Kryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj iu përgjigj pretendimeve të Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llallës, se ka një ngërç institucional në punën e prokurorisë, pas ndryshimeve kushtetuese. Xhafaj tha se prokurorët duhet të vazhdojnë punën për dosjet që hetojnë zyrtarët e lartë, pasi kjo e drejtë nuk iu është shfuqizuar.
Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë i përgjigjet kryeprokurorit Adriatik Llalla, për shqetësimet e këtij të fundit, i cili pretendoi për ngërç institucional që pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të reja Kushtetuese.
Sipas kësaj letre, 6-faqwshe, Xhafaj ka renditur në disa pika argumentet e tij, ku në të gjitha rastet i kërkon kryeprokurorit Llalla të lexoj dhe t’i referohet Kushtetutës dhe neneve të saj, pasi në asnjë rast nuk ka nevojë për dispozita transitore për funksionimin e organit të akuzës. Xhafaj argumenton se ndryshimet e reja në asnjë rast nuk kanë parashikuar ndërprerjen e funksionit të një institucioni, por përkundrazi Kushtetuta i jep të drejtën e vazhdimësisë së punës.
“Aktualisht, pas ndryshimeve kushtetuese, janë ende në fuqi ligji për Gjykatën Kushtetuese, për Gjykatën e Lartë, për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, për Prokurorinë etj. Mbi këto rregullime ligjore ekzistuese, organet e përmendura po vazhdojnë të ushtrojnë funksionin e tyre. Të gjithë këto ligje do të vijojnë të zbatohen prej këtyre organeve, derisa ato të shfuqizohen. Edhe ligji ‘Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në RSH’, është ende në fuqi. Mbi këtë ligj janë duke ushtruar kompetencat kushtetuese e ligjore nga Prokurori i Përgjithshëm e deri te prokurori më i ulët”.
Sa i përket pretendimeve të kryeprokurorit Llalla për mungesën e bazës ligjore mbi të cilat prokuroria duhet të ushtroj funksionet e saj pas ndryshimeve kushtetuese, Xhafaj i përgjigjet ndër të tjera edhe me pyetje, mbi cilin ligj po e kryen aktualisht veprimtarinë e tij ky institucion kushtetues? Në letër thuhet se përderisa kushtetutë-bërsi nuk e ka parashikuar periudhën transitore, Prokurori i Përgjithshëm në bazë të Kushtetuese vazhdon punën e tij deri sa ligjet të shfuqizohen.
“Asnjë organ kushtetues ose edhe funksionar i këtyre organeve nuk përfundon së ushtruari kompetencat ose mandatin e tij, me të cilin është ngarkuar, në datën e hyrjes në fuqi të amendamenteve kushtetuese. Nëse për ndonjërin prej tyre organeve, kushtetutë-bërësi do kërkonte të ndërpriste vazhdimin e ushtrimit të funksionit, atëherë do e parashikonte shprehimisht. Për të gjithë organet kushtetuese, në kompetencat e të cilëve janë bërë ndryshime të pjesshme ose të plota, Kushtetuta nuk pengon vazhdimësinë”.
Këtë argument, Xhafaj e cilëson edhe te rasti, kur prokurori i përgjithshëm pretendon se është në ngërç institucional për dosjet e korrupsionit ndaj zyrtarëve të lartë deri në krijimin e SPAK-ut apo transferimin e dosjeve hetimore nga prokuroria për krime të rënda në institucionin e posaçëm hetimor.
“Në rast se Kushtetuta do synonte që këtë kompetencë, për periudhën transitore, t’ia kalonte një organi të ndryshëm nga prokuroria, do e kishte parashikuar shprehimisht. Kushtetutë-bërësi nuk ka parashikuar ndonjë organ tjetër, sepse nuk ka qenë e nevojshme ta bëjë një gjë të tillë. Kuptimi që ka neni 148 i Kushtetutës, i cili përcakton prokurorinë dhe asnjë organ tjetër ‘që ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në gjyq’, heq shqetësimin e Prokurorit të Përgjithshëm për kryerjen e këtyre funksioneve nga ndonjë organ tjetër”.
Kreu i komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në sistemin e drejtësisë e mbyll letrën me një mesazh, duke kërkuar nga prokurorët të kryejnë detyrën me profesionalizëm dhe të largohen nga veprimet abuzive dhe korruptive gjatë kësaj periudhe transitore.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/