‘Lajmi më i keq nuk është më koronavirusi, por përgjigjia e Ramës’

‘Lajmi më i keq nuk është më koronavirusi, por përgjigjia e Ramës’

114
0
Shares

“Përgjigjia e djeshme e kryeministrit, tutje lajmeve trishtuese të koronavirusit që nuk di të ndalet, ishte lajmi më i keq i mundëshëm për tu përballur siç duhet me këtë krizë”.

Kështu shprehet Eno Bozdo nga Partia Demokratike, i cili shprehet se kryeministri eshte treguar i nxituar.

Dje, propozimeve te kryetarit të opozitës për një paketë të mirëmenduar (gjithsesi aspak luksoze) ekonomike dhe sociale, kryeministri i nxituar iu përgjigj me një refuzim të plotë. Ai i kundërshoi propozimet e opozitës si “…kërcënuese të stabilitetit ekonomik afatgjatë dhe dëmtuese të interesave të brezave që do të vijnë…”,-shprehet ai.

Sipas tij, tingëllon shumë ironik ky argument nga goja e kryeministrit që ka lidhur dhjetëra kontrata korruptive afatgjata PPP për 25 vitet e ardhshme, duke thelluar borxhin publik në nivele të papërballueshme dhe duke vënë realisht në rrezik të madh prosperitetin ekonomik të vendit për të paktën dy dekadat në vazhdim.

Është edhe më shumë ironike të mendosh se ndërsa ai, kryeministri, do të duhej të ishte personi i parë i interesuar të kishte dakordësinë e opozitës konservatore (madje mbështetjen e saj të fortë) për një ndërhyrje të madhe në ekonomi nëpërmjet për interesa të ulta bankare, garantim kredish nga shteti, reduktimit apo zerim të taksave dhe kontributeve, për një ndërhyrje-ndihmë shtetërore të fortë dhe të gjithanëshme, për çudi (për idiotësi do të thoja) është personi i parë që e kundërshton atë menjëherë, pa menduar aspak!

Në Itali, Francë, Greqi, SHBA, Spanjë, Britani, paketat e propozuara dhe që tashmë po fillojmë të implementohen janë shumë më të gjëra dhe mbulojnë shumë më tepër sektore se ato që Basha propozoi dje. Ka një arsye për këtë: Basha është treguar shumë i matur (aspak i ekzagjeruar) në propozimin e tij duke njohur mjaft mirë mundësitë ekonomike të kësaj qeverie. Basha jo vetëm i dha dje propozime të gatshme kryeministrit, por ajo që është më e rëndësishmja, i dha dje në të njëjtën kohë mbështetjen e tij morale për të implementuar këto masa, pavarësisht faktit se masat do të jenë një sforcim i madh për ekonominë tonë anemike. Më shumë mbështetje se kaq asnjë kryeministër nuk mund të presë.

Po cfarë po bëjnë vendet e tjera:
Në itali, Dekreti (Decreto Salva Economia) parashikon:
a. pezullim të të gjitha detyrimeve fiskale të ndërmarrjeve dhe individëve,
b. pezullim te detyrimeve te kredisë për ndërmarrje dhe individë;
c. akses të menjëhershmë në kredi të buta (të siguruara pjesërisht nga shteti) për bizneset që do të kenë nevojë;
d. ndihmë për qiranë e shtëpisë;
e. reduktim apo shuarje të faturave të energjisë dhe ujit
f. benefite (mesatarisht 500 euro për një xhiro vjetore 50 mijë euro dhe deri 1000 euro në muaj për një xhiro më të madhe vjetore) për punonjësit në profesione të lira;
g. leje e detyrueshme e paguar për prindërit me fëmijë;
h. leje e detyrueshme e paguar për ata që kanë prindër që kërkojnë shërbim shëndetësor;
i. pagesat për babysitter ( 600 deri 1000 euro në muaj);
Në Francë, Macron propozoi masa të gjëra dhe të jashtëzakonshme për “..të mbrojtur pagat dhe ndërmarrjet franceze..”. “..Të gjitha ndërmarrjet franceze mund të shtyjnë detyrimet e tyre fiskale të muajit mars, kur të duan, pa asnë gjobë, pa asnjë burokraci, vetëm me një lajmërim pranë zyrave të fiskut..”- deklaroi pardje Macron. Macron gjithashtu deklaroi se po punon për një plan francez dhe evropian për ringritjen e ekonomisë franceze dhe evropiane.
Në Gjermani, Merkel prezantoi paketën (deri) në 500 miliardë euro për të mbrojtur ekponominë dhe punonjësit. Kjo do të ofrohet në formën e një kredie pa limit, pa asnjë burokraci, të dhënë nga bankat dhe të siguruar nga qeveria federale, me kosto zero për ndërmarrjet! Ministri gjerman i Financave Olaf Scholz deklaroi dje që “ asnjë punëtor gjerman nuk do të humbë pagën dhe vendin e tij të punës, dhe asnjë ndërmarrje gjermane nuk do të familimentojë vetëm për shkak të koronavirusit..”
Në Greqinë fqinjë që është goditur nga pandemia thuajse në përmasat tona, kryeministri Mitsotakis deklaroi pezullim e të gjitha detyrimeve fiskale për të gjitha ndërmarrjet greke si dhe 400 euro në muaj pagesë e drejtpërdrejtë për të gjitha familjet në nevojë apo që vuajnë nga papunësia sezonale (turizëm dhe agrikulturë). Ai lajmëroi gjithashtu reduktim të faturave të energjise dhe të telefonisë.

Ka tashmë një mendim të pjekur politik dhe ekonomik evropian se kriza do të ngjasojë shumë me atë të vitit 2008, dhe se masa urgjente te lehtësimit fiskal dhe mbrojtjes sociale duhet të merren nga të gjitha vendet anëtare.Propozimet e Bashës nuk vijnë në një terren të paprekur. Këto ditë, tre shoqata biznesesh, ajo e Operatorëve turistikë, ajo e Biznesit të vogël si dhe Unioni i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë kanë bërë thirrje të fortë për një paketë të plotë ndihme ekonomike dhe sociale për biznesin dhe shoqërinë.

Pra krizën e kemi tek dera, në mos ka hyrë brenda tashmë! Për shak të keqqeverisjes dhe korrupsionit galopant, për shkak të përqendrimit të ekonomisë së vendit në vetëm dhjetë duar miqsh të kryeministrit, parametrat makroekonomike te vendit janë kaq të brishtë sa nuk mund të ndërmerren ndërhyrje më të mëdha në ekonomi se ato që Basha kërkoi dje. Duhet patjetër të ndryshohet buxheti i shtetit (të mbidhet Kuvendi, nqs është e nevojshme) dhe të miratohen nderhyrjet e kërkuara. Për më tepër, duhet financuar shumë herë më tepër sektori i shëndetësisë, sepse 3.5 milione euro janë asgjë për tu përballur me pandeminë.

Në këto kushte, Rama nuk ka aspak luksin të refuzojë propozimin e Bashës. Rama e di se pas disa ditësh ai vetë do të detyrohet të zbatojë rekomandimet e Bashës pikë pas pike, siç edhe ka ndodhur me rekomandimet e mëparshme. Por si i kompleksuar nuk do t`ia njohë Bashës lidershipin në zgjidhjen e krizës. Vetëm se kjo nuk është aspak kohë për të ruajtur sedrën politike. Cdo ditë që kalon na fut në skenare edhe më të vështirë dhe në pamundësi në rritje për t`i bërë ballë krizës në mënyrën e duhur. Për këto arsye qeveria nuk duhet të vonohet as edhe një ditë më shumë dhe duhet të nxitojë të miratojë paketën ekonomike dhe sociale të propozuar nga opozita.

Kryeministrin gjatë kësaj kohe e kemi parë në rolin e infermierit, mjekut, psikologut dhe estetistit. Këshillat e tij për larje duarsh, shmangie të kontakteve, mosputhjesh në faqe, jogës për të mos marrë peshë, etj.. mund të jenë të vlefshme, por në gojën e një mjeku profesionist, dhe jo të një kryeministri. Në gojën e një kryeministri tingëllojnë qesharake dhe dëshpëruese. Vecanërisht dëshpëruese sepse japin përshtypjen e thellë se kryeministri nuk do më të jetë kryeministër dhe i është dorëzuar pa kushte krizës. Në këto kushte, edhe pse është e qartë se vullneti i ka shterruar dhe dëshira i mungon tërësisht, ka një rrugëzgjidhje. Të ndjekë me vemendje dhe të zbatojë cfarë i rekomandon Basha. Dhe mos ta zërë plogështia apo paniku, se kjo është e vetmja mënyrë për të mundur pandeminë”,-shprehet Bozdo.

/DRONI.al/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY