Ekspansion mediatik i PD zyrtare, por asnjë takim me demokratët, Bardhi: Mitingu...

Ekspansion mediatik i PD zyrtare, por asnjë takim me demokratët, Bardhi: Mitingu i datës 11 nuk prodhon dot vendime kundër institucioneve legjitime të PD

92
0
Shares

Nisur nga deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi, PD zyrtare është e vendosur ti shkojë deri në fund përçarjes së PD duke mbajtur një kuvend të pakicës me 18 dhjetor.

Përmes një ekspansioni mediatik por asnjë takim me demokratët , Bardhi thotë se nuk ka dilema kur bahet fjalë për Kuvendin Kombëtar të PD. Ai do të mbahet në 18 dhjetor dhe çdo tubim para tij nuk cënon legjitimitetin e institucioneve të PD.

Kjo është intervista e tretë në harkun e disa orëve të pasdites të kryetarit të PD, nënkryetares Duma dhe sekretarit Bardhi.

Bardhi shpjegoi qendrimet zyrtare të PD në një intervistë për Top Chanel. “Në 11 dhjetor në kullën e stadiumit Air Albania në Pallatin e Kongreseve apo në çdo vend tjetër, çdo person, qoftë ky edhe një edhe një deputet i Kuvendit të Shqipërisë ka të drejtën e tij për të thirrur një miting, por Kuvendi Kombëtar i PD-së mblidhet në datën 18 dhjetor ora 11.00 në Pallatin e Kongreseve. Ai është Kuvendi Kombëtar i PD-së, Kuvendi i demokratëve, ku çdo demokrat që e do PD-në, do që ta shikojë fituese PD-në, i do të mirën dhe mbron interesin e PD-së, do të marrë pjesë në Kuvendin e saj kombëtar të datës 18. Nuk besoj se mitingu i datës 11 do të mund të prodhojë ndonjë vendimmarrje apo çështje që do të duhet të kenë shqetësim institucionet legjitime të PD-së, aq më tepër që në datën 18 mblidhet Kuvendi dhe do të marrë të gjitha vendimet ndaj cilitdo që me veprimet apo mosveprimet e tij, me aktet apo aksionin e ndërmarrë, ka vendosur të dëmtojë interesin politik dhe elektoral të PD-së.”

Zoti Bardhi u pyet për nismën e deklaruar nga foltorja për një referendum që shkarkon kryetarin e PD. “Cilido është i lirë të shkruajë libra, të mbajë shënimet e tij, por këto shënime apo këto libra, nuk përbëjnë Kushtetutën e PD-së. Kushtetuta e PD-së miratohet dhe ndryshohet sipas një procedure të caktuar nga Kuvendi Kombëtar i PD-së që mblidhet më 18 dhjetor.”

Pyetjes sa delegatë kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Kuvendin e 18 dhjetorit, Sekretari i Përgjithshëm i PD iu përgjigj: “Dua t’ju siguroj që sipas informacioneve të përcjella nga secila degë e Partisë Demokratike, numri i anëtarëve pjesëmarrës në Kuvendin Kombëtar të datës 18 do të jetë më shumë se pjesëmarrja në Kuvendin e fundit të Kuvendit Kombëtar të PD-së, atë të datës 17 Korrik.”

A ka negociata për pajtim mes Bashës dhe Berishës? Numri 2 i PD shpjegoi pse përgjigja është negative. “Në këtë moment mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës ka interesa të ndryshme. Interesi i Lulzim Bashës është mbrojtja e interesit të Partisë Demokratike, mbrojtja e interesit të demokratëve, ndërkohë që nga ana tjetër, interesi i vetëm i Sali Berishës është mbrojtja e interesit të tij personal dhe përdorimi i partisë për një problem apo hall të tij personal. Në këtë mënyrë nuk mund të përputhen dy këto interesa, sepse interesi i demokratëve dhe i Partisë Demokratike do të duhet të prevalojë mbi çdo interes personal, qoftë ky edhe interesi personal i Sali Berishës.”

Gazment Bardhi përgënjeshtroi akuzat se Kryetari Basha është në procedim penal për çështjen “Toyota Yaris”. “Asnjë trillim apo shpifje e bërë për interesin e ditës, nuk mund të rrezikojë kryetarin e Partisë Demokratike. Lulzim Basha është personi që ka denoncuar aferën e “Toyota Yaris”, është ai që ka folur i pari lidhur me këtë çështje dhe nuk mundet që denoncuesi të jetë njëkohësisht edhe i proceduar. Dokumentat e publikuara sigurisht që bëjnë të qartë për thirrjen e Lulzim Bashës si dëshmitar. Lulzim Basha ka dhënë dëshminë e tij përpara autoriteteve belge. E çuditshme është që prokurorët belgë njoftokan Sali Berishën dhe nuk njoftojnë Lulzim Bashën mbi një çështje që mund të kenë nën hetim, kur do të duhet t’i marrin dhëshminë Lulzim Bashës. Kjo është diçka e çuditshme për të cilën do të duhet të japë shpjegime Sali Berisha.”

Në intervistën në Top Channel per gazetaren Elda Menga, Sekretari i Përgjithshëm i PD foli edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgedhjet dhe pasojat e këtij vendimi. “Për fat të keq, në vendimin e Gjykatës Kushtetuese nuk ka asnjë trajtim të thelbit të çështjes, pra nuk i ka dhënë zgjidhje, nëse zgjedhjet e 30 qershorit, ishin ose jo kushtetuese. Nuk ka legjitimuar Gjykata Kushtetuese 30 qershorin, thjesht ka evidentuar që Shoqata e Bashkive nuk mund të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese dhe do të duhej ta kishte vënë në lëvizje institucioni i Presidentit të Republikës. Dua t’ju siguroj që në çdo moment që do të ketë zgjedhje, PD ka burimet e mjaftueshme njerëzore për të patur jo vetëm një kandidat, por shumë kandidatë për secilën prej zonave.” r.p

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY