Gjermania u mohon vizat studentëve të huaj, por nuk ka vend për...

Gjermania u mohon vizat studentëve të huaj, por nuk ka vend për alarm

109
0
Shares

Studentët e huaj në Gjermani këtë semestër, kurset e të cilëve janë vetëm në internet nuk do të marrin viza për shkak të pandemisë, konfirmoi qeveria. Por nuk ka asnjë shkak për t’u alarmuar për shumicën e studentëve.

Më shumë se 80.000 studentë të huaj u larguan nga Gjermania deri në prill, kur u mbyllën sallat e leksioneve dhe bibliotekat për shkak të bllokimit prej virusit Corona.  Kur kufizimet e udhëtimit dhe rregullat e brendshme u lehtësuan gradualisht, shumë shpresuan se pas verës gjërat do të ktheheshin në normalitet. Por një njoftim i qeverisë gjermane ka hedhur dyshime mbi statusin e vizave të studentëve.

Studentëve nga jashtë Bashkimit Evropian tani u kërkohet të marrin një “çertifikatë të pranisë” nga universiteti i tyre gjerman për të qenë në gjendje të aplikojnë për vizë. Por pandemia do të thotë se disa kurse po i kalojnë studimet e tyre tërësisht në internet.

“Studentët e huaj që mund të dëshmojnë se studimet e tyre nuk mund të kryhen plotësisht nga jashtë, për shembull, për shkak të frekuentimit të detyrueshëm, mund të hyjnë në Gjermani për të filluar studimet e tyre,” thuhet në një deklaratë të Ministres së Arsimit Anja Karliczek. “Por hyrja e atyre që studiojnë përmes internetit ose me korrespondencë nuk do të lejohet.” Njoftimi vjen rreth dy muaj para fillimit të të ashtuquajturve semestra dimri në Gjermani.

Duke i bërë jehonë Trumpit

Njoftimi kujtoi planin jetëshkurtër të Presidentit amerikan Donald Trump për të bërë të njëjtën gjë për nxënësit në internet në SHBA. Qeveria e Trumpit u tërhoq me të shpejtë në korrik, pasi plani u prit me zemërim të pafshehur.

Kur Trumpi u tërhoq, Ministrja e Arsimit e Gjermanisë Karliczek e përshëndeti vendimin me ngrohtësi.

“Arsimi dhe kërkimi mbijetojnë për shkak të shkëmbimit, veçanërisht të shkëmbimeve ndërkombëtare. Kjo është e vërtetë edhe në kohën e një pandemie,” tha ajo në korrik. Kritikët thonë se Karliczeku tani po ua mohon studentëve të huaj në Gjermani këtë mundësi për të përjetuar një shkëmbim.

“Kur pranoheni në një kolegj në Gjermani, ata duhet t’ju japin vizë,” thotë Kumar Ashish nga Bashkimi Federativ i Studentëve Ndërkombëtarë në Gjermani. “E njëjta gjë si në SHBA – është e drejta e studentit, kur e ka marrë vizën, që askush nuk mund t’ia mohojë”.

Nuk ka arsye për alarm

Numri i personave të prekur nga rregullat mbetet i paqartë, pjesërisht për shkak të zhvillimit të panjohur të pandemisë. Por, siç qëndrojnë gjërat, numri i kurseve me prani fizike, që janë kthyer në kurse vetëm në internet është shumë i vogël, sipas Michael Flacke nga Shërbimi i Shkëmbimit Akademik.

“Për semestrin e dimrit, universitetet gjermane po planifikojnë një kombinim të orëve në internet dhe atyre me prani fizike, dhe për këtë “kombinim” studentët e huaj nga jashtë BE lejohen të vijnë në Gjermani,”shpjegoi Flacke

Shumica e kurseve nuk planifikojnë të kalojnë tërësisht në internet, tha Flacke. Pjesëmarrësit e kurseve që kanë qenë gjithnjë vetëm studentë interneti, nga jashtë BE, nuk kanë pasur kurrë të drejtë të marrin viza studentore.

“Sigurisht që tashmë ju mund të studioni në një universitet gjerman ose kolegj në internet që nga jashtë – gjë që funksionon shumë mirë në Gjermani – por për momentin për një kurs që ofrohet vetëm në internet në Gjermani, normalisht nuk jepet asnjë vizë”, theksoi ai.

Për ata studentë që janë regjistruar aktualisht në një kurs i cili është një kombimin i orëve në internet dhe atyre me prani fizike, Flacke këshillon të siguroheni që zotëroni një “çertifikatë pjesëmarrjeje” sa më shpejt të jetë e mundur.

Por kur në horizont janë si kërcënim shumë real mbyllje të reja dhe kufizime udhëtimesh, Flacke është ndër ata që këshillojnë kujdes për studentët ndërkombëtarë që planifikojnë të vijnë në Gjermani këtë tetor./DW

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY