagjinojnë të ardhmen më shumë në duart e tyre dhe më shpejt.

-Kam shumë dëshirë të flas për Shqipërinë më gjerësisht, por duke qenë se barkat do të jenë në krye të agjendës me kryeministrin dhe duke pasur parasysh interesin e publikut, dua t’ju bëj nja dy pyetje të tjera lidhur me këtë. Kemi këtë ligj, një ligj të ri, i cili i po diskutohet në Parlament, që do t’i skualifikojë ata që mbërrijnë me varka të vogla të përdorin ligjet e skllavërisë moderne për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar. A mendoni se është lëvizje e zgjuar?

Kryeministri Edi Rama: Nuk jam këtu për të komentuar një ligj, që ka ndezur tashmë opinionin tuaj publik, debatet tuaja, por jam këtu thjesht që të përpiqem dhe të përcjell mesazhin se Shqipëria është një vend jashtëzakonisht i bukur. Kemi një turizëm në rritje dhe ka gjithnjë e më shumë britanikë që e vizitojnë e po ashtu, edhe europianë. Tashmë, kemi çelur bisedimet për anëtarësim me Bashkimin Europian, kështu që jemi në një pozitë krejt tjetër nga ajo që ndonjëherë përshkruhet. Për fat të keq, kemi parë se neve dhe komunitetit tonë na është drejtuar gishti në këtë vend për qëllime të politikës dhe ka qenë një moment shumë, shumë i turpshëm për politikën britanike, por, nga ana tjetër, jam shumë i kënaqur që, bashkë me kryeministrin tuaj, kemi përcaktuar një rrugë të qartë për të trajtuar së bashku çfarëdolloj gjëje që duhet përjashtuar nga marrëdhënia jonë dhe nga bota jonë e ligjit dhe drejtësisë, duke u siguruar, në të njëjtën kohë, që disa mollë të kalbura të mos identifikojnë as komunitetin shqiptar këtu dhe as marrëdhëniet tona. Britania e Madhe ka qenë përherë një model për ne dhe më duhet të them se pa Toni Blair-in, pa rrugën e re laburiste, nuk do të ishim kaq të suksesshëm sa kemi qenë, duke zbatuar pikërisht frymën e re laburiste në partinë tonë dhe shumicën tonë qeverisëse. Po nuk është vetëm kjo, është kultura, janë shumë gjëra të tjera dhe shumë mësime të tjera, ndaj duam të nxjerrim më të mirën nga kjo marrëdhënie.

– Kur thoni se ka pasur një episod të turpshëm në politikën britanike, e keni fjalën për gjuhën, për retorikën e përdorur për të përshkruar ata që, në fund të fundit, shpesh janë persona të dëshpëruar që mbërrijnë me barka apo e keni fjalën më gjerësisht për stereotipizimin e shqiptarëve në përgjithësi?

Kryeministri Edi Rama: Po qëndrojnë të dyja apo jo? E kam fjalën pikërisht për atë që është thënë nga anëtarë të kabinetit, duke nisur që nga Sekretarja e Brendshme dhe e kam fjalën pikërisht për atë çka është zhvilluar si veçim i një komuniteti të tërë, që është diçka që nuk bëhet në qytetërimin tonë dhe është diçka që nuk e përfaqëson aspak Britaninë, ndaj kjo ka qenë një pikë shumë e ulët në marrëdhëniet tona, por, siç e thashë, ka vullnet për ta tejkaluar këtë. Është e vërtetë që me forcimin e bashkëpunimit tonë ka disa rezultate të qarta që, me të drejtë, kryeministri dhe qeveria këtu po i theksojnë, por, nga ana tjetër, ne refuzojmë dhe do të refuzojmë gjithnjë këtë përzierjen e disa kriminelëve me shqiptarët si të tillë, pasi t’i vësh krimit një vulë etnike është në vetvete një krim.

-Nuk di çfarë do të thonit lidhur me Kryeministrin britanik, z. Sunak, si ju duketmarrëdhënia me të, krahasuar me paraardhësin e tij Boris Johnson?

Kryeministri Edi Rama: Dëgjo, mos më ço aty, se nuk më takon mua t’i përgjigjem kësaj pyetjeje sinqerisht. Më duhet të them që me Borisin kemi pasur një marrëdhënie të mirë miqësore dhe më vjen shumë keq për të. Do të doja të mos e kisha parë siç e pashë dje. Është vërtet një moment i vështirë për dikë që ka qenë në krye të politikës britanike. Ndërkohë, kur bëhet fjalë për z. Sunak, nuk e kam takuar ende. Kemi pasur një bisedë mjaft të këndshme telefonike. Do kem një mendim timin pasi ta kem takuar.

-Këtë shtator shënoni 10 vjet si drejtuesi i vendit tuaj, sa gjatë keni në plan të vazhdoni dhe cilat janë përparësitë e detyrës suaj?

Kryeministri Edi Rama: Siç ju thashë,  kam qenë shumë i frymëzuar nga laburizmi i ri. E kemi parë të funksionojë shumë mirë. Sa më shumë ndërlikohet bota, aq më shumë mendoj se përgjigjet e laburizmit të ri janë të duhurat dhe po e shohim këtë. Nga ana tjetër, gjithçka ka të bëjë me zjarrin brenda dhe për sa kohë e ndiej këtë zjarr brenda, nuk do të ndalem.

Kryeministri Edi Rama, falemnderit që erdhët! zyra e sjtypit e kryeministrit

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY