ANDI MUSTAFAJ/ Manifest për Tiranën Një betejë e Partisë Demokratike për Historinë

ANDI MUSTAFAJ/ Manifest për Tiranën Një betejë e Partisë Demokratike për Historinë

74
0
Shares

Nga Andi Mustafaj

Çdo betejë duhet fituar në politikë, por disa për shkak të pasojave që sjellin për vite me rradhë në jetën e qytetarëve apo se mbartin karakter simbolik kanë një rëndësi më të veçantë.
E tillë është beteja për Bashkinë e Tiranës në të cilën Partia Demokratike do të ballafaqohet me një nga rreziqet më të mëdha për vendin siç është Erion Veliaj.
Në vlerësimin tim, kandidati i Partisë Demokratike që do të dal fitues nga procesi i primareve duhet të përmbush disa kushte.

1. Profili : Një kandidat demokrat në zemër, në kokë, në këmbë.
Kandidati i opozitës duhet të dal nga radhët e Partisë Demokratike (anëtar ose dashamirës) dhe jo të vij nga shoqëria civile apo nga ndonjë parti tjetër, kjo për arsye po aq parimore sa pragmatike.

1.a. Arsyet parimore : nëse nuk gjendet një demokrat mjaftueshëm i aftë për të prirë betejën e Tiranës atëherë PD i jep një mesazh të gabuar shqiptarëve. Do ishte e pakuptueshme të kërkohet vota për të sjellë demokratët në qeveri në një kohë që nuk ka demokratë për Bashkinë e Tiranës.
Për më tepër, dërgohet mesazhi i pavërtetë sikur ne nuk vlejmë shumë si parti, sikur në gjithë këto vite opozitë nuk kemi arritur të frymëzojmë dhe të mbledhim rreth vetes persona me vlerë të lartë politike dhe qytetare.

1.b. Arsyet pragmatike : nëse opozita do të fitonte Bashkinë e Tiranës, Rilindja do të mundohej me të gjitha mjetet e saj për të penguar qeverisjen e qytetit në mënyrë që të godasë imazhin e Partisë Demokratike në sytë e publikut. Nga ana tjetër, Partia Demokratike do të përdorë këtë mundësi të artë për të pasqyruar qeverisjen nesërme të vendit. Vetëm një person që kupton dhe jeton politikën mund ti bëj ballë një mjedisi të tillë.
Pragmatike gjithashtu sepse ne e dimë që strukturat e PD janë të shkundura nga betejat e fundit dhe duhet një profil politik që të ketë kohën ti mbledh rreth vetes dhe ti vendos në marsh pune.

1.c. Guximi: Kandidati duhet të ketë marrë pjesë në betejat ndër vite ndaj Rilindjes dhe padrejtësive që ka shkaktuar në mënyrë që të përcillet qartazi pranë qytetarëve dëshira për të promovuar njerëz që nuk i janë trembur regjimit në asnjë moment.
Kandidati nuk duhet të ketë familjar te drejtpërdrejtë që kanë marrë tendera apo kanë bërë pazare ose biznese me Rilindjen kriminale apo satelitët në orbit rreth saj. Drejtimi nëpërmjet shembullit duhet të jetë lajtmotivi i profilit dhe veprimtarisë së kandidatit të Partisë Demokratike.

2. Themeli : Një fushatë e ngritur mbi tre shtylla, kujdesi (i të parëve dhe fëmijëve tanë), mbrojtja (e sigurisë dhe së ardhmes së qytetarëve të Tiranës) dhe identiteti (kultura për të rindërtuar vlerat e një shoqërie të çoroditur).
Strategjia jonë duhet në fakt të jetë e thjeshtë : ndërtimi i një qyteti që përfaqëson njëkohësisht vlerat tona themelore dhe përbën kundër shembullin e Rilindjes.

