GENC POLLO/ Segmenti Budapest-Vilnius dhe trekëndëshi Kiev-Tiranë-Prishtinë

GENC POLLO/ Segmenti Budapest-Vilnius dhe trekëndëshi Kiev-Tiranë-Prishtinë

52
0
Shares

Nga Genc Pollo

1- Forca e parimit në Budapest

28 vjet më parë në Budapest, në 5 dhjetor 1994, merrja pjesë si anëtar i delegacionit shqiptar në samitin e Konferencës për Siguri e Bashkëpunim në Europë (KSBE). Ky samit kujtohet se vendosi që Konferencën t’a shndërrojë në Organizatë (OSBE) me institucione të përhershme. Por ngjarja më e rëndësishme dhe me pasoja historike në këtë samit ishte nënshkrimi i Memorandumit të Budapestit nga Presdienti ukrainas Kuchma, Presidenti rus Jelcin, Kryeministri britanik Major dhe Presidenti amerikan Clinton. Këta dy të fundit nënshkruanin si garantë të respektimit të marrëveshjes (Franca e Kina gjithashtu ofruan garanci në dokumenta më vete). Thelbi i memorandumit ishte se Ukraina i dorëzonte Rusisë armët bërthamore që gjendeshin me shumicë në territorin e saj që nga periudha sovjetike ndërsa Rusia garantonte se “do të respektonte sovranitetin e pavarësinë e Ukrainës në kufijtë aktualë” dhe se kurrë nuk do të përdorte forcën dhe armët apo presionin ekonomik kundër Ukrainës (përkatësisht neni 1, 2 e 3). Në dritën e ngjarjeve të sotme, kur raketat ruse po godasin apartamente e po vrasin civilë në Kiev, këto citate mund të duken si ushtrim në sarkazëm. Por në Europën post-komuniste të viteve 90 parime ndërshtetërore si sovraniteti, evitimi i dhunës e liria e për të zgjedhur aleancat jo vetëm u shkruan në deklarata të njëpasnjëshme të KSBE-së e të Këshillit të Europës por edhe besoheshin seriozisht. Me përjashtimin tragjik të Milosheviçit e ish Jugosllavisë. Por një dekadë e gjysëm mbas Budapestit këto parime filluan të shkeleshin jo më nga një diktatoruc gjakatar në Ballkan por nga një shtet i madh e me armë bërthamore. Pacta sunt servanda (marrëveshjet duhen respektuar) si kryeparim i të drejtës ndërkombëtare u shkel bashkë me të tjerët.

2- Parimi i forcës në Vilnius

Në 28 nëntor 2013 samiti i Bashkimit Europian i mbledhur në kryeqytetin e Lituanisë dështoi keq kur Presidenti ukrainas Janukoviç u deklaroi liderëve europianë se refuzonte të nënshkruante marrëveshjen e asociimit me BE. Marrëveshja, e cila po negociohej prej gjashtë vjetësh, ishte planifikuar të firmosej me solemnitet atë ditë. “Rusia po më nxin jetën prej tre vjetësh ndërsa ju më latë në baltë” u tha Janukoviç 28 presidentëve e kryeministrave sipas dëshmitarëve të pranishëm. Edhe Armenia në shtator të atij viti i ndërpreu negociatat për marrëveshjen e asociimit me BE pasi u kërcënua hapur me dhunë të armatosur nga Moska. Presidenti armen dhe ai ukrainas u detyruan të premtonin se do t’i bashkoheshin Unionit Doganor Euroaziatik të themeluar nga Rusia në 2010 (aktualisht quhet Unioni Ekonomik Euroaziatik). Edhe pse marrëveshja europiane ishte për ta me më shumë leverdi.
Surpriza për të zhgënjyerit nga Janukoviç erdhi nga populli ukrainas. Refuzimi ndaj Brukselit shkaktoi protesta të mëdha dhe atë që njihet si Revolucioni i Maidanit. Janukoviç u arratis në Rusi dhe parlamenti e presidenti u zgjodhën me votë demokratike. Por Putini reagoi duke pushtuar Donbasin dhe duke aneksuar Krimenë. Vetëm pas kësaj traume anëtarësimi në NATO u bë realisht prioritet për Kievin.

3 – Dy-tre mendime mbi parimet e forcën

a – Po të mos ishin personalitete kurajoze si Vitali Kliçko e po të mos kishte mijëra qytetarë, të cilët në Maidan sfiduan për javë të tëra plumbat e acarin, Ukraina do të kishte mbetur në kategorinë e Taxhikistanit e Kirgiztanit. Ishte vullneti i brendshëm i shoqërisë, i fortë dhe i paepur, që përcaktoi orientimin madhor të shtetit. Ky është mësim i vyer për popujt në Ballkan që po durojnë Lukashenkot e tyre.

b- Jo vetëm burokratët e Brukselit, për të cilët thuhet se jo rrallë shohin endërra me sy hapur, por pothuaj e tërë elita politike e Europës e Perëndimit nuk e kuptoi rrezikun real të një Rusie revanshiste: as kur Putini pushtoi dy provinca të Gjeorgjisë në 2008; as kur ai ja u la pa hapur shishet e shampanjës në Vilnius në 2013; as kur një vit më vonë pushtoi Donbasin e e aneksoi Krimenë. Apelet e udhëheqësve dhe intelektualëve nga Europa lindore për rrezikun putinist u injoruan. Pikëpamjet e ngjizura në një periudhë të gjatë paqeje e mirëqenjeje e të ndikuara nga ideologji problematike prevaluan gjatë mbi ato të njerëzve që vuajtën sundimin dyfish komunisto-rus. Agresioni i shkurtit 2022, fatmirësisht nuk la bukuroshe të fjetur pa zgjuar nga gjumi. Edhe shtetet më pacifiste e neutrale po bëjnë atë që ishte e paimagjinueshme deri para tre ditësh: po furnizojnë Ukrainën me armë letale (vdekjeprurëse).

c- Ka në Europë por edhe në Tiranë tipa që filozofojnë se fajin e ka NATO që u zgjerua në lindje duke ju futur me pahir në pëqi Rusisë. Dhe duke e bërë këtë të fundit agresive si macja e shtyrë në qoshe. Në fakt asnjë nga anëtarët e rinj të NATO-s nuk kanë qenë në influencën tradicionale të Moskës deri para fundit të Luftës së Dytë Botërore. Kurse Ukraina, siç shënuam më lart, u përpoq seriozisht (por pa rezultat) për NATO-n vetëm mbasi humbi Donbasin e Krimenë. Një Ukrainë e afërt me Europën mund të ruante marrëdhenie të mira fqinjësie me Rusinë. Në frymën e Memorandumit të Budapestit; si në shembullin e Finlandës apo Austrisë. Kjo ishte e mundur deri në vitin 2013 por dështoi për faj të Putinit. Sot për sot është pa vend të diskutohet kjo temë. Me kismet kur në Kremlin të vijë dikush tjetër.

4- Tirana e Prishtina: shanse e mundësira

Tirana po tregon unitet diplomatik me Perëndimin përmes rezolutave që po propozon tok me ShBA në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kjo është pozitive por jo dhe shumë efektive mbasi rezolutat që dënojnë Rusinë bllokohen rutinë nga vetoja e Rusisë. Efekti është kryesisht PiAr. Ironikisht si shumëçka që bën Edi Rama mund të guxonim të thonim.
Fatkeqsisht Tirana nuk ndoqi shembullin e shteteve Balltike e Polonisë që prej javësh po e furnizojnë Ukrainën me armë, municion, veshje antiplumb, etj. Për ndihma të tilla qeveria e Kievit është lutur përditë. Jo se dërgesat tona do të përmbysnin situatën por të paktën do të na tregonin seriozë e të vendosur. Deklarimi për ndihma të djelën (27/02) nga qeveria kur edhe më pacifistët e rusofilët i kanë dorëzuar ushtrisë ukrainase raketa antitank duket thjesht për të larë gojën.
Po kështu kur Polonia, Rumania e Sllovenia njoftuan të djelën paradite (27/02) bllokimin e hapësirës ajrore për avionët rusë Tirana mund të kishte bërë të njëjtën gjë. Deklarimi i qeverisë vetëm mbasi kjo nismë u zyrtarizua nga BE tingëllon sërish si mbas pilafit.
Shumë fatkeqsisht Kryeministri Rama nuk ka ende vullnet për të larguar Shqipërinë nga nisma Minishengen/Ballkan Hapu. Tashti që kryesponsori i saj, Presidenti i Serbisë Vuçiç nuk pranon të rreshtohet me Europën kundra Putinit kjo nismë është shumë më ogurzezë se më parë.
Lidhur me mbrojtjen e sigurinë kombëtare që tashti e tutje përballet me kërcënime më të dukshme duhet një debat i ri. Argumenti se na mbron NATO në çdo rast, siç dëgjojmë më së shumti nga mazhoranca, nuk mjafton. Padyshim anëtarësimi në NATO në v.2009 ishte arritje historike; por ShBA po fokusohet tek Kina e Aleanca Veriatlantike preferon të ketë anëtarë kontributorë të sigurisë e jo vetëm konsumatorë të saj. Investimi më i madh në Forcat e Armatosura ishte blerja nga qeveria Berisha e 6 helikopterëve me përdorim dual civilo-luftarak. Qeveria aktuale me motivacion korruptiv ka copëtuar e bazat e Forcës Detare duke cënuar seriozisht kapacitetet mbrojtëse. Ky trend duhet përmbysur.

Prishtina ka një shans të madh: Vuçiç refuzoi të dënojë agresionin e Putinit dhe sanksionet e BE-së e të Perëndimit. Nëse Brukseli e të tjerë kishin mbyllur deri tashti një apo dy sy për vardisjet e Beogradit ndaj rivalëve jomiqësorë të Evropës që nga 24 shkurti jetojmë në një kohë tjetër. Konflikti është i hapur, i dhunshëm dhe rregulli dominues është “o me ne o kundra nesh”. Prandaj në këtë moment që paradigma po ndryshon objektivi më i dobishëm e më realist për Prishtinën është të marrë njohjen diplomatike nga pesë shtetet e BE-së (apo katër të NATO-s) të cilat ende hezitojnë. Që nga Greqia që është pranë deri tek Spanja që duket kokëfortë. Natyrisht duke punuar me të mëdhenjtë e BE-së e të NATO-s.

Genc Pollo
Ish ministër e deputet
28 shkurt 2022

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY