Në kuadër të pjesëmarrjes në Forumi Ekonomik i Delphit, Kryeministri Edi Rama ka komentuar edhe çështjen e zonave ekskluzive ekonomike mes Shqipërisë dhe Greqisë, gjatë një bisede me Alexis Papahelas të gazetës Kathimerini.
Rama theksoi se procesi ka kaluar nga përplasjet politike drejt një rruge institucionale, duke kujtuar se marrëveshja e mëparshme u dërgua në Gjykatën Kushtetuese dhe tashmë ekziston dakordësi me palën greke për t’iu drejtuar Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Ai pranoi se çështja e Fredi Beleri krijoi vështirësi në marrëdhëniet dypalëshe, por nënvizoi se dialogu me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis ka mbetur i hapur dhe konstruktiv. Sipas tij, të dyja palët synojnë që brenda këtij viti të arrijnë një dakordësi për çështjet e mbetura pezull, përfshirë edhe ligjin e luftës.
Kryeministri u shpreh optimist se procesi është në rrugën e duhur dhe se ekziston vullnet i përbashkët për të mbyllur mosmarrëveshjet, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve miqësore dhe rolin e pakicave dhe emigrantëve si ura lidhëse mes dy vendeve.m.k
PYETJE-PËRGJIGJE/ Ka një diskutim midis dy vendeve sa i përket zonave ekskluzive ekonomike. Ka pasur një marrëveshje? Keni qenë kundër kur ishit në opozitë? Dhe pastaj në 2020-ën thatë që ishit gati të negocionit me Greqinë dhe ta çonit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Apo ndodh ndonjë gjë në këtë front apo?
Kryeministri Edi Rama: E vërteta është më e nuancuar. Nuk ishte që unë isha kundër kësaj, por pasi marrëveshja u bë publike, një personalitet i ushtrisë doli me një artikull të plotë mbushur përplot me kritika dhe kjo e ndezi mjedisin sepse nuk është vetëm këtu, nuk ndodh vetëm këtu që ka një reagim të menjëhershëm kur ka diçka që ka të bëjë me palën tjetër, por ndodh edhe atje.
Në atë kohë ne ishim në opozitë dhe unë thashë, ‘’dëgjoni, kjo mund të duket si një dhuratë e shkëlqyer që mund ta marrim, mund të shkojmë në parlament, mund të shkojmë të dalim në protesta e mund të thërrasim “tradhti”, por nuk është kjo ajo që duhet të bëjmë e që do të bëjmë, sepse nuk jemi kjo lloj partie, por në të njëjtën kohë nuk mund të rrimë duarkryq, ndaj do ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese dhe i takon Gjykatës Kushtetuese të vendosë’’.
Pra, e nxorrëm nga kjo ‘’fusha e futbollit’’ midis partive dhe ‘’tifozëve’’ dhe e çuam atje. Kështu funksionoi. Tashmë kemi një marrëveshje me qeverinë greke për të shkuar në Gjykatën Ndërkombëtare. Kështu do të bëhet dhe pastaj i takon gjykatës të vendos.
–Presim ndonjë lajm, ndonjë marrëveshje së shpejti në këtë front?
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, çështja Beleri krijoi disa vështirësi në marrëdhënien tonë. Nuk ka dyshim dhe kjo ishte një tjetër pasojë e paqëllimtë e asaj çfarë ndodhi. Por ajo çfarë ka qenë karakteristike në raportin tim me Kyriakos është që kemi qenë gjithmonë respektues të njëri-tjetrit dhe të hapur me njëri-tjetrin pa bërë teatër.
Unë e respektoj shumë për këtë. Kemi vendosur, vendosëm kohë më parë që nuk duhet t’i lëmë vendet tona që të ‘’përpihen’’ nga kjo lloj, nga këtë lloj zënkash, grindjesh sepse ndodhi diçka këtu apo ndodhi diçka atje. Ne duhet, që një herë e mirë të zgjidhim të gjitha çështjet që ka midis nesh dhe këtë po bëjmë.
Ambicia jonë është që të përfundojë brenda këtij viti dhe që vjeshtën e ardhshme, ne të deklarojmë që kemi dakordësi për të gjitha çështjet. Ministri Gerapetritis që është këtu dhe e përshëndes dhe admiroj vërtetë mënyrën e tij të hijshme. Është gjithmonë i hijshëm edhe në momentet më të vështira, ka një buzëqeshje të hijshme, një profesor i jashtëzakonshëm i së drejtës. Ai është angazhuar me ministrin tim të Jashtëm dhe jemi shumë besimplotë. Nga ana jonë nuk shohim çështje. Pra, për ne nuk ka asnjë problem për këtë çështje.
Natyrisht kemi çështjen ende të pazgjidhur të ligjit të luftës. Duam që të mos jetë, të ikë dhe nuk kemi probleme të tjera dhe kemi diçka që është një aset i madh për ne, që është pakica greke dhe po kështu diçka tjetër që është aset i madh i madh për ju, që janë qytetarët shqiptarë që jetojnë këtu, të cilët janë shumë e tashmë plotësisht të integruar. Kësisoj ju detyrohemi të dyja palëve për të pasur një raport miqësor.
-Pra, prisni që të ketë një rifillim për zgjidhjen e këtyre çështjeve?
Kryeministri Edi Rama: Jo jo, nuk pres rifillim sepse kemi rifilluar. Presim një fund, në fund të vitit. Të dy presim një përfundim në fund të vitit. Shpresojmë sepse nuk e dimë asnjëherë. Nuk i dihet kurrë çfarë ndodh në këtë botë. Nuk dihet kurrë se çfarë ndodh midis nesh. E shihni? Po përpiqem të tregoj kujdes për të mos bërë shaka me ju, pikërisht sepse nuk dua të trazoj këtë mjedis të paqtë që kemi krijuar.