2.a. Një qytet që kujdeset për të parët dhe fëmijët e saj.
Shqipëria po shpopullohet gjithmonë e më shumë duke lënë në rreshtin e parë të parët e saj. Pavarësisht se kjo shtresë e popullsisë po zë një vend gjithmonë e më të rëndësishëm në ekuilibrat e zhvillimit të vendit ajo mbetet tërësisht e harruar nga politikat publike. Qyteti siç është i menduar dhe ndërtuar nuk ka vend për ta.
Një fakt i tillë është një turp për traditën dhe kulturën tonë dhe tregon shumë për drejtimin e keq që ka marrë vendi ynë prej vitesh.
Një risi e madhe do ishte që në qendër të programit tonë të vendoseshin masa konkrete për të menduar një qytet i cili të jetë edhe i këtij brezi në moshë.
E njëjta logjikë vlen edhe për fëmijët. Erion Veliaj ka lartësuar një qytet imagjinar. Hapësirat e gjelbërta janë shtuar vetëm një mendjen e tij. Pallatet kanë gllabëruar ëndrrat e fëmijëve të Tiranës. Ndërtimet pa fund kanë shtuar ndotjen nga pluhurat e ndërtimit, ngushtimi i rrugëve në mënyrë të pamenduar ka rritur trafikun dhe si pasojë ndotjen nga makinat.
Shëndeti, mirëqenia dhe gëzimi i fëmijëve duhet të kthehet në prioritet absolut. Kjo gjë arrihet në mënyra të ndryshme dhe të larmishme. Ndërtimi i “jetës në lagje” si koncept i mini qyteteve është për shembull një risi që mund të sjellim.
Partia Demokratike mund të identifikojë për shembull 10 element që çdo fëmijë duhet të ketë për tu rritur mirë dhe të sigurohet që çdo lagje (kuptuar si koncept i gjerë) të ketë të paktën 7 prej tyre.

2.b. Një qytet i cili garanton sigurinë dhe të ardhmen Tuaj.
Që Bashkia të ngrihet si antishembulli i Rilindjes atëherë ajo duhet të përdorë ato mjete që ka për të kompensuar mangësitë e mëdha të qeverisjes qendrore.
Në këtë drejtim, Partia Demokratike duhet të garantojë sigurinë dhe të luftojë ndaj padrejtësive. Policia Bashkiake përdoret sot rëndom për të ndjellë frikë të madhe në qytet. Asaj duhet ti rikthehet dinjiteti dhe duhet të përqendrohet tek detyrat e saj në dobi dhe në mbrojtje të qytetarëve.
Policia Bashkiake duhet të çohet me një fytyrë të re, e cila do të tregojë fytyrën që do të ketë policia e shtetit kur Partia Demokratike të vijë në pushtet. Qytetarët e Tiranës duhet të kuptojnë në këtë mënyrë që duke votuar për Partinë Demokratike do krijojnë mundësinë e një kundrapeshe ndaj një pushtetit autoritar. Ata do kenë njerëz që do luftojnë për ta.
Kundër shembulli duhet të ngrihet gjithashtu për të ndaluar hemorragjinë që po pëson vendi ku shumica dërrmuese e rinisë sheh të ardhmen e vet në rrugët e emigracionit.
Partia Demokratike duhet ti kujtoi në mënyrë të pareshtur të gjithëve se e ardhmja e shqiptarëve është në Shqipëri, pasqyra e kësaj të ardhmeje duhet të jetë kryeqyteti i saj.
Duhet të mendohen politika për ndihmën e sipërmarrjes, veçanërisht asaj të re duke krijuar në radhë të parë ndihma për të rinjtë. Ndihma të drejtpërdrejta financiare për ngritjen dhe mbajtjen e kompanive të tyre por edhe ndihma të tërthorta nëpërmjet mundësimit të marrjes së zyrave, mbështetjes nga autoritete etj. Duhet të krijohen “hube” ekonomike me fusha të veçanta kompetencash nga të cilat të rrezatojnë më pas gjithandej nëpër Shqipëri.

2.c. kultura për të rindërtuar vlerat e një shoqërie të çoroditur.
Shqipëria është tejet e çoroditur nga Sistemi i Konfuzionit të Përhershëm (SKOP) që ka instaluar Edi Rama. Zhdukja e kulturës dhe ngritja e antivlerave si shembull për tu ndjekur kanë dëmtuar breza të tërë tashmë.
Kjo politikë është ndjekur qëllimisht nga Rilindja për të zbehur identitetin tonë dhe për të krijuar kushtet e një manipulimi më të lehtë të turmave.
Është e qartë që në pamje të parë, kultura nuk është fusha që sjell më shumë vota por ama ajo është një detyrë madhore, një përgjegjësi historike e Partisë Demokratike. Pa kulturën nuk ka identitet, pa identitet nuk ka shtylle kurrizore, pa shtylle kurrizore nuk ka më njerëz, nuk ka më komb.
Kjo fillon duke rindërtuar Teatrin kombëtar si fillim i thyerjes së ciklit negativ dhe më pas me ndërtimin e një strategjie të plotë dhe afatgjatë për të rindërtuar sistemin e vlerave dhe kulturës që i duhet Tiranës e më pas Shqipërisë.

