Berisha shpjegon protestën: Deputetët e opozitës në parlament janë trajtuar në mënyrë...

Berisha shpjegon protestën: Deputetët e opozitës në parlament janë trajtuar në mënyrë antikushtetuese, janë përjashtuar për të drejtën e fjalës

66
0
Shares

Kreu i PD Sali Berisja tha sot në një takim me deputetët e PD se deputetët e opozitës në parlament janë trajtuar në mënyrë antikushtetuese, janë përjashtuar për të drejtën e fjalës.

Deklarata:

Theksoj se në parimin tonë, aty ku është shtypja, aty do të jetë qëndresa, aty do të jetë fitorja. Ne nisëm një revolucion i cili ka për objektiv madhor, përmbysjen e monizmit të bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve, rikthimin e të drejtës së votës së lirë të këtyre qytetarëve si objektivat më madhorë të tij.

Në kushtet e monizmit të plotë një nga institucionet më të goditura është parlamenti. Libri themelor i çdo kombi të qytetëruar që është kushtetuta shkelmohet në parlament, dhunohet në parlament. Deputetët e opozitës në parlament janë trajtuar në mënyrën më antikushtetuese.
Të drejtat e tyre janë dhunuar, janë pjesëtuar si kurrë ndonjëherë më parë në historinë e parlamentit. Për të drejtën e fjalës deputetët janë përjashtuar nga parlamenti, të tjerë në kundërshtim me çdo ligj dhe rregull shpallen të përjashtuar nga grupi me urdhër të Edi Ramës.

Por deputetët e opozitës nuk përfaqësojnë vetëm veten e tyre, por 750 mijë votues të cilët në zgjedhjet e fundit votuan për forcat opozitare. Të injorosh në këtë mënyrë 750 mijë votues, të sillesh me këtë brutalitet, dhe këtë armiqësi të egër ndaj tyre nuk bën gjë tjetër veç se kërkon konfliktin e hapur.

Në këto kushte ne nisëm revolucionin tonë, për ta vazhduar atë në të katër anët e vendit gjer në triumfin e tij. Nuk ka dyshim që parlamenti është një epiqendër jashtëzakonisht e rëndësishme.

Berisha: Gjykata Kushtetuese u dorëzua para Rama-Veliajt, vendime e saj letra të vdekura

Gjykata Kushtetuese në mënyrën më të habitshme kapitulloi përfundimisht përpara Erion Veliajt dhe Edi Ramës. Kërkesës së Aleancës së Qytetarëve për të qëndruar pas vendimit të saj, gjykata ju përgjigj në mënyrën më kapitulluese, nuk kemi mjete, nuk kemi lidhje, nuk kemi ç’bëjmë dhe vendimi ynë është një letër e vdekur.

Ky shtet në organigramë, në bordero ka president Republike, ka Polici Shteti, ka prokurori, të cilat në rastin më të parë janë të detyruar të qëndrojnë me të gjithë forcën e ligjeve në mbrojtje të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, që kanë vlerën e një norme kushtetuese, kurse këtu kanë normën zero. Këto vendime këtu janë letër e vdekur.

Këtu dominon vullneti i Edi Ramës, Erion Veliajt dhe bandidatëve që i paguajnë.
Solla këtë shembull për qytetarët që të kuptojnë se në çfarë gjendje katastrofike janë të drejtat e tyre në këtë vend. Për të gjithë atë të cilët bëjnë deklarata të blera ndaj këtij vendi. E vërteta është, kjo e ka katandisur këtë vend, në raport me shtetin ligjor, 4 vende nën Vietnamin komunist.

Berisha: Kemi thirrur një protestë para parlamentit për të mbrojtur interesat e qytetarëve që na kanë votuar

Ne në parlament do të bëjmë një betejë të fortë. Nuk mund të ecet siç është ecur. Ligjet tona nuk lexohen në parlament. Nuk po them që nuk miratohen, por leximi, shqyrtimi është detyrim kushtetues, është detyrim i yni para atyre që na kanë besuar, që presin të jemi zëri i tyre në parlament.
Por ne nuk mund të jemi. Një njeri, kryetarja e parlamentit vendos gjithçka në kundërshtim me rregulloren dhe ligjin. Sot është thirrur një protestë tek parlamenti, zëri ynë do të jetë brenda parlamentit, jashtë parlamentit.

Nuk kemi asnjë qëllim përveç se një thirrje për çdo qytetar shqiptar, një apel, kushtrim se në këtë parlament sot nuk respektohet asnjë e drejtë e opozitës. Se ky parlament bën gjithçka që opozita ta bojkotojë atë, por opozita nuk e bojkoton parlamentin, do të bëjë gjithçka për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe atyre që e kanë votuar. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY