Partia Demokratike deklaroi sot se rruga Korçë-Ersekë prej 4 kilometrash është tenderuar me gati 5-fishin e kostos dhe është fituar nga miqtë e Edi Ramës, Ndue dhe Agim Kola.
Ervin Minarolli tha sot se PD e paralajmëroi 10 ditë më parë fituesin dhe se 4 kilometra rrugë do të kushtojnë 20 milionë euro, në vend që të kushtonin 4 milionë euro.
Sipas PD, kjo është një vjedhje e pastër, si në çdo rrugë që ka tenderuar kjo qeveri.
“Kompania me lidhje direkte me Edi Ramën, e ka fituar këtë tender pothuajse me vlerën maksimale të fondit të shpallur, thënë ndryshe me 98% të fondit limit. Skema e korrupsionit është fare e qartë.
Qeveria hap tenderin 20 milionë euro 4 kilometra. Miqtë e kryeministrit marrin pjesë në garë, paraqesin ofertën më të lartë dhe fitojnë në një garë fiktive, pasi kompanitë e tjera pjesëmarrëse kanë mungesë dokumentacioni.
Kjo është një praktikë korruptive, e kthyer ne norme nga kjo qeveri. Tenderi paracaktohet dhe kompanitë e tjera garojnë në mënyrë fiktive.
Me Edi Ramën kryeministër gara për tendera nuk ekziston. Gjithçka është e paracaktuar përmes korrupsionit. Segmenti i parë i rrugës Korçë – Ersekë ka nisur ndërtimin që në vitin 2012. E gjithë rruga ishte projektuar me 1 milionë euro kilometri, por në muajt e fundit në pushtet, qytetarët po zhvaten me babëzinë më të madhe dhe 4 kilometra kushtojnë 20 milionë euro. Me kaq shumë parà, mund të ndërtohej e gjithë pjesa e mbetur e rrugës”,-shprehet Minarolli.
/DRONI.al/
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/