3. Forma : Trimëria dhe urtësia e Partisë Demokratike përballë dinakërisë dhe vulgaritetit të Rilindjes
Tirana është një qytet i sunduar për shkak të sistemit të ngritur nga Erion Veliaj dhe Edi Rama. Pastrimi i parave, lidhja me krimin e organizuar gangrenojnë tashmë të gjithë indet e shoqërisë sonë. Përballë këtij fakti, tundimi është i madh që fushata të trajtojë gati ekskluzivisht dhe me pasion të madh vet dhe vetëm Erion Veliajn.
Ky është një kurth në të cilin ne nuk duhet të biem. Të gjithë studimet, por edhe eksperienca në Shqipëri, tregon qartë se një kandidat i cili kalon kohën e tij duke u marrë me kundërshtarin prodhon efektin e kundërt që kërkon.
Kandidati duhet të ketë trimërinë të ballafaqohet pa frikë me regjimin por duhet të ketë edhe urtësinë të kuptojë që koha që ka në dispozicion është e pakët dhe e paçmueshme. Ai ka përgjegjësinë ta përdor atë për të për të ndërtuar një profili të fortë, bashkues, frymëzues për qytetarët e Tiranës.
Një trimëri e urtë, me fjalë të peshuara, jo të tepërta por në të njëjtën kohë me asnjë frikë apo stepje nga regjimi i Tiranës. Ky është shembulli që duhet të ndërtojmë. Fushata nuk duhet të bëhet mbi të shara. Trimëria, përkundër çfarë propagandon Rilindja, nuk gjendet tek e shara por tek qetësia, vetëpërmbajtja. Tregimi se një rrugë tjetër është e mundur.
Fushata duhet ti jap përgjigje gjithashtu makinerisë së madhe manipuluese që ka krijuar Rilindja. Në këtë drejtim duhet ndërtuar Harta e problematikave qytetare si kundërpërgjigje ndaj sistemit të patronazhistëve dhe i duhet dhënë një rëndësi mjaftë të veçantë strategjisë në rrjetet sociale.
Partia Socialiste ka mbledhur të dhëna pa fund të qytetarëve të cilat i përdor për ti manipuluar në rrjet. Një fushatë pa strategji të qartë dhe të fortë në këto fusha është e destinuar të dështojë.

4. Organizimi: punë, punë dhe vetëm punë deri sa të thyhet regjimi në Tiranë.
Asnjë ide nuk ka vlerë pa organizim dhe asnjë organizim nuk ka vlerë pa njerëz që punojnë. Gjëja e parë që duhet të kuptojmë është se për të rrëzuar Rilindjen, qoftë edhe në një segment të saj duhet punuar shumë.
Siç e thamë më lartë, udhëheqja nëpërmjet shembullit duhet të jetë lajtmotiv për ne ndaj kandidati i Partisë Demokratike duhet të jetë çdo ditë që në orën 07h30 të mëngjesit në zyrën e tij/saj elektorale.
Në vlerësimin tim ekipi duhet të ndërtohet në disa shtresa (një pjesë që mendon, një që zbaton, një që kontrollon) dhe me disa ekuilibra (mbrojtja/sulmi, njerëzit/idet, qendra/terreni, militantët/të pavendosurit etj.).
Kandidati duhet të ndërtoj një ekip të qartë që njerëzit të shohin me kë do të qeveriset qyteti. Kjo do mundësojë edhe rritjen e përgjegjshmërisë dhe të vendosjes në punë të njerëzve në vend që të ndodhi ajo që jemi mësuar rëndom të shohim ku shumë drejtues presin të shohin si do zhvillohen ngjarjet.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY