DEKLARATA/ Belind Këlliçi hyn në garën e primareve për kryetar bashkie në...

DEKLARATA/ Belind Këlliçi hyn në garën e primareve për kryetar bashkie në Tiranë

41
0
Shares

Deputeti i PD, Belind Këlliçi prezantoi kandidaturën për kryetar bashkie në Tiranë në një deklaratë nga selia e PD.

Kreu i PD, Sali Berisha, nga konferenca ku nënshkroi marrëveshjen me Metën për zgjedhjet vendore, e përgëzoi për vendimin e tij.

Këlliçi është i pari që zyrtarizoi kandidaturën e tij për Tiranën. a.b

• Belind Këlliçi kandidon në Primare: Tirana ka nevojë dramatike për ndryshim. Është koha që Bashkia të punojë për njerëzit dhe jo me njerëzit për Bashkinë.

Deklaratë e deputetit Belind Këlliçi në prezantimin për kandidim në Primare:

Të dashur qytetarë,
Miq, demokratë,
Të rinj e të reja,
Zonja e zotërinj,
Të nderuar banorë të Bashkisë Tiranë!
Kam vendosur të kandidoj në këto primare të Partisë Demokratike, të parat për forcën tonë dhe për politikën në Shqipëri, prej të cilave, me votën e anëtarësisë dhe simpatizantëve, do të zyrtarizohen kandidatët e Opozitës së Bashkuar për bashkitë e vendit.
Mbërritja në këtë vendim nuk ishte e menjëhershme, dhe ka ardhur pas një reflektimi të gjatë, pas konsultave dhe takimeve të përditshme me demokratët dhe banorët e Tiranës, në zonat e mia elektorale e kudo tjetër. Ky vendim u arrit për disa arsye, të cilat dëshiroj t’i ndaj me ju:
Së pari, Tirana ka nevojë dramatike për ndryshim.
Unë besoj se Bashkia Tiranë është shfrytëzuar për shumë vite nga Erion Veliaj, për pasurim të jashtëligjshëm me taksat e qytetarëve, gjobat, tenderat, lejet për ndërtim dhe inceneratorin. Veliaj e ka shfrytëzuar detyrën e kryebashkiakut të Tiranës për të blerë mbështetje politike brenda Partisë Socialiste. Në dy mandate, ai ia ka dalë që, me anë të propagandës dhe kontrollit të medias, të na imponojë një pamje false të qytetit. Me instalimin e modelit “puna dicka, dukja gjithcka”, Veliaj e ka dëmtuar rëndë qytetin.
Tirana mund të rregullohet, dhe bashkia mund të shërbejë, edhe pa vjedhur. Ky është një model për të cilin qytetarët dhe politikanët, duhet më në fund të ndërgjegjësohen.
Tirana sot nuk ngjason me asnjë kryeqytet në Bashkimin Europian dhe as vendet fqinje. Ajo bëhet çdo ditë e më shumë e pajetueshme: më e shtrenjtë, më kaotike, më e ndotur, pa transport alternativ dhe hapësira për parkim dhe gjelbërim. Në 8 vite, Tirana humbi trashëgiminë e saj historike qindravjeçare, për shkak të miliona metrave katrorë leje-ndërtimi, që Erion Veliaj dha babëzisht, pa kriter, vetëm për interesin e tij personal dhe të mafias së betonit, që është sot paradhoma dhe vendimarrja okulte e punëve publike të Bashkisë.
Veliaj kërkon ta shfrytëzojë sërish këtë pushtet të madh, atij i duhet bashkia për një mandat të tretë, që të ketë rastin që këtë abuzim, këtë model, këtë përvojë të përfitimit e vjedhjes, ta rrisë edhe më shumë. Ky model, të dashur miq, duhet të bjerë. Nuk e meritojnë qytetarët e Tiranës eksperimentin më të keq të Rilindjes.
Së dyti, si banor i Tiranës, si bir, lindur e rritur në këtë qytet, dhe si një shqiptar që është kthyer këtu për të jetuar pranë familjes, e kam të papranueshme të mbetem një dëshmitar okular i kësaj katastrofe dhe të lejoj që Tirana të privatizohet, çdo ditë e më shumë nga mafia e ndërtimit dhe pastrimit të parasë. Me ndihmën e Veliajt, mafia e betonit në Tiranë u shet shqiptarëve apartamente më shtrenjtë se kudo në Europën e afërt. Të rinjve u duhen tri jetë për të blerë një apartament dhe për të krijuar familje. Çmimet e larta të apartamenteve në Tiranë i kanë skllavëruar shqiptarët në kredi, në borxhe, deri në pikën që janë të gatshëm të paguajnë para vetëm për t’u larguar nga vendi i tyre.
Erion Veliaj është i vetmi njeri që mund ta ketë konkuruar Edi Ramën në gjithë këto vite, për abuzimin me detyrën, për rritjen e pushtetit personal, për kapjen e mediave e shantazhin ndaj zërave kritikë, për instalimin e një modeli të mbrapshtë, i cili përfaqëson anën më të errët të Rilindjes, ku janë përzier zgjatimet më të mëdha të keqqeverisjes.
Si i tillë, ai dhe modeli i tij antivlerë, duhet larguar një orë e më parë, pikërisht me votën e kryeqytetasve.
Së treti, unë kandidoj në këto primare për të zgjedhurit vendorë, pasi besoj se për të administruar Tiranën duhet të fitosh si fillim besimin e forcës politike ku aderon, të antarëve dhe simpatizantëve të saj. Jam kundër modelit të emërimit nga kryetari i partisë, sepse e gjykoj si një model të dështuar dhe korruptiv.
Në ndryshim nga Veliaj, ecuria ime në politikë është vetëm nëpërmjet garës dhe votës së lirë. Jam zgjedhur kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike me votën e anëtarësisë, në një garë serioze, të paprecedent, të fortë, të vërtetë, me debat publik, dhe program real. Unë e njoh dhe e pranoj verdiktin e votës së lirë, si kur fitoj ashtu dhe kur humbas. Nuk i bëj kurrë bisht garave dhe përballjes, sado e fortë të jetë ajo!
Do të doja të ndodhte kështu edhe në kampin kundërshtar, që kandidati i opozitës të kishte përballë një socialist të vërtetë, të ndershëm, të votuar nga socialistët dhe jo i emëruar personalisht nga Edi Rama dhe mafia e plehrave. Kjo vetëm të mira do t’i sillte garës dhe politikës shqiptare.
Së katërti, unë nuk kam asgjë për t’u turpëruar dhe jam krenar për rrënjët e mia, për familjen time, për zgjedhjet që kam bërë në jetë, për të kaluarën dhe të tashmen time. Unë nuk kam të vdekur në ndërgjegje, nuk kam shpikur inceneratorë për të vjedhur, nuk kam pastruar para të pista me leje-ndërtimi, nuk kam betonizuar asnjë metër katror të qytetit, nuk kam prekur kurrë asnjë fond publik, e nuk e kam futur dorën kurrë në xhepin e askujt, nuk jam në Kinë apo Indonezi kur shfaqem në ekranet tuaja, nuk retushoj foto për të fshehur malin e betonit pas shpinës sime.
Mua nuk më lidh asgjë me këtë model të neveritshëm!
Unë kam vetëm një fytyrë, si për ata që më njohin dhe për të tjerët që do të më njohin. Këtë e dinë demokratët, bashkëpunëtorët dhe 11,601 votuesit e mi nga e gjithë Shqipëria, që jetojnë në Tiranë.
Dinjiteti është vlerë e përjetshme dhe unë nuk e tregtoj për karrierë politike. Dinjiteti personal qëndron më lart se çdo pozitë politike apo funksion publik. Unë i hyj me bindje kësaj gare, pikërisht sepse jam i kundërti i “modelit Veliaj”. Nuk jam i shantazhueshëm nga askush brenda dhe jashtë partisë ku kontribuoj, Në ndryshim nga Erioni, nuk jam peng i askujt që mbi kokë i tund dosjen e të ndjerit Ardit Gjoklaj, dosjen e inceneratorit të Tiranës, dosjen e Teatrit Kombëtar dhe të lejeve abuzive të ndërtimit, që janë dhënë në zonat e mbrojtura dhe kryesisht në qendrën historike të Tiranës.
Synimi im është të fitoj mbështetjen e demokratëve në këto primare, për t’i dalë përpara këtij modeli hipokrit, që flet për pemë kur pemët i pret për të ngritur kulla që i bëjnë hije Tiranës, që Kullën e Sahatit e ka shndërruar në orë muri për klientelën e tij.
Së pesti, Tirana është shtëpi e dytë për studentët nga e gjithë Shqipëria. Nuk meritojnë mijëra të rinj e të reja të cilësohen nga kryebashkiaku si “njerëz pa rrënjë, që nuk do kthehen aty nga kanë ardhur”. Nuk meritojnë studentët të diskriminohen nga kryebashkiaku vetëm pse një pjesë e tyre qëndrojnë në konvikte, e t’u thuhet se një qytetar dallon nga një konviktor, pasi sipas Erionit, konviktori është këtu vetëm të hajë, të pijë e të kryejë nevojat personale. Studentët i japin gjallëri qytetit, ekonomisë dhe jetës shoqërore. Paguajnë miliona euro qira në Tiranë.
Sa turp që Tirana përfundoi në duart e një individi të tillë!
Sa fyerje për inteligjencën shqiptare të ketë një kryebashkiak që, sa herë hap gojën gënjen, që sa herë firmos vjedh, që edhe fotografitë i ka të sajuara, me kulla që i sheh gjithë Tirana, por vetëm në fotot e tij zhduken.
Së gjashti, Tirana duhej të gëlonte nga energjia e gati 1 milionë banorëve, duhej të ishte një qytet vital ku secili të ecte përpara me kushtet që bashkia krijon, me lehtësitë që pushteti vendor duhej të ofronte. Në të kundërt, pjesa më e madhe e qytetarëve lufton për mbijetesë, për të mbyllur muajin. Të rinjtë nuk projektojnë dot të ardhmen. Familjarët nuk kanë ku të dërgojnë fëmijët, se nuk ka më një lulishte, një kënd argëtimi në lagje, ku ka vetëm kulla, beton, e miliona të përfituara apo të pastruara nga klientela e Veliajt.
Ky është realiteti dhe e vërteta e Tiranës, por që nuk e shihni në kamerat e propagandës. Prandaj zonja dhe zotërinj, të rinj, pensionistë, banorë të Tiranës, nga qendra deri në fshatin më të skajshëm, ju kërkoj që bashkë t’i japim fund këtij modeli politik!
Unë nuk e pranoj dot këtë model për Tiranën. Ju e refuzuat këtë model në vitin 2019, kur dhe në garë me veten, Veliaj mori 6% të votave të qytetarëve, dhe kur mijra votat e pavlefshme të administratës së Bashkisë Tiranë, u manipuluan.
Së fundmi, vendosem në dispozicion të plotë të Partisë Demokratike, demokratëve të Tiranës dhe koalicionit të Opozitës së Bashkuar, për t’i përfaqësuar me dinjitet në garën e primareve. Mbështetja juaj për mua është besa që më jepni, dhe me besë do t’jua kthej.
Unë dua të dal përballë Erion Veliajt dhe bashkë me ju, ta mundim me votë modelin e tij të gënjeshtërt, që të bëjmë transparencë për të gjitha vendimet e tij si kryebashkiak, nga 2015-a deri më sot. Bashkë na duhet një angazhim i madh për të sjellë këtu një model krejt tjetër. Një model që i shërben njerëzve edhe nëse ata janë në periferi, edhe nëse nuk kanë truall për ndërtim, edhe kur nuk kanë miq në bashki.
Një model që bën bashkë dhe që nuk ndan. Na duhet një bashki që shërben sepse e ka për detyrë, dhe jo se duhet të dalë në lajme. Një bashki që konsultohet dhe merr parasysh interesat e nevojat e banorëve. Një bashki që kontrollohet nga Këshilli bashkiak, që kontrollohet nga mediat e nga qytetarët për vendimet që merr. Lypset një model ndryshe që nxit të rinjtë, profesionistët, që ofron mundësi për familjet e reja, për strehim e shanse për të ecur përpara. Na duhet një model që vendos në qendër njeriun, qytetarin, mendimin dhe jo truallin e metrat katrorë.
S’ka më kohë, ky model duhet të bjerë!
Shumë sakrifica, shumë para ka flijuar ky qytet për mirqënien dhe karrierën politike të Veliajt. Mjaft më! Nuk na duhet një pasarelë mode ku xixëllon kryetari gjithë kohës, mëngjes, drekë, darkë.
Na duhet të sjellim në plan të parë njerëzit, qytetarët e thjeshtë, të nëpërkëmburit, ata që janë shumica e heshtur që kamera nuk e fokuson kurrë. Është koha që qytetarët të ndihen pjesë e asaj që ndodh, të kenë në dorë të ndikojnë për jetën e tyre, e jo të jenë një instrument në duart e kryetarit, në kalkulimet personale politike të tij.
Tirana ka potencial të pafundëm për të qenë qytet me sipërmarrje, me ide novatore, ku biznesi i vogël të jetë në qendër të vëmendjes, një qytet me energji, me shanse për të gjithë. Me ajër më të pastër. Një qytet më i drejtë dhe me dinjitet. Një qytet miqësor ndaj rinisë. Ku bashkia të ofron një mbështetje, një krah, vëmendje dhe jo vetëm cizmen e policit bashkiak me bllokun e gjobave në dorë.
Tirana ka potencialin e jashtëzakonshëm për tu zhvilluar e shkëlqyer në cdo lagje e në cdo njësi. Por duhët të largojmë pengesën e madhe në këtë rrugë, që është pikërisht kryetari aktual. Na duhet një model ku nuk shkëlqen kryetari pas bliceve dhe kamerave dhe qelbet lagjja prej kazanëve dhe neglizhencës. Na duhet një model ku komunitetet shkëlqejnë dhe kryetari bën punët për të cilat është votuar.
Ndaj, të dashur miq,
Në ditët në vijim do të kem një program të plotë, një alternativë që do të konsolidohet rrugës nga dëgjimi nga afër i të gjithëve.
Ne e kemi fuqinë të sjellim ndryshimin, sepse kjo fuqi është në dorën tuaj, është tek vota juaj.
Mezi pres të punoj nga afër me demokratët në këto primare. Dhe nëse ata më japin besimin, më tej, me të gjithë qytetarët e Tiranës, pa përjashtim me të gjithë, do ta shkruajmë së bashku Alternativën e Ndryshimit, Programin e Qeverisjes së Mirë, Idenë për një Tiranë të re që KURRE nuk mendon ta zhbëjë traditën, Vizionin e një kryeqyteti që është në krye sepse e kanë vënë aty të gjithë shqiptarët, nga Veriu në Jug, nga Perëndimi në Lindje.
Një thirrje të vecantë e kam për demokratët, sado e kudo qofshin, që e gjejnë veten të shmangur, që shohin se ideja e tyre nuk banon e plotë te Partia Demokratike. Vetëm duke shkëmbyer mund të pajtohemi. Vetëm duke u pajtuar mund të shërohemi. Vetëm të bashkuar mund të punojmë për Tiranën!
Është koha që bashkia të punojë për njerëzit dhe jo njerëzit për bashkinë!
Ndaj me demokratët dhe qytetarët e Tiranës, ne do të bashkohemi, si kurrë më parë.
Me energji të jashtëzakonshme.
Nga Myslym Shyri në Ndroq,
Nga Kombinati në Zall Herr,
Nga Blloku në Kashar,
Nga Brryli në Selitë,
Nga 21shi në Baldushk,
Nga Xhamlliku në Dajt,
Nga Don Bosko në Babrru,
Nga Ali Demi në Sauk.
Unë jam një kandidat i demokratëve, por u shtrij dorën të gjithë qytetarëve, nga qendra e në periferi, kudo, në cdo rrugë, lagje e njësi, sepse Tirana duhet të jetë e të gjithëve!

Bashkë ne do të fitojmë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY