Në një intervistë për gazetën “Panorama”, anëtari i kryesisë së PD, Gert Bogdani ka shprehur dëshirën e tij për të kandiduar për bashkinë e Tiranës.
Bogdani ka shpjeguar se emri i tij ishte propozuar nga anëtarësia e Tiranës për të qenë kandidat për Bashkinë e kryeqytetit një vit më parë, kur u zhvillua procesi i selektimit të kandidatëve.
Ndërkohë, ai shprehet i gatshëm që nëse Basha do të mendonte njësoj si anëtarësia e Tiranës, të ndërmerrte sfidën për të rimarrë Tiranën.
Pyetje: Ndonëse nuk keni pasur një emërim qoftë në PD apo në Kuvend, ju keni qenë shumë aktiv në denoncimet për Bashkinë e Tiranës. E synoni ju z. Bogdani që në zgjedhjet e ardhshme lokale të jeni kandidati i PD-së për kryeqytetin? Do të punoni ju për një sfidë të tillë tashmë që keni edhe mbështetjen e Këshillit Kombëtar të PD-së?
Përgjigje: Sfida më e rëndësishme e radhës e Partisë Demokratike janë pa diskutim zgjedhjet lokale në tërësi e ato për Bashkinë e Tiranës në veçanti. Ka ardhur koha t’i jepet fund keqqeverisjes, sidomos asaj të kryeqytetit, që ka vështirësuar jetën e çdo qytetari, të djathtë e të majtë! Në këtë kuadër dhe duke marrë parasysh faktin se gjatë procesit të propozimeve nga baza pjesa më e madhe e anëtarësisë së Tiranës e kanë propozuar emrin tim për Bashkinë e Tiranës, nëse lidershipi i PD-së do ta vlerësonte të arsyeshme këtë gjë, pa diskutim që nuk do t’i thosha jo kësaj sfide.
Gjatë gjithë jetës sime, si politike ashtu dhe jashtë politikës, i kam pranuar gjithmonë sfidat, pavarësisht vështirësive të tyre, dhe kam punuar me përkushtim për t’ia dalë me sukses, me vizionin për një të ardhme më të mirë për çdo shqiptar! Në këtë rast përgjegjësia dhe detyra do të ishte edhe me e rëndësishme, sepse realisht Tirana meriton më shumë dhe është në një pikë në të cilën po shkatërrohet në çdo detaj. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/