“Biznesi në Pogradec në gjendje të vështirë”, Basha: Qeveria ndau më pak...

“Biznesi në Pogradec në gjendje të vështirë”, Basha: Qeveria ndau më pak se 10 euro/banorë, nuk i afrohemi as Kosovës

99
0
Shares

Gjendjen shumë të vështirë të bzineseve të vogla dhe të turizmit në Pogradec, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e përcolli përmes një biznesi familjar me produkte bulmeti. Familja kishte marrë kredi, por, siç tha pronari i biznesit, Artan Ibi, është bërë shumë e vështirë ta paguash, pasi konsumi ka rënë shumë dhe xhiro është përgjysmuar.

“Unë varem nga konsumatori nga populli. Populli e ka buxhetin gati zero. Nuk rrohet vetëm me pensionin si rrojnë shqiptarët. Xhiro ka rënë shumë. Jo ka rënë, po ka rënë në gjysmë. Punojmë 17 orë në ditë, pa asnjë ditë pushim, por shitja ka rënë shumë dhe e kam të vështirë ta paguaj kredinë. Që të mos kem vonesa, detyrohem t’u vonoj paratë fermerëve e t’u hyj në hak.”– tregoi vështirësitë e tij pronari i biznesit me një përvojë më shumë se 30 vjeçare.

MESAZHI I PLOTË I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE NGA POGRADECI

E thënë thjeshtë nga goja e një zanatçiu të vjetër, një sipërmarrësi si Artani, ky është zinxhiri i ekonomisë. Kur bie fuqia blerëse, bie qarkullimi, bie shitja e këtij biznesi të vogël dhe sipërmarrësi vihet në vështirësi të shumëfishta, siç u tha. Vështirësia e parë, nuk paguan dot kredinë, vështirësia e dytë, nuk paguan dot mallin që u merr fermerëve. Imagjinoni fermerët – i kemi takuar për dy javë me radhë në zona të ndryshme të Shqipërisë – mëqoftëse nuk janë në gjendje të marrin as paratë e produkteve që shesin dhe pastaj, ata që ua tërheqin prodhimin, siç janë zotëria në fjalë, përpunuesit dhe baxhot e tjerë, nuk kanë as para për t’u dhënë…Kjo është kriza ekonomike, kriza që e ka burimin tek dështimet e njëpasnjëshme dhe keqalokimet e financave publike.

Dje, siç e patë isha në një bisedë, në një vizitë të kryeministrit të Kosovës, i cili është dhe një nga ekonomistët më të shquar të Ballkanit, Doktor i Shkencave Ekonomike, në një nga Universitetet më të njohura të Britanisë së Madhe, i cili më prezantoi me detaje në takimin që pata, planin e tij për të ndihmuar ekonominë e Kosovës. 400 milionë euro paketë për të ndihmuar konsumin dhe sipërmarrjen. Paratë dhe taksat e kosovarëve, qytetarëvë të Republikës së Kosovës, të cilat do të derdhen për të ndihmuar në rradhë të parë konsumin dhe në rradhë të dytë për të ndihmuar sipërmarrjen dhe vitin tjetër kjo paketë do të jetë 1.2 miliardë euro .

Tani shikoni se ç’ka bërë thesari i shtetit i Republikës së Shqipërisë me 100 vjet shtet më të vjetër. Ka shpërndarë deri para një jave 90 milionë euro për mbi 3 muaj karantinë, që i bie më pak se 10 euro për shqiptarët, megjithëse buxheti i Shqipërisë është sa dyfishi i buxhetit të Kosovës, sepse paratë, në vend që të shkojnë tek njerëzit në nevojë, të ndihmojnë konsumatorin dhe, po u ndihmua konsumatori, ndihmohet biznesi, ndihmohet fermeri, fillon funksionon i gjithë zinxhiri i ekonomisë, paratë i mbajnë një grusht njerëzish. Jane paratë tuaja.

Ky është ndryshimi i parë që duhet të vijë, ky është ndryshimi i parë që do të vijë me qeverinë e ardhshme. Ne do të jemi në krahun e njerëzve të thjeshtë, ne do të jemi në krahun e atyre, xhepat e të cilëve janë zbrazur, janë shumica dërrmuese e shqiptarëve sot. Ne do të jemi në krahun e biznesit të vogël, do të jemi në krahun e fermerëve, të biznesit prodhues.

Prioriteti im i parë dhe kryesor do të jetë ringritja ekonomike sepse gjithçka që ka shkuar keq në këtë vend nuk është e rënë nga qielli, por është pasojë e politikave të gabuara, e dështimeve dhe klientelizmit, e një Shqipërie që punon për 5 veta.

Shqipëria s’mund të jetë e 5 vetave. Shqipëria duhet të jetë e të gjithë shqiptarëve dhe këtë kemi parasysh me taksën e sheshtë 9% për biznesin mbi 140 milionë, me taksën 0.5% të xhiros për të gjithë biznesin e vogël nën 140 milion lekë. Asnjë tatim, asnjë taksë tjetër, të punojnë lirisht.

Këtë kemi parasysh me karantinën e inspektorateve vitin e parë të qeverisjes sime të ardhshme. Një vit karantinë do të thotë nuk do të shikojnë inspektorë me sy derisa ne të kemi ligjin dhe zbatimin e ligjit në nivele europiane. Në asnjë vend të Europës nuk vjen inspektori sa hap qepenin e derisa mbyll qepenin, tatimorja, ambjentalisti, higjenisti t’i bëjë terror biznesit.

Këto janë hapa të domosdoshëm për të stabilizuar ekonominë dhe situata sot në Pogradec tregon qartë sesa urgjente janë këto hapa.

Natyrisht, Pogradeci mbetet një nga qytetet më të bukura të Shqipërisë. Liqeni i Pogradecit është një mrekulli e vërtetë, plazhet janë të bukura, njerëzit janë të jashtëzakonshëm, mikpritja pogradecare është legjendare. Kam filluar të vij në këtë qytet që 10 vjeç me babanë tim dhe, më vonë, edhe me familjen dhe-ne jemi mikpritës si natyrë kudo-por mikpritja pogradecare është legjendare.

Ndaj, le të bëjmë gjithçka për të ndihmuar këta njerëz, për të ndihmuar turizmin, për të ndihmuar rritjen e numrit të pushuesve, të cilët, padyshim, rrisin edhe numrin e bizneseve, që kanë xhiro më të lartë, sepse, siç e tha edhe Artani, kur vijnë pushues, kur rritet numri i pushuesve, pa diskutim, rritet dhe xhiro dhe këtë e ndjen biznesi këtu, e ndjen fermeri, e ndjejnë të gjithë.

/DRONI.al/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY