Nga Vladimir Karaj
Në mes të tetorit, Gjykata e Apelit Tiranë ka lënë në fuqi një vendim të Gjykatës së Tiranës për miratimin e një kërkese të prokurorisë për pushimin e një kallëzimi penal ndaj zyrtarëve të bashkisë së Tiranës, Ndërmarrjes Nr.1 të Punëtorë të Qytetit dhe kompanisë “Fusha”, për një tender me vlerë 332.5 milionë lekë (2.72 milionë euro) për blerjen dhe mbjelljen e drurëve dekorativë përgjatë autostradës Durrës-Tiranë në segmentin Kamëz-Kashar, transmeton reporter.al.
Ky tender ishte kallëzuar nga ish-grupi Parlamentar i Partisë Demokratike me pretendimin se ishte kryer me anë të një procedure konkurrimi në kundërshtim me “ligjin dhe në mungesë të çdo lloj gare, duke përzgjedhur në mënyrë selektive një operator ekonomik, i cili duket të jetë i privilegjuar në fushën e prokurimeve publike.”
Thelbi i kallëzimit të PD-së qëndronte mbi faktin se për blerjen e këtyre pishave ishte përdorur një procedurë e kufizuar prokurimi, e cila justifikohet vetëm në rastin e një nevoje ekstreme, të shkaktuar nga ngjarje të paparashikuara, që nuk i ngarkohen autoritetit kontraktor.
Por gjykata e ka hedhur poshtë këtë pretendim, duke arsyetuar se autoriteti kontraktor – Drejtoria e Punëtorëve e Përgjithshme Nr.1 e Qytetit, e ka pasur të pamundur të kryejë një procedurë të hapur prokurimi, për shkak të kohës së shkurtër që i është vënë në dispozicion nga Këshilli Bashkiak i Tiranës për realizimin e tenderit, përpara se fondet të digjeshin në fund të vitit buxhetor.
“Përfundimisht provohet se autoriteti kontraktor, Drejtoria e Përgjithshme nr.1 e Punëtorëve të Bashkisë Tiranë, nuk rezulton që këtë procedurë prokurimi objekt hetimi ta ketë nisur me iniciativën e vet, por provohet se ka qene Këshilli Bashkiak i Tiranës ai që e ka detyruar ketë autoritet kontraktor, me alokimin e fondeve të vëna në dispozicion për këtë procedurë prokurimi,” thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë.
“Në këto rrethana, vendimi është marrë nga një organ kolