Rreth 210 milionë lekë (të vjetra) janë grabitur nga banka në zonën e ish-bllokut në Tiranë gjatë natës së kaluar. Shifra konfirmohet zyrtarisht. Pas këqyrjes së kasafortës nga policia dhe punonjësit e bankës dhe inventarit të bërë ka rezultuar pikërisht kjo shumë e grabitur.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se grabitësit kanë çarë murin që të çon tek kasaforta. Bëhet fjalë për një çarje në murin e bankës 50 me 30, tek dhoma e kasafortës. Po këto burime pohojnë se gërmimet e autorëve për të mbërritur tek kasaforta janë bërë prej 3 ditësh.
Sinjali i alarmit të bankës ka rënë të premten në darkë. Punonjësit e policisë private shkuan dhe nuk konstatuan asgjë. Ndërsa sot është konstatuar vrima e hapur te kasaforta.
Autorët kanë hyre nga një bodrum që ka qenë kazino, por tani nuk funksionon. Nga pas bankës është një dritare ku janë hapur dhe prishur hekurat. Dyshohet se autorët e kanë përdorur për të futur dhe nxjerr materialet dhe lekët.
Burime nga grupi hetimor pohojnë se janë vjedhur 210 milionë lekë (të vjetra).
Policia ka marrë në pyetje punonjësit e sigurisë, ndërkohë që janë sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë, megjithëse dyshohet se nuk kanë filmuar asgjë.





