Berisha në Vlorë: Rama mban qëndrime anti-shqiptare, dhe i kalon me batutat...

Berisha në Vlorë: Rama mban qëndrime anti-shqiptare, dhe i kalon me batutat e Kinostudios Shqipëria e Re

48
0
Shares

Në takim me demokratët në Vlorë kandidati për kryetar të PD, Sali Berisha u tha demokratëve të qytetit se ata i rezistuan mafies politike brutale të Xhorxh Sorosit! Regjimi i Ramës shkelmon interesat më jetike kombëtare, tha Berisha.

Duke komentuar Ballkanin e Hapur ai tha se Vuçiç është doktrinar i gjenocidit në Bosnjë! Ballkani i Hapur nuk është tregti e lirë. Qeveria kundër interesit të qytetarëve, po i largon nga vendi. Rama mban qëndrime anti-shqiptare, dhe i kalon me batutat e Kinostudios Shqipëria e Re

“Qeveria shpenzoi 2 miliardë euro rrasa guri për sheshet e qyteteve! Një nga vjedhjet më të mëdha të shekullit. Rama firmosi për inceneratorët, kundra ligjit me procedurë të mbyllur! Kjo e lejonte të vidhte. Ai ui ka grabitur edhe kushërinjve të vet prona në Vlorë! I jep burrit të ministres statusin ‘Investitor Strategjik’ për resort turistik. Me ligj e rregullore, deputeti dhe familja e tij nuk mund të pasurohen me prona publike

Berisha tha se po varfërohemi se po na shfrytëzon klientela e qeverisë. Rriten çmimet se janë të lidhur me qeverinë

“Nisim një betejë të re më të rëndësishme. Shpëtuam Partinë Demokratike. Ky është stacioni i parë nga i cili nisim një mision të madh për të shpëtuar Shqipërinë”, tha Berisha.

Fjala e plotë:

Së pari, duhet të përulem me nderim të madh dhe mirënjohjen më të thellë para jush, të rinj dhe të reja, burra e gra në këtë sallë, para demokratëve të qytetit të Vlorës dhe banorëve të këtij qarku kudo që ndodheni sot.

Të përulem me mirënjohje për mbështetjen e jashtëzakonshme që i dhatë në një moment jetik PD-së. Në një hark kohor të shkurtër, ju djemtë dhe vajzat, burrat e gratë me ideale fisnike, rithemeluat, ringritët në këmbë PD-në, shpëtuat pluralizmin politik në Shqipëri, shpëtuat demokracinë në këtë vend, por edhe të ardhmen e këtij vendi.
Ky udhëtim i përbashkët i demokratëve në mbarë Shqipërinë ishte më i pazakonti në historinë e Europës, por edhe i vështirë, me pengesa serioze të mëdha.

Në këtë udhëtim ne u përballëm me një qeveri e cila në rast se mandatin e parë e përdori për të zëvendësuar shtetin ligjor me shtetin e krimit dhe narkoshtetin, të dytin e përdori për të shkatërruar opozitën, për të krijuar pseudo-opozitën, për të lënë vendin pa opozitë, pa pluralizëm politik, për ta zëvendësuar këtë të fundit me pluralizim burokratik, stolia e autokracisë.

Por, në këtë përpjekje të qeverisë, të segmenteve kriminale të saj, sigurisht demokratët u përballën dhe me presione të pandershme, me Ndërhyrje brutale të mafies të George Soros e cila është mafia ndërkombëtare politike më e rrezikshme sot mbi tokë. Kjo mafie mendonte dhe besonte se mund t’i caktonte Partisë Demokratike fatin e saj, mund ta shndërrojë këtë forcë politike në satelit apo freskore të partisë së Edi Ramës. Mund t’i emërojë asaj kryetarin dhe udhëheqjen. Pavarësisht nga këto presione të shumëllojta ju u ngritët, u ngritët sepse idealet tuaja kishin mbetur të paprekura. Ju edhe me 25 prill votuat masivisht për Partinë Demokratike. 620 mijë shqiptarë i votuan kësaj partie duke e mbajtur atë në këmbë si forcën e dytë më të madhe politike në Europën ish-komuniste. Në këtë rrugë, demokratët dhe demokratet erdhën si misionarë, kaluan çdo vështirësi dhe i dhuruan vendit përsëri opozitën e vërtetë, i dhuruan vendin pluralizmin politik, pa të cilin demokracia vdes dhe nuk ka jetë.

Të dashur miq,

Këtu në Vlorë më shumë se kudo tjetër shqiptarët dhe cilido që vjen ndjejnë një frymëzim, frymëzimin e atdhetarisë, e dashurisë për këtë vend. Me 28 nëntor të vitit 1912, kur Ismail Bej Vlora shpalli pavarësinë e këtij vendi dhe ngriti flamurin tonë kombëtar, vendi në të katër anët ishte i shkelur nga pushtues të huaj nga jugu, lindja, veriu, por të gjitha këto nuk e trembën Ismail Bej Vlorën, nuk e dekurajon që në këtë qytet të bekuar të shpallte Pavarësinë e Shqipërisë. Pas kësaj shqiptarët në beteja, me përpjekje të mëdha të cilat u kushtuan jo më pak se 1/6 e popullatës, e bënë të pavarur Shqipërinë, i larguan pushtuesit nga trualli i “Shqipërisë londineze”. Pra, këtu në Vlorë, gjëja e parë që të vjen në mendje është interesi kombëtar, mbrojtja e të cilit është jetike, përcaktuese, vendimtare për zhvillimin, dinjitetin, prosperitetin tonë kombëtar.

Sot nuk kemi fuqi të huaja në territorin tonë dhe fatmirësisht as të Kosovës. Sot kombi është i lirë. Por sot në Shqipëri ne kemi një regjim i cili shkelmon me politikat që ndjek interesat më jetike kombëtare të shqiptarëve. Sot ka një përputhje, deri diku edhe një bashkëpunim, ka një sintonizim midis albanofobisë dhe qarqeve albanofobike në rajon dhe botë e qeverisë aktuale të Tiranës. Dhe kjo është e pamohueshme. Mund t’ju japim me dhjetarë shembuj. Nuk po ndalemi në armik i brendshëm, armik i jashtëm, por ne si komb kemi interesat tona kombëtare dhe këto interesa janë përcaktuese qoftë për fatin, qoftë për zhvillimin tonë. Të gjitha kombet kanë kundërshtarët e tyre, dashakeqët e tyre, por kombet zhvillohen vetëm atëherë kur ka një shtet patriotik, kur shteti është gardian i interesave të kombit dhe qytetarëve të tij dhe kur qytetarët i dëshmojnë dashurinë e tyre atdheut dhe që Shqipëria ka 1 mijë arsye për t’u dashur, ndoshta më shumë se çdo vend tjetër.

Çfarë ndodh sot?

Po e marrim pak vetëm Ballkanin e Hapur. Dy projekte janë, Procesi i Berlionit, Ballkani i Hapur. Procesi i Berlinit me të cilin fuqitë kryesore europiane kërkojnë të na mbajnë të lidhur në procesin e integrimit, të na ndihmojnë, të na japin shpresë, por edhe projekte. Nga lindi Ballkani i Hapur? Lindi nga Beogradi. Pse? Sepse Beogradi nuk është i gatshëm të ndjekë procesin e integrimit europian, me realizëm, me të vërtetë. Pse Beogradi nuk është i gatshëm? Sepse ka një president që është doktrinat i gjenocidit në Bosnje, i cili deklaronte se për një serb duhet të vriten 100 myslimanë dhe kjo është baras gjenocid në çdo doktrinë. Atij i duhet të njohë gjenocidin para se të bëhen hapat e vërteta drejt Brukselit. Dhe ky zotëria shkon na lidh me qerren e tij, krijon një aleancë trilaterale, Shkup-Tiranë-Beograd e tëra në kurriz të Prishtinës. Çfarë interesi është ky? A nuk është ky një dhunim i interesit tonë në rrafshin politik? Në vend që ne si komb të ndjehemi dy herë më të fortë se edhe Kosova është e lirë, ky na pjesëton ne, fut sherr midis Tiranës dhe Prishtinës. S’është vetëm kjo në këtë projekt. Por ky projekt ka shkatërrimin e prodhimit në Shqipëri në Myzeqe, në Korçë, në Novoselë, në Fier, kudo, për arsye se ne nuk konkurrojmë dot me një bujqësi që ka marrë në dekada të paktën 20 herë më shumë subvencione se fermerët shqiptarë. Procesi europian e parashikon shkëmbimin, por e përcakton me kuota, kuota të garantuara për prodhim dhe eksport. Kurse ky na thotë tregti e lirë për të shuar, për të dëmtuar thellësisht prodhimin në Shqipëri.

Unë ju dhashë një shembull. Por a nuk është ky shkelmim i interesave tona? Kemi një projekt europian, edhe ai nënkupton tregtinë e lirë, por sipas BE, nuk ka prodhues që vuan në BE. I ka të garantuara tregjet, rregullat dhe i ka lehtësisht të parashikueshme.

Po marrim qëndrimin direkt ndaj qytetarëve. A duhet të jetë qëllimi i çdo qeverie përmirësimi i jetës dhe mirëqenia, zhvillimi i burimeve njerëzore të një kombi? Shndërrimi i vendit në një vend më mirë të jetueshëm. A u rritën rrogat 2005-2013 pothuajse dyfish në çdo sektor dhe pensionet. Ku jemi sot? Ata që marrin në Shqipëri rrogë mesatare dhe të ulët, sot marrin më pak për shkak të inflacionit 50% më pak se në 2013. Çfarë ndodhi? Çfarë i konsideron kjo qeveri shqiptarët që nuk ju rrit rrogat, nuk i shpërblen, që nuk ju jep shpresën, por i topit në varfëri? Janë marrë miliarda euro borxh. Janë marrë borxh 10 herë më shumë se në vitet 2005-2013. Borxhi 2005-2013 u rrit me 4.6%. Ishte 52.8%, shkoi 62.6%. Nga 2013 e gjer sot borxhi ka arritur në 107%. Ku shkuan këto para? U shndërruan në rroga, pensione, shërbime shëndetësore moderne, në shkolla moderne, apo në rrugë? Që të gjitha, shumica dërrmuese e tyre u shpërdorua, u vodh. Dhe kjo qeveri nuk ka asnjë kontroll nga qytetarët, asnjë interes nga qytetarët dhe për qytetarin ngelet ose të rropatet në varfërinë e tij ose të largohet nga Shqipëria. A nuk është ky një shkelmim i interesit kombëtar? A nuk është kjo një mpirje që i bëhet kombit dhe shoqërisë sonë nëpërmjet varfërisë? A nuk është kjo rrënim i të ardhmes kur këta të rinj të marrin rrugët çdo ditë? Çfarë mbetet këtu? Ne mbetemi një vend pa të ardhme. Mbetemi një vend me një borxh të tmerrshëm ku ai që do të lindë pas 5 vitesh do të detyrohet të paguajë borxh me interesat e sotme mbi 23 mijë euro.

Këtu në Vlorë më shumë se kudo kjo është një thirrje e madhe që ne duhet t’i dalim për zot interesit tonë kombëtar, që ne s’duhet kurrë të pranojmë një politikë të tillë.

Pse unë të dashur demokratë dhe demokrate, u bëj thirrje të shohim në këtë nivel, sepse po nuk pamë në këtë nivel, absolutisht ne do të shkojmë poshtë dhe më poshtë. Sepse këtu, me këtë shikim të vërtetë, jo të krijuar, ne mund të ngrihemi si misionarë, të përballemi me këtë qeveri, të lëvizim, të ecim përpara në mision tonë dhe të çlirojmë vendin, nga një qeveri që në shumë aspekte sillet absolutisht si pushtues i huaj. Një qeveri që arreston në një vit 38 mijë qytetarë për faturat e dritave dhe ujit që nuk ndodh në asnjë vend në botë të arrestohet kush për probleme civile. Çfarë bën ky? Pse e bën këtë? Ku e bën vetëm për të ngulitur thellë më thellë frikën nga qytetarët. Po, diktaturat e bëjnë këtë, e dinë se me frikë i sundojnë dhe mënyra e vetme për të sunduar është frika dhe këtë po bën. Pse përdor urinë ky? Ndërkohë që vetë shëtit me avion me avion në dispozicion në çdo udhëtim 150-300 mijë euro udhëtimi, nuk e ka për gjë atë. Edhe sot, në kulmin e kësaj krize, në një kohë kur qytetarët e marrin vajin tre herë më shtrenjtë se tre muaj më parë, në një kohë kur qytetarët blejnë naftën dy herë e gjysmë më shtrenjtë se në SHBA, ku të ardhurat për frymë janë 20 herë më të larta. Edhe sot këta vazhdojnë. 7 milionë euro nga fondi rezervë për ahengje e festa, Bashkia e Tiranës me Ministrinë e Kulturës. Edi Rama, të gjitha këto probleme, këto qëndrime antikombëtare, antishqiptare, i ka kalon me batuta të filmave të Kinostudios Shqipëria e Re, ose me një fjalor ordiner. Por nuk kalohet kështu.

Koha është që çdo shqiptar duhet ta pyesë Edi Ramën: Zotëri, OSBE të ka akuzuar me raport zyrtar, se kur u bëre kryeministër kishe të fshehura 200 milionë euro të fshehura off shorë. Ku i more? Nuk kundërshtove. Nuk bëre dot një përgënjeshtrim. Çdo qytetar shqiptar duke parë gjendjen e tij, duke parë që fëmijët e tij largohen, duhet t’i shtrojnë pyetjen Edi Ramës: Si mund të shpenzohen 2 miliardë euro rrasa guri për sheshet e qyteteve? A ka abuzim më të madh se kjo? Rroga e Kombit me lëvizje materialesh, shkëmbinjsh, ura, tunele, është trefishi i Kaskadës së Drinit në vëllim, ka kushtuar gjithsej 1.2 miliardë euro. Kurse rrasat e gurit nga Tropoja në Gjirokastër, na kanë kushtuar 2 miliardë euro. Kjo është një nga vjedhjet më të mëdha të shekullit. Po si ka mundësi? Folëm për varfërimin, për topitjen tonë, për skamjen. Si ka mundësi që firmos për djegësat? Procedurën me negociata të mbyllura, që nuk e lejon ligji. Edi Rama, hajde këtu thuajua këtu shqiptarëve, pse e firmose ti atë procedurë kur ishte e ndaluar me ligj? E firmose sepse vetëm ajo të lejonte të vidhte. Agjencia e Prokurimit Publik tha se kjo procedurë është e paligjshme. Dhe mori Sekretarin e tij të Përgjithshëm, jo, jo tha, me këtë do ta bëjmë. Dhe çfarë bënë? Mbi 20 milionë euro për Elbasanin, u ndërtua me çelësa në dorë me gjysmën e çmimit, të tjerat i ndanë me ministrat. Këtë e bëri me Fierin, akoma më shumë me Tiranën.

Edhe sot, me qindra herë e kam quajtur Sharrën minierë floriri, flori pret Edi Rama aty. Pse? Sipërmarrja e tyre private e ka të shkruar në kontratë, 1 ton pleh do të depozitohet me 12 euro, përveç vitit të parë. Pastaj do të digjeshin dhe do të paguheshin 28 euro. Ka 5 vite që nuk digjet as edhe një 1 kuintal plehra, të gjitha depozitohen dhe çdo ton paguhet 28 euro. Kush i merr ato 16 euro? I merr Edi Rama, Erion Veliaj dhe klubi i tij. Po si ka mundësi? Dhe kjo është vetëm njëra anë.

Çfarë ndodh me pasuritë publike?

S’po ndalem me ato që ua ka grabitur edhe kushërinjve të vet pronat këtu në Vlorë, por ajo është punë familjarësh, megjithatë shumë keq ka bërë. I jep burrit të ministres, statusin e investitorit strategjik me mijëra metra në bregdet, për resort turistik. Kushtetuta e Shqipërisë, neni 70 thotë: Deputeti dhe familjarët e tij nuk mund të pasurohen me pronë publike, qoftë të qeverisë vendore, qoftë të qeverisë qendrore. Por pse e shkel? Sepse është aksioner vetë, se kryeministër në botë që të firmosë duke shkelur Kushtetutën nuk ka. Por e bën edhe kur vetë pasurohet, kur vetë përdor pasuritë publike.

Ne demokratët duhet të sqarojmë çdo qytetar pse ne po varfërohemi? Pse ne vendi i pasurive përrallore, gradualisht po shndërrohemi në ato vende në të cilat thuhej vendet e mallkuara nga burimet natyrore, se ua shfrytëzonin të tjerët. Atyre ua shfrytëzonin kolonizatorët, kurse ne na i shfrytëzojnë ministrat, klientela e qeverisë.

Çfarë ndodh sot me çmimet?

Si ka mundësi të rriten sot në Shqipëri çmimi i energjisë, i naftës, i ushqimeve më shumë se kudo tjetër? Rriten sepse janë të lidhur me qeverinë. Sepse qeveria, në vend se të indeksojë dhe kjo është alfa e tregut, rriten çmimet, qeveria rrit rrogat dhe ecën. Indeksim quhet. Ky çfarë bën? Zgjedh një bord jo qeveritar gjoja dhe thotë se ky bordi po cakton çmimet. Bordin e blejnë me lecka oligarkët dhe flet sipas tyre. Dhe vetë heq përgjegjësitë, nuk ka më përgjegjësi qeveria, ja bordi që po kujdeset. Nuk ka qëndrim më hipokrit dhe më anti-qytetar se ky qëndrim.

Janë vetëm disa aspekte këto që unë u ndala sot, sepse ne nisim një betejë të re më të rëndësishme. Nëse ne gjer sot ngritëm opozitën si opozitë të vërtetë, shpëtuam PD-në, ky është vetëm stacioni i parë nga i cili ne nisim një mision të madh të ri, për të shpëtuar Shqipërinë, për të shpëtuar kombin tonë nga ky proces denatyrimi, nga ky proces që po e bën Shqipërinë nga një vend të bekuar, në një vend që thonë shqiptarët nuk bëhet, nga një vend shprese dhe besimi, në një vend zhgënjimi dhe dëshpërimi nga i cili ikin të rinjtë. Këtu qëndron misioni ynë, misioni i demokratëve në mbarë Shqipërinë. Të vazhdojmë si një lëvizje e fuqishme e papërballueshme nga regjimi dhe askush tjetër, asgjë s’mund të ndalë ne në misionin tonë. Forca morale, forca e idealeve të njerëzve të lirë është e jashtëzakonshme. Dhe unë kam bindjen se ju demokratët dhe demokratet e Vlorës, dhe të mbarë Shqipërisë, në një lëvizje të fuqishme do të bëheni gardianë të interesave kombëtare, do të shndërroni Shqipërinë përsëri në vendin e shpresës, të besimit, të të ardhmes së fëmijëve tanë. m.k

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY