INTERVISTA/ Besnik Mustafaj: Si e shoh të ardhmen e PD dhe koalicionin...

INTERVISTA/ Besnik Mustafaj: Si e shoh të ardhmen e PD dhe koalicionin me LSI

87
0
Shares

Koha për të mësuar rikthimin e Besnik Mustafajt në politikë është fushata e zgjedhjeve të 2017-s. Deri atëherë, i duhet të zgjidhë dy dilema jo të vogla. Profilet e Berishës, Bashës, Ramës e Metës dhe çfarë do t’i sugjeronte kreut të PD-së për koalicionin e mundshëm me Ilir Metën.

Besnik Mustafaj e ndan kohën më të madhe në Priskë, pak kilometra larg Tiranës. I shkëputur qyshkur nga vija e parë e të qenit në politikë, ai i është avitur dilemës së tij të madhe për t’u rikthyer ose jo dhe nëse po, kur? Cilat janë dilemat e tij në raport me PD-në? Po me Bashën? Si e sheh sot PD-në pas shumë vitesh shkëputjeje? A i njeh ai ndonjë meritë Bashës këto tri vite opozitë? Për çfarë do ta këshillonte atë, nëse do t’i kërkohej? Si e sheh marrëdhënien Basha-Berisha? A duhet PD-ja të bëjë koalicion me Metën dhe çfarë përfaqëson ky i fundit në politikë? Cili është profili i Ramës dhe Berishës? Deri këtu, Besnik Mustafaj është i qartë me përgjigjet e tij teksa e pyesim në studion e tij të punës, në një vend të paqtë si Priska. Por ajo që Mustafaj nuk ka zgjidhur ende është idili i tij për letërsinë në raport me politikën. Cila do të mbizotërojë tjetrën në të ardhmen. Mustafaj nuk të jep dot një përgjigje sot. Thotë se ka kohë. Deri në fillim të fushatës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Z. Mustafaj, pak para pjesëmarrjes në një nga tubimet e zhvilluara në Dibër, kah Lulzim Bashës dhe Sherefedin Shehut, ju deklaruat se po shkonit atje sepse shihnit shpresë. Në fakt, a i plotësoi pritshmëritë tuaja ky takim…, më saktë, a gjetët shpresë?
Besoj se e gjeta shpresën dhe jo vetëm në kuptimin figurativ. Sepse në Pallatin e Sportit ku u bë mitingu i fushatës mund të kishte mbi 10 mijë veta dhe më shumë se 2/3-at ishin të rinj. Kjo më shtyu mua që t’iu drejtohem posaçërisht prindërve, pra brezit tim, duke u thënë që, ndiqni rininë, sepse rinia nuk shitet, rinia nuk trembet, rinia guxon dhe në këtë kuptim shpresa ka nevojë për guxim. Unë besoj se pashë atje shenja të qarta shprese.

Shpresë e frymëzuar më shumë nga Basha, apo e diktuar nga rinia për të ndryshuar realitetin?
Shpresa është domosdoshmëri për shoqërinë shqiptare. Shoqëria është zhytur në dëshpërim të madh, në një depresion dekurajues duhet thënë. Mua nuk më pëlqen që këtë shpresë ta identifikoj me protagonistë të caktuar. Por, për rastin konkret që ju më pyesni, pra në Peshkopi, me aq sa pashë unë, shpresa ishte e rreshtuar rreth opozitës. Sepse opozita aty udhëhiqte procesin politik. Dhe nëse ata nuk do të donin të ishin aty, nuk do të shkonin. Në fund të fundit pa udhëheqjen politike nuk do të ishte ai miting.

Ju u rikthyet dukshëm në një miting elektoral që kësaj here rastisi me bashkinë Dibër. Përpos miqësisë që ju keni me z. Sherefedin Shehu, a patët ndonjë ngacmim më shumë për të kuptuar sot se si ndihesh në një ambient të tillë politik pas disa vitesh shkëputjeje edhe pse krah njerëzve që ke qenë dikur?
Nuk mund të them se nuk pata emocione. Pata shumë emocione, pavarësisht nga motivi fillestar, që ishte kryesisht për të mbështetur Sherefedin Shehun, sepse besoj te personaliteti i tij. Shehu më duket një politikan i përshtatshëm për të menaxhuar Dibrën në këtë situatë, më duket njeri me përvojën e mjaftueshme në politikë, por edhe ekonomist shumë i zoti dhe i provuar për pasojë në të dyja dimensionet e tij. Ai është gjithashtu me integritet të lartë moral. Një njeri që ka hyrë dhe ka punuar me vite në Ministrinë e Financave e ka dalë prej saj pa njolla. Kjo nuk është e shpeshtë në realitetin shqiptar. Unë doja ta mbështesja këtë kandidaturë në shenjë miqësie ndaj Sherefedinit dhe në shenjë simpatie që kam për Dibrën, me të cilën kam lidhje familjare sepse unë gruan e kam dibrane. Por doja të shihja pak edhe sa e kishte marrë veten PD-ja, sa e aftë ishte ajo…

A e ka marrë veten, sa e aftë t’u duk PD-ja?
Po nisur nga shembulli i Dibrës, nuk më duken keq punët. Më duken mirë.

A do të doje të krijoje një tablo më të plotë për PD-në, për shembull duke shkuar edhe në takime të tjera?
Tani për tani nuk ka ndonjë fushatë të afërme…

Flas për takimet partiake…
Kjo mbetet për t’u parë.

Nga cilat rrethana?
Dua të sqaroj se nuk jam larguar asnjëherë nga PD-ja. Pra kam qenë anëtar i PD-së i deklaruar. Unë kam bërë shumë shkrime ku edhe e kritikoj PD-në dhe lidershipin e saj, por gjithnjë nga pozitat e një demokrati që kërkon rimëkëmbjen e shpejtë të PD-së, modernizimin e saj në mënyrë që t’i përballojë sfidat e kohës. Në këtë kuptim, nuk bëhet fjalë për rikthim te PD-ja sepse aty kam qenë. Ka vetëm herë pas here dalje në vijën e parë sepse unë kisha ikur nga vija e parë…

Do t’ju shohim së afërmi në vijën e parë ashtu si në Dibër, a ju ka propozuar diçka konkrete z. Basha sepse zgjedhjet nuk janë larg?
Z. Basha më ka ftuar në mënyrë të përsëritur që të bashkohem me aktivitetet e PD-së. Nuk është kjo që më ka munguar. Më ka munguar vetëm predispozita ime.

Jeni shprehur disa herë se jeni në një periudhë reflektimi në raport me kthimin në politikë. A i keni vënë vetes një afat, se deri kur?
Ashtu si ju, edhe në Dibër më pyetën shumë demokratë kureshtarë se cili do të jetë vazhdimi im. Dhe unë u thashë se, koha nga tani deri në fillimin e fushatës elektorale është një kohë reflektimi për mua. Pra është një kohë e mjaftueshme që unë të marr një vendim se si do të veproj. Kjo është e vërteta.

Në këtë periudhë reflektimi, cilat janë dilemat e tua në raport me rikthimin në PD?
Dilemat janë vetëm të miat. Pra nuk lidhen shumë me të tjerët. Në një aspekt më të përgjithshëm mund t’ju them se një nga arsyet është se do të doja të dija sa i dobishëm jam, ose sa mund të jem i dobishëm realisht në politikë e jo thjesht për të vënë një tullë në një mur që synohet të ngrihet. Pastaj unë kam edhe dilemat e mia të vjetra se kujt do t’ia jap kohën që kam. Do t’ia jap letërsisë apo politikës. Unë nuk mund të gjej një ekuilibër midis të dyjave, sepse unë jam një njeri që kur i marr gjërat përsipër i bëj maksimalisht, nuk i bëj përgjysmë kështu që duhet zgjidhur edhe kjo dilemë.

Deri tani dilema është në favor të letërsisë apo politikës?
Deri tani kjo dilemë është në favor të letërsisë. Kandari peshon nga letërsia ende.

Po në raport me Bashën a keni ndonjë dilemë?
Basha është një lider legjitim në PD. Unë këtë e kam thënë gjithnjë. Basha është një lider që po piqet. Unë nuk besoj se Basha e ka arritur maksimumin e vet. Por prirjen e ka për t’u pjekur mirë për të arritur ato standarde që i duhen një lideri me një parti dhe histori të madhe siç është PD-ja.

Sipas jush, cili është bilanci i Bashës, a i njihni ndonjë meritë këto 3 vite opozitë?
Po i njoh 2-3 merita shumë të veçanta në këtë periudhë qëndrimi në opozitë. Basha bashkë me Mediun janë nismëtarët e ligjit për dekriminalizimin. Kurrë një opozitë shqiptare nuk ka arritur një fitore kaq të rëndësishme për realitetin politik të vendit, për institucionet e vendit sa ç’ishte ligji për dekriminalizimin. Pra në këtë kuptim ndërmarrja e një nisme të tillë, këmbëngulja për ta çuar deri në fund, thyerja e rezistencës aq e madhe që ishte nga ana e mazhorancës kundër këtij ligji, krijimi i një mbështetjeje të madhe ndërkombëtare për këtë ligj tregojnë një kapacitet lidershipi te Basha, të jemi realistë. Berisha kurrë në opozitë nuk ka arritur që të ketë një fitore të tillë si opozitar, Rama kurrë nuk ka arritur një fitore të tillë si pjesë e opozitës, Nano po ashtu. Pra, ky është një sukses për vetë vendin. Me ligjin për dekriminalizimin opozita i bëri një shërbim shumë të madh vendit dhe në këtë shërbim shumë të madh Basha tregoi shenja shumë të mira.

Duket si pyetje e përsëritur por a po përpiqet Basha që të krijojë lidershipin e tij, i shkëputur nga ndikimi i Berishës?
Unë nuk i di marrëdhëniet e tyre.

Aq sa duket nga aktet politike…
Aq sa duket, më shumë dëgjohet dhe flitet shumë. Por ditën e parë që Basha është bërë kryetar i partisë, unë i kam bërë thirrje atij që t’i tregojë kufirin Sali Berishës. Sepse pjekuria e tij, rritja e tij nuk mund të jetë nën hijen e Berishës. Kjo është e sigurt. Miq të mi parlamentarë apo edhe të rrethit në PD më thonë që nuk është e vërtetë se ka shumë ndikim Berisha, ndërkohë që nga jashtë krijohet perceptimi se ka shumë. Unë personalisht nuk e di se ku është e vërteta.

As në marrëdhënien e krijuar me Bashën nuk e ke gjetur të vërtetën?
Nuk është se takohem çdo ditë me Bashën. Jam takuar 3-4 herë gjatë një viti. Nuk është se takohem shumë shpesh me të.

Jo, por besoj se brenda takimeve ka pasur dhe një shkëmbim
mendimesh dhe tezash mbi profilin e Bashës?
Unë bëj një jetë të veçuar dhe në këtë kuptim unë nuk e di se çfarë realisht ndodh midis tyre. Por nisur nga ajo që pyetët sa më sipër unë edhe publikisht edhe privatisht i kam kujtuar Bashës shembullin e (Angela) Merkelit, e cila ka qenë “delfine” e Helmut Kolit. Ai e paracaktoi si të thuash si pasardhësin e tij ndryshe nuk do të mundej kurrë që një parti konservatore me rrënjë të thella në politikën gjermane dhe evropiane siç është CDU t’i imponohej për herë të parë një grua dhe për më tepër që vinte nga Gjermania Lindore. Por Merkeli që javën e parë i vuri kufirin Kolit pa u rritur aq shpejt. Pra nuk kam një gjykim në këtë rast, por kam një këshillë për të. Që vërtet t’i qartësojë marrëdhëniet e lidershipit. Ai është lideri i PD-së dhe jo Berisha.

Folët për meritat e Bashës në opozitë, megjithatë merita e një lideri shihet edhe në sa i aftë është ai për të sjellë opozitën në pushtet. Në këtë drejtim, Basha ka filluar një riorganizim të së djathtës. A keni ndonjë koment në këtë përpjekje?
Unë besoj se Basha ka vullnetin për të krijuar një koalicion sa më të gjerë të mundshëm. Të afrojë të gjithë rrymat dhe korrentet opozitare. Vullnetin dhe dëshirën besoj se e ka. A ka kapacitetin, kjo mbetet për t’u provuar. Sepse, që të tjerët të bashkohen rreth partisë së madhe do të duhet që të besojnë te lideri i kësaj partie, duhet që ky të ndërtojë marrëdhënie kolegjialiteti të vërteta, duhet të ndërtojë bashkëpunim të vërtetë. Kjo mbetet për t’u provuar dhe tani është koha kur duhet të shfaqen këto cilësi përndryshe do të shkojmë në një koalicion të cunguar.

Megjithatë, Basha po e hedh vështrimin edhe nga Ilir Meta nisur nga intervista e fundit që ai dha. A mendoni se është domosdoshmëri një koalicion me Metën për të ardhur në pushtet, apo duhet të prevalojë koalicioni i djathtë?
Politika është art dhe shkencë. Pra, duhen marrë parasysh eksperiencat që ekzistojnë edhe për koalicione të kësaj natyre. Unë e kam thënë që të nesërmen e intervistës së Bashës që atë e shoh si një lider që po teston të gjitha horizontet. Por nuk e shoh të qartë se cili është koncepti i tij për koalicionin e ardhshëm. Nëse ai bën një koalicion me Metën, atëherë ky do të jetë koalicion pa ngjyrë, por një koalicion anti-Rama dhe kjo është një formulë që ekziston. Por Shqipëria mendoj unë ka nevojë për një koalicion me një program të qartë të qendrës së djathtë liberale në mënyrë që të dalë nga depresioni ekonomik, llumi i drogës ku është zhytur dhe shumë sëmundje të tjera të rënda që po e brejnë Shqipërinë e sotme. Në eksperiencën e 10 viteve të fundit ku Evropa është shkundur nga kriza shumë të mëdha ekonomike, vendet që nuk janë prekur nga kriza janë ato që janë qeverisur nga e djathta, si Gjermania apo Britania e Madhe. Vende që u prekën me rëndë, Spanja dhe Irlanda dolën nga kriza deri diku kur ranë në duart e të djathtëve. Dy vende që nuk po dalin dot si Italia dhe Greqia po qeverisen nga të majtët. Pra programet ekonomike të së majtës dhe mënyra e të bërit politikë të së majtës kanë treguar se nuk janë në gjendje që ta nxjerrin vendin të paktën nga kriza aktuale, sepse në histori ka periudha kur e majta edhe ka shkëlqyer. Prandaj sot përballë sfidave që ka Shqipëria unë besoj se një program i djathtë i ndërtuar mirë, realist, mobilizues dhe që jep shpresë do të ishte zgjedhja më e mirë dhe që shqiptarët do ta kuptonin.

Pra një koalicion me Metën nuk e përmbush këtë gjë?
Një koalicion me Ilir Metën nuk mund të ketë një program 100% të djathtë sepse Meta do të jetë partia e dytë e koalicionit dhe për pasojë do të ketë peshën e saj në program.

I referohem intervistës së fundit të Bashës kur tha se PD-ja është për koalicion vlerash. Me Metën dhe LSI-në a është PD-ja në koalicion vlerash apo jo?
Varet se çfarë do të quajmë vlera. Unë nuk dua të diskutoj një hipotezë…

Për Bashën ky ishte kusht, pra PD-ja për një koalicion vlerash…
Ai e kishte fjalën për vlera opozitare nëse i bashkohen të gjithë. Por nuk besoj se është momenti që unë t’i bëj biografinë Ilir Metës dhe realisht nuk e ndiej të nevojshme. Nëse unë do të isha këshilltar i Bashës në momentin që bën koalicion unë do t’i thoja që duhet të bënte një koalicion të qëndrës së djathtë, pra që nuk presupozon Metën.

Thuhet se politika është e njëjtë prej mijëra vitesh. E parë nga distanca e 8 viteve, kjo e sotmja si ju duket?
Për mua politika sot për sot është teatrale, artificialisht shumë konfliktuale. Një tension që nuk buron nga graviteti i problemeve, por nga karakteri i protagonistëve. Le të shohim për shembull Edi Ramën. Rama është një njeri i ngopur me veten, një arrogant por edhe burracak. Rasti më i fundit ishte dy ditë më parë. I bëri një pyetje një gazetare në Bruksel dhe në prezencë të Mogerinit dhe komisionerit Hahn nuk bëri koment. Sapo erdhi në Tiranë, ai iu vërsul si burracak duke e keqtrajtuar atë me një fjalor që nuk i shkon. Pra, kjo tregon motivimin që ka ai dhe mjedisin që do të krijojë ai për të bërë pastaj protagonistin e madh. Kështu që në këtë kuptim ambienti politik është ndotur për shkak të protagonistëve dhe jo aq për shkak të problemeve.

Dakord, por edhe Berisha nuk e ngre pak tensionin…
E shoh përballë Ramës në këtë lloj tensioni. Berisha është një njeri i aftë që të barazojë gjërat që nuk kanë asgjë të përbashkët. Ai bëri denoncimet për Shullazin. Një veprim tmerrësisht kurajoz dhe i çmuar për vendin. Por fill pas kësaj doli dhe iu bëri thirrje shqiptarëve që të armatosen për të mbrojtur veten. Pra, në këtë kuptim ai nuk di ta nxjerrë në pah kontributin e vet, sepse e rrëmben edhe atë protagonizmi njësoj si Ramën dhe bën pastaj zhvlerësimin e vetvetes në mënyrë sistematike.

Meta…?
Meta është më i përmbajtur. Ai vepron shumë më tepër prapa kuintave, sesa në sipërfaqe. Unë besoj se ai është shumë i kënaqur nga përplasjet Rama-Berisha.

Basha…?
Basha është jashtë Kuvendit dhe nuk kemi rast që ta shohim shpesh, sepse ose do të flasë nga selia e PD-së ose në deklarata në Facebook. Ai nuk është aty ku janë ballë për ballë protagonistët dhe ku është realisht vatra e vërtetë e tensionit politik që krijohet, pra në Kuvend. /Mapo/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY