GENC POLLO / “Ç’të duhet tëj? Shëjf cullt tuj!” ose fillimet e...

GENC POLLO / “Ç’të duhet tëj? Shëjf cullt tuj!” ose fillimet e një narko-shteti

88
0
Shares

1 – Postblloku ad hoc për fshatarët, barinjtë e famullitarët
2 – Normalizimi i së keqes si murtajë shoqërore
3 – Aksionerët e kujdestarët e hashashit omniprezent
4 – Eye in the sky nga Italia
5 – Modelet latinoamerikane dhe selia në dalje të Peshkopisë

1 – Postblloku ad hoc për fshatarët, barinjtë e famullitarët.

genc pollo, e vogel

Genc Pollo

“Ç’të duhet tëj? Shëjf cullt tuj!” (në shqipe standarte: Çfarë të duhet ty? Shih fëmijët e tu!) ishte këshilla e Nëndrejtorit të Policisë së Shtetit në qarkun Dibër Robert Aga, kur një qytetar i Peshkopisë, i njohur i tij, i kishte shprehur shqetësimin për parcelat e hashashit të mbjella masivisht në malet përqark nga Maqellara deri në Muhur e Cidhën.
Gjatë javës që shkoi kam qenë përditë në fshatrat e Luznisë, në mbështetje të fushatës së Sherefedin Shehut për kryetar të bashkisë Dibër dhe shqetësimi i mësipërm mu rishfaq gjatë bisedave me fshatarët e Hoteshit dhe Lishanit të Poshtëm. Ata nuk kishin patur mundësinë, mbase as kurajon, për të shkuar në komisariat e për të folur me shefin e policisë. Edhe halli i tyre nuk ishte dhe aq interesi publik si në rastin e qytetarit peshkopias të cilit lipset të mos i shënojmë këtu emrin. Fshatarët luznakë ankoheshin se këtë vit nuk po mundnin të bënin atë që kishin bërë gjithmonë: të dilnin në mal për të mbledhur çaj e bimë mjekësore si dhe shkarpa për zjarr. Apo edhe të shkonin më tej për të vizituar miqtë a krushqit e tyre në fshatrat e (ish) komunës Selishtë. Kush prej tyre kishte tentuar ishte kthyer mbrapsht pa një e dy nga djem të armatosur (sipas luznakëve ata flisnin dialekt tiranas e vlonjat) që ruanin parcelat me hashash të mbjella në livadhet  e Pratit, midis malit të Arapit që ngrihet mbi Luzni dhe atij të Selishtës më në perëndim.
Si deputet i Kuvendit të Republikës supozohet që duhet të kem mjaftueshëm kurajo civile dhe angazhim për interesin publik sa që një rast të tillë, që më së paku është uzurpim i territorit publik nga grupe të armatosura, duhet ta denoncoja tek autoritetet publike përgjegjëse dmth. tek policia. Por meqë Partia Demokratike, të cilën përfaqësoj në Kuvend, në fillim të gushtit i kishte denoncuar me emër e mbiemër drejtorin dhe nëndrejtorin e Policisë së Shtetit në Qarkun Dibër, tok me plot të tjerë të ngjashëm në të gjithë vendin, si aksionerë e kujdestarë të cannabis-it të mbjellur mu duk se gjëja më normale në një situatë e shtet normal do të ishte, në rastin tim, një ushtrim kotësie. Edhe pse me gjasë zoti Aga do të ma kursente këshillën për të shikuar « cullt  mëj ». Prandaj i ngushëllova fshatarët në Hotesh e Lishan të Poshtëm se problemi i tyre do të zgjidhej, në mos menjëherë me siguri vitin e ardhshëm, dhe u ula të shkruaj këto rradhë. Nuk u tregova që kisha lexuar në gazetë se 15 km më në jug çunat me armë kishin zënë e devijuar burimin e ujit duke lënë fshatarët e zonës pa pirë e pa vaditur.
Në maj të këtij viti gjatë një takimi me drejtuesit e PD në Ballsh,  dëgjova nga kryetari i Bashkisë Mallakastër se ai, për të protestuar kundër mbjelljes së hashashit pranë një rezervuari në disa kodra afro  gjysmë ore me makinë larg zyrës së tij (e komisariatit të policisë) kishte vajtur  atje me policët bashkiakë (të paarmatosur) dhe kishte hasur, në distancë nga parcelat, breshëri kallashnikovi  për fat të mirë në ajër e pa të lënduar. Drejtori i Policisë, i thirrur menjëherë në ndihmë, i mbylli celularin e pas njoftimit standard një makinë policie shfaq pas disa orësh për tu kthyer të gjithe bashkë në qytet pa trazuar bimët e rojet e tyre. Më tej oficerë të lartë të policisë e kishin kontaktuar kryebashkiakun me këshillën ” Po ti ç’ke? Shih punët e tua”, kësaj  radhe në të folmen tepelenase. E kam rrëfyer tre herë rresht këtë episod në fjalimet e mia në plenaren e Kuvendit duke devijuar nga rendi i ditës, me shpresë se do të nxisja ndonjë reagim, qoftë edhe vetëm verbal, nga ata që kanë përgjegjësinë e pushtetit. Deputetët mazhoritarë i pashë duke gogësitur të painteresuar, ndoshta edhe të pafuqishëm. Pas shpinës time rastisi vetëm njëherë ministri i Brendshëm, i cili, siç më thanë më vonë kolegët, kishte folur gjithë kohës në celular.
2016-ta me gjasë do të kujtohet edhe si viti kur për herë të parë në histori u ndërpre transhumanca e cila dokumentohet në këto troje prej më shumë se dy mijë vjetësh dhe që ka ndodhur çdo vit rregullisht e patrazuar nga luftëra, kryengritje, kaçakë e banditë. Është fjala për shtegtimin veror të bagëtive të cilat barinjtë, pasi del dimri e në të hyrë të verës, i çojnë nga fushat e luginat ku dimërohet butë drejt livadheve malore, të tyret gjithnjë pavarësisht nga qeveria apo sundimtari, që të kullotin e mërzejnë në fresk. Këtij moti çunat e armatosur të parcelave të hashashit  nuk riskuan të lejonin barinj përqark, dëshmitarë të bezdisur, e bagëti aty afër që mund të nduknin pa dashje e për të keqen e tyre, gjethet e vyera. Kështu që i  kthyen mbrapsht dhe i lanë, bagëti e barinj, në vathët e stallat dimërore të fushës.
Në kafenetë e Peshkopisë dëgjoj edhe versionin gjysmë konspirativ se moratoriumi për ndalimin e gjuetisë nuk ishte motivuar nga dhembshuria ndaj kafshëve e shpendëve të egër e në rrezik (të përshkruar pasionarisht  nga Jonathan Franzen në revistën National Geographic) siç na u shpjegua në Kuvend nga përkrahësit e kësaj nisme. Jo! më thonë me këmbëngulje Ishte eliminimi i gjuetarëve bredharakë si dëshmitarë të bezdisur. Kësaj radhe me germën  e ligjit e jo me tytën e pushkës.
Përvoja e fshatarëve dhe e barinjve u bë edhe e disa famullitarëve në krahinat veriperëndimore të vendit, të cilët kësaj vere, morën rrugën për të mbajtur Meshën e së Dielës në kishën e fshatrave të largët, malorë. Çunat e armatosur në zabelet e Malësisë së Madhe, Dukagjinit e Mirditës, i zmbrapsën edhe ata. “Fjala e Zotit mund të presë. Kur ne të kemi të mbledhur e paketuar bimën tonë atëherë edhe ju mund të keni liturgjinë tuaj.” ishte mesazhi. Cikël interesant në një vend ku gjysmë shekulli më parë shteti me ideologji kriminale ndaloi ushtrimin e fesë e tashti kriminelët me lidhje shtetërore e ndalojnë sërish kur ju volit.

2 – Normalizimi i së keqes si murtajë shoqërore
Dy vjet pas aksionit policor antidrogë në Lazarat, i çuditshëm në llojin e vet për shkak se nuk pati asnjë të lënduar apo të vrarë dhe një numër qesharakisht minimal personash të kallëzuar e të proceduar penalisht, kudo në Shqipëri ku ka tokë të përshtatshme e disi larg syrit të njerëzve lartohet hashashi. Ai nuk është thjesht i toleruar por edhe i mbrojtur nga oficerë të lartë të policisë të cilët janë ortakë në distancë të këtij operacioni të gjelbër siç dëshmojnë të dhëna nga opozita, një pjesë e medias, raporte nga agjenci zbulimi vendase e të huaja dhe plot dëshmitarë direkt.
Efektet sociale po ndihen. Në shoqërinë shqiptare të varfëruar me shpejtësi shumëkush është turrur të bëjë para të shumtë e të shpejtë. Aty ku p.sh. tregtari furnizonte rregullisht fshatarët me farë rigoni për mbjellje  tashti nuk ja pranon kush ofertën. “Ka tjetër farë me më shumë leverdi” i thonë.  Fermerët e komunave rreth Beratit, qarkut ku jam zgjedhur deputet, tundnin kokën dikur në shenjë disaprovimi kur përmendej hashashi i Lazaratit. Për ta ishte një gjë e keqe, e kundërligjshme. Sivjet këto skrupuj kanë rënë.  Por edhe aty ku rezistojnë biri nuk e ndjek më të jatin në arë e i përmend me qesëndi se me atë “bimën” tjetër fitohet tridhjetë fish më shume se sa me misër e domate. Nëse rrënjoset kjo kulturë në shoqëri nuk di kush do të mund të bëje përpjekjet herkuliane për ta çrrënjosur atë.


3 – Aksionerët e kujdestarët e hashashit omniprezent.

Pakkush kujtohet tashti se një komision hetimor parlamentar i nismuar nga PD vitin e parë të kësaj qeverie zbuloi se shumica e të emëruarve nga pushteti rilindësit në poste të larta në Polici ishin persona me të shkuar penale e me ndëshkime administrative të rënda. Më së shumti publiku ka në kujtesë lidhjet e Ministrit të Brendshëm me këta policë e me banditë të mirëfilltë të faktuara e të denoncuara rregullisht nga opozita. Lidhje me natyrë farefisnore, krahinore e miqësore.
Qeveria në përgjithësi  nuk ka folur për sa më lart. Nën dafinat e venitura të aksionit në Lazarat ka përsëritur refrenin e baltës opozitare dhe ka evituar çdo shpjegim përmbajtjesor qoftë edhe si pohimi qesharak se shqiptarët që u dyndën në masë para një viti drejt Gjermanisë ishin emigrantë në Greqi. Së fundmi, nën presion, po flasin, për aksione antidrogë të policisë qendrore,  pasi segmente të asaj lokale qenkan komprometuar. Sërish si dhe më parë shohim aksione në TV me shkulje e djegie të hashashit si rregull në parcelat jashtë proteksionit ose aty ku është prishur pazari i protektorëve. Tashti ofrohen edhe koka turku, të vogla kuptohet, si një polic në Kolonjë apo një nëpunës vendor në Mbishkodër. Si dhe spinime përmes tweet-eve  ku ministri pozon me gazetarë te huaj (vini re: role të përmbysura!) para ndonjë kaçube në zjarr e pas policëve me kallash. Spinime si fija e kashtës për të shpëtuar përmes legjitimimit  nga jashtë.


4 – Eye in the sky nga Italia

Ndërkohë pritet në fillim të shtatorit prezantimi fillimisht tek ndërkombëtarët i raportit të policisë italiane nga vëzhgimi ajror për kanabisin në Shqipëri. Kjo asistencë italiane e dhënë prej vitesh u refuzua nga qeveria Rama dhe rifilloi vetëm pasi insistimit të PD-së në Tiranë e Romë (L. Basha takoi apostafat këtë maj në Romë qeveritarë e parlamentarë  me lutjen për nisjen sa më shpejt të operacioni ). Megjithatë, me një rezistencën e atij  që ka diçka për të fshehur, qeveria lejoi vëzhgimin ajror të vetëm 18% të sipërfaqes potenciale. Por edhe me kaq burimet e informuara mbi raportin flasin për “tapetto verde”. Do të ishte ndihmë e madhe sikur ky raport të mos varrosej në sirtarët e qeverisë por ti dorëzohej edhe Kuvendit e Presidentit pasi situata e emergjencës kombëtare faktike e justifikon plotësisht këtë. Kështu gjetjet e tij do të  bëheshin  objekt i debatit publik e me gjasë, do të kishim ndërgjegjësim më të madh e shpresoj  edhe reagim më të fortë.


5 – Modelet latinoamerikane dhe selia në dalje të Peshkopisë.

Duke lexuar për narko-shtetet në Amerikën Latine dallojmë modelin meksikan ku kartelet e kokainës herë “e gjejnë gjuhën” me pushtetarët e me oficerët e policisë/ushtrisë dhe kur qeveria ndërron e fillon luftën ndaj tyre ndodh dhunë me mizori ekstreme. Tjetër model është ai i Panamasë nën Manuel Noriegën ku vetë qeveria ishte karteli unik.
Lexuesi le ta gjejë vetë se sa afër njërit a tjetrit model po pozicionohet vendi ynë. Një detaj tjetër nga fushata zgjedhore që përmenda në hyrje të këtij shkrimi mund ta ndihmojë. Në Peshkopi nuk kandididon thjesht M. Rama i PS. Prapa e krahas tij e gjithnjë e më shumë para tij  kandidon nje bandë kriminale e organizuar me në krye ish-burgaxhinj të sprovuar që kanë marrë hua vulën dhe emblemën (edhe kjo e fundit me gjethe!) e një partie të koalicionit qeveritar dhe janë stacionuar në dalje të qytetit. Aty mbledhin të fortët e zonës të cilët i dërgojnë lart e poshtë për të trembur dynjanë, aty vendosin për emërime bashkiake pa din e pa iman (kanë bërë afro 200 syresh), aty  shpërndajnë zarfe me para në këmbim të premtimit të votës dhe aty ftojnë kolegët ish- burgaxhinj nga anembanë vendi të cilët i shëtisin mandej në bulevard. Po aty mblidhen pa merak për tu fshehur edhe aksionerët e kujdestarët pa uniformë të parcelave nga Maqellara deri në Muhur e Cidhën. Me  synimin e qartë të marrin e të kontrollojnë (edhe) Bashkinë e Dibrës.

Botuar në të përditshmen Panorama më 1 shtator 2016

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY