KOMENT/Pse e shtyn largimin Basha deri në vetmi

KOMENT/Pse e shtyn largimin Basha deri në vetmi

87
0
Shares

Nga Sami Neza

Pas zgjedhjeve të 6 marsit është mbyllur hamendja nëse Lulzim Basha mund ta drejtojë PD drejt një fitorje. PD me Lulzim Bashën në krye nuk mund të fitojë asnjë sfidë elektorale, por nuk mund të fitojë asnjë sfidë politike, nuk mund të fitojë as elektorat gri dhe nuk mund të fitojë as grupe interesi.

Asnjë forum i krijuar nën drejtimin e Lulzim Bashës sikurse parashikohet në statut dhe asnjë forum tjetër jostatutor si kolegji i kryetarëve lokale nuk mund të shërbejë si koracë për Bashën. Ai duhet të largohet dhe të mos harxhojë frymë për të argumentuar qëndrimin e tij në krye të partisë.

Dështimi i Lulzim Bashës nuk lidhet me nongratan e Berishës nga SHBA dhe as nuk lidhet vendimin e tij ndaj Berishës. Ai ka dështuar shumë më herët duke pasur edhe mbështetjen dhe mentorimin e  Berishës.

Kështu që qëndrimi tij në fushë se pastaj fusha zihet nga Berisha nuk është argument por një mundësi tjetër për Bashën që ta ndryshkë edhe më shumë  opozitën si një instrument të paaftë për të përballuar qeverisjen më të keqe që ka pasur vendi.

Ndërkaq duke mbetur tek ky justifikim që nuk është as armë për betejë dhe as mburojë për goditjet, tregon shterimin që nuk merr fund të mënyrave të lehta dhe justifikuese si Basha bën politikë.

Dredhat e Bashës tani nuk janë më pengesa por arsye më shumë se pse ai duhet të clirojë veten nga PD dhe PD prej vetes. Kur nuk fitonte me këshilltar Berishën nuk ka njeri që e beson se ai do të fitojë më këshilltar kryetarin e  degës së PD në Librazhd apo Mallakastër.

Këmbëngulja tek argumenti qesharak me ‘antiamerikanë’ që ende artikulohet në media nga krijuesit e këtij togfjalëshi që nuk e  mori përsipër as Edi Rama t’ia thoshte demokratëve nuk shton lidhjet me PD por i ngushton edhe më shumë ato.

Të gjitha taktikat për të shtyrë largimin vetëm sa e bëjnë Bashën të ndahet nga PD në vetmi. Mjafton  të bëjmë krahasimin që nga shtatori i 2021 e deri në sot për të kuptuar se si Basha i ka hequr miq vetes dhe PD së struktura. Ai hoqi prej saj Berishën, deputetë që mbështetën foltoren, Bashkinë e Shkodrës, ia bëri PD-së ëndërr vendin e dytë në zgjedhje duke e kaluar në vend të tretë, i ka larguar prej vetes pothuajse të gjithë grupin parlamentar.

Basha ka humbur edhe kryesinë e PD-së dhe kjo është arsyeja sepse ai mbledh dy herë kolegjin e kryetarëve, miq të tij një pjesë të pazgjedhur por të emëruar, dhe nuk ka mbledhur ende kryesinë. Basha ka humbur edhe Këshillin Kombëtar.

Basha ka humbur edhe mbështetësit e tij që artikulonin në emër të tij dhe për emrin e tij në parti, publik dhe media. Ai nuk ka më mbështetës pa kushte Bardhin, Alibeajn, Tabakun. Nuk mbështetet më nga Duma, Salianji, Gjekmarkaj, Acka, Bushati. Ata që deri dje e mbronin për gabimet duke i mbushur mendjen demokratëve se gabimet e tij këmbehen me fitore në perspektivë, tani janë rralluar në kuvendet televizive dhe në median e shkruar.

Disa prej tyre duke qenë kundër Berishës duket sikur ndërtojnë atmosferë se vijojnë të jenë aleatët e Bashës. Por nuk janë me të, janë kundër tij duke vënë në dilemë edhe  sloganin antik të skalitur nga koha ‘që armiku i armikut tim , është miku im’. As këtë mësim historik nuk e fut dot në punë.

Kjo nuk është për faj të demokratëve, nuk është as për faj të Berishës por për fajin e Bashës. Basha gjithnjë ka bërë gabime të tilla por I ka mbuluar me perspektivën, me të ardhmen. Tani është shpenzuar edhe e ardhmja në diskurin e Bashës. Nëse ia kanë mbushur mendjen se ka pasur fitore përjashtimin e Berishës nga PD, është i gabuar. Politikanë të llojit të Berishës nuk mund të munden, aq më tepër me procedura përjashtimi  përfshirë edhe atë të non gratas. Ata mund të tejkalohen, nëse mundesh. Nëse nuk tejkalohen gjej shteg për në cep të hijes së tyre.

Prej disa ditësh një furtunë kundër Bashës është ngritur nga cdo anë, bile edhe nga zona gri që i ofrojnë si alternativë tani, ata që e duan keq e më keq aty ku është. Sa më shumë sulmohet Basha dhe sa më shumë gjen arsye ky i fundit për të qëndruar atje në ballë të këtyre sulmeve, aq më shumë fiton vlerë dorëheqja e tij  mbi gjithcka ka bërë në 9 vite në krye të PD-së. Dhe kur dorëheqja ngulitet, mbetet pak vend për kryetarin.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY