Banorët në takimin me Berishën: Dibra do të zhduket. Ish-kryeministri: E refuzova...

Banorët në takimin me Berishën: Dibra do të zhduket. Ish-kryeministri: E refuzova një projekt italian për Skavicën në vitin 2005

67
0
Shares

Ndërtimi i Hidrocentralit në luginë e Drinit të Zi është vlerësuar nga Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha si një projekt kriminal i cili me zbatimin e tij, do të përmbysë 6 mijë hektarë tokë dhe do të shpërngulë rreth 40 fshatra të Dibrës. Ai e cilësoi këtë projekt për Dibrën si rrezikun real të zhdukjes nga diga e Skavicës.

Edi Rama po ndjek pikë për pikë planin e Enver Hoxhës, ka thënë kryetari Berisha në takimin me banorët e Dibrës. Ai theksoi se s’do të pranonte kurrë të ndërtohej HEC-e me përmbytje të gjëra tokash e fshatrash sepse kjo kohë ka kaluar përgjithmonë.

“Të ngrihesh sot me mendjen e Enver Hoxhës, i cili ishte ai që ishte dhe që kishte vendosur t’i merrte 40 fshatrat e luginës së Drinit dhe t’i çonte në Hoxharë, por atje nuk i doli toka tamam, plani, dhe të thuash se po ndërtoj dhe po përmbyt për Dibrën dhe për Shqipërinë, hyn në histori si një nga kriminelët më të mëdhenj të historisë. Sepse nuk mund ta bësh kurrë. Po mirë Enver Hoxha se ishte ai që ishte, po si ka mundësi ti Edi Rama të ndjekësh pikë për pikë projektin e tij. Si ka mundësi të firmosësh për të përmbytur mbi 6 mijë hektarë tokë buke, për të shpërngulur 37 apo 40 fshatra?”, tha Berisha.

Duke vënë në dukje se Shqipëria ka një nga gazsjellësit më të fuqishëm në Europë, TAP, Berisha theksoi se në rast se do të ndërtohej termocentral mund të merret nga gazsjellësi 700 milionë metër kub gaz.

“Shqipëria është vendi më me diell, mund të ndërtojë panele diellore kudo, jo po tani duhet të mbytim Dibrën, jo Dibrën nuk duhet ta mbysim. Ndaj jam këtu për t’u bërë thirrje dibranëve kudo që janë, në këtë trevë dhe kudo që ndodhen në qytete të tjera të Shqipërisë dhe në botë, të mbrojmë Skavicën të mbrojmë luginën dhe mos lejojmë ndërtimin e Skavicës, nuk mund të zhduket Dibra! Dibrën nuk e zhdukën dot pushtuesit më të egër që e lakmuan aq shumë vjen tani Rama dhe do të na e zhdukë me një projekt të Enver Hoxhës. Këtu është thirrja ime për socialistët dibranë, për çdo dibran, për çdo shqiptar, të shpëtojmë Dibrën”.
Kryetari Berisha kujtoi bisedën e zhvilluar në vitin 2005 me investitorë italianë, menjëherë pas zgjedhjes si Kryeministër i vendit, ku refuzoi të zbatonte kontratën e firmosur më parë nga Fatos Nano, për përmbytjen e Skavicës.

“Më vjen një kompani italiane, njëshi i ndërtimit të HEC-eve në Itali dhe më thonë z. kryeministër ne kemi kontratën të firmosur me Fatos Nanon për të ndërtuar HEC-in e Skavicës. I them kontratën e ke, por unë me shumë keqardhje asaj kontrate nuk mund t’i qëndroj kurrë. Më thotë pse. I them zotëri, (ai rastisi burrë fisnik bashkë me një tjetër) po të shkosh ti atje dhe të bësh një vizitë në atë rreth ti do bindesh se ai HEC nuk mund të ndërtohet. Më dëgjoi, por ai u kthye dhe pas një muaji erdhi sërish me grupin financiar dhe më tha kishe të drejtë, nuk përmbytej ajo zonë”.

Banorët e Dibrës u shprehën kundër Projektit të Skavicës. Munir Hoxha tha se ky është një projekt i rrezikshëm dhe projekt antikombëtar.
“Është antikombëtar për arsyen sepse e zhduk një pjesë të Dibrës nga harta e Shqipërisë. Dhe Dibra ka historinë e vet, ka luftuar vetëm për të mbrojtur trojet e veta. Dhe janë shumë, që nga Elez Isufi e deri tek gjithë krerët e Dibrës, nuk ka qenë vetëm një, kanë qenë shume që kanë luftuar dhe janë vrarë dhe varrët e tyre sot rrezikohen të mbyten nën ujërat e llucës se liqenit të Skavicës. Unë them që populli dibran, qofte i majtë apo i djathtë, mos kujtojnë të majtët që nuk do t’u mbytem shtëpitë e tyre nëse do të bëhet liqeni i Skavicës, njëlloj do të mbyten. Pra nëse kanë pak sedër, atë trashëgim që kemi nga të parët të ngrihemi të gjithë në këmbë dhe as mos ta lejojmë, mos të diskutohet asnjë ndërtim hidrocentrali që përmbyt Dibrën. Të gjithë të ngrihemi në këmbë dhe të mos rrimë indiferentë, të gjitha janë çështje politike, asnjë të mos tremet se është çështje poitike, politikë bëhet për gjithçka dhe mos të trembet qoftë të majtë qoftë të djathtë. Kur të preken interesat ekonimike do të thotë duhet të bësh politikë, e cilën politikë duhet të bësh, politikën e mbajtjes së interesave tona. Prandaj të mos trembet asnjë dhe gjithkush të mbështesë protestat që do të organizohen për mbrojtjen e Skavicës”.

Avokati Halil Zhuka, banor i një prej fshatrave e cila preket nga Projekti, shtëpia dhe pasuria e të cilit do të përmbytej në rast të zbatimit të tij.

“Kjo qeveri ka marrë guximin të bëjë një projekt Skavica që presupozohet të shkojë në 400 milionë euro investim dhe pa garë, kjo vetëm në këtë kontekst është një alarm i kuq. 400 milionë euro dhe pa garë, pa asnjë konsultim publik duke anashkaluar dhe ka barë një ligj të vecantë me atë parlamentin që të gjithë e mbajmë mend me 120 deputetë. Ka bërë një ligj për t’ja dhënë Skavicën kompanisë Bechtel, edhe studimin edhe projektimin edhe fizibilitetin edhe ndërtimin. Pas inceneratorëve, Skavica është vjedhja e rradhës e kësaj qeverie”, tha avokati Zhuka.

Gazetari Leonard Seferi e cilësoi projektin e Skavicës të pastudiuar në kushtet kur infrastruktura e Dibrës është shumë e dobët, kushtet atmosferike të stinës së verës do e kthejnë në pellg balte dhe toka pjellore ku mendohet të ndërtohet do të zhdukte prodhimet bujqësore.

“Projekti i promovuar tashmë i Skavicës është një projekt i skaduar që në bazë. Unë dua të them disa nga arsyet pse nuk duhet bërë projekti i Skavicës. Duke marrë parasysh faktin që gjatë sezonit veror siç dihet prurjet e Drinit janë shumë të ulta dhe kjo do të jetë thjesht një baltë ku do të kalojë Drini, do të jetë një liqen që në dimër grumbullohet dhe në verë do të krijojë dhe një pamje të shëmtuar për banorët. E dyta, pjesa ku mendiohet të ndërtohet Skavica është pjesa më pjellore e Dibrës. Në rast të ndonjë mbyllje të kufijve ndërshtetërorë që mund të vijë sic erdhi gjatë pandemisë Covid në 2019, do të minimizinte prodhimin vendor të bujqësisë. Në kuadrin e turizmit, nga pjesa ku Drini i Zi hyn në republikën e Shqipërisë e deri në dalje të Dibrës është një gjatësi lineare afërsisht 72 kilometër që aktualisht po shfrytëzohet edhe për rafting që i sjell të ardhura edhe turizmit. Pjesa ku do të ndërtohet Skavica, ku mendohet të ndërtohet, ndan pjesën e malësisë së Dibrës me pjesën tjetër te Dibrës. Nuk e di nëse është menduar sepse realisht edhe në momentet që flasim infrastruktura është shumë e dobët, e jo më pastaj nëse do të ndërtohet diçka e tillë”, tha Seferi. r.k

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY