Kreu i PD, Sali Berisha denoncoi sot skemën e pasaportave në këmbim të investimit.
‘Pasaporta e artë’, një kanal i zi për të larë narko-eurot e trafikantëve të pashpirtë në Shqipëri, tha Berisha gjatë konferencës së sotme për shtyp.
Deklarata e Berishës:
Jam sot për të deklaruar në emër të PD, se pasaporta e artë e Edi Ramës është thjesht një thirrje: “narko-trafikant dhe kriminel të të gjithë rajonit, Evropës dhe botës bashkohuni në Shqipëri”. PD deklaron se pas nisjes për legalizimin e kanabisit, ligjin për amnistinë fiskale, legalizimin e parave të krimit që hyjnë nga jashtë, pasaporta e artë është mekanizmi i tretë e i fundit i trinomit të shndërrimit të Shqipërisë në parajsën tokësore të drogës trafiqeve dhe krimit rajonal evropian dhe botëror. Pasaporta e artë, në vendet ku shteti ligjor funksionon është një mundësi e përdorur nga ato qeveri dhe vende për të thithur investime të huaja. Kurse pasaporta e artë në narko-shtetin e parë dhe të vetëm në Evropë, Shqipëri, është kanal i zi për të larë narko-eurot e trafikantëve të pashpirtë të rajonit, Evropës e botës në Shqipëri, një kanal i zi për paranë toksike të bosëve të drogës dhe krimit, para e cila me kullat monumente nacionaliste korruptive si i ka quajtur shtypi ndërkombëtar në Tiranë po shkatërron pamjen, urbanistikën trafikun e mjedisin e saj”.
Berisha: Me ‘pasaportën e artë’ Edi Rama kërkon të bllokojë procesin e negociatave me BE
Përshëndes qëndrimin e Komisionit Europian i cili është shprehur në mënyrë kategorike kundër këtyre praktikave. Dënoj me ashpërsinë më të madhe pasaportën e artë të Edi Ramës, si një thirrje për trafikantët, kriminelët, por edhe terroristët nga mbarë bota, paguani që të mblidheni në Shqipëri. Paralajmëroj Edi Ramën se këto praktika me sa duket kanë edhe një qëllim të dytë politik, bllokimin e procesit të negociatave me BE. Është e vërtetë që konferenca e parë është mbajtur, sikundër që negociatat nuk janë hapur në kuptimin që procesi do rifillojë pas disa shqyrtimeve që do të bëhen gjatë këtyre muajve në një konferencë të dytë. Ka një mënyrë për ta shtyrë në kalenda konferencën e dytë, është kjo që bën Edi Rama me pasaportën e artë dhe dhënien me koncesion të shtetësisë. E paralajmëroj në mënyrë serioze se këto praktika do të kundërshtohen me të gjithë potencialin që ka opozita. Sikundër, paralajmëroj çdo person, aplikimi mbi bazën e kësaj praktike nuk do të njihet nga opozita shqiptare. Ndaj të mos bien pre e një skeme të madhe mashtrimi. Ky është qëndrimi i PD ndaj këtij procesi në të cilën Edi Rama kërkon të forcojë pushtetin e tij nëpërmjet krimit, drogës dhe mafies. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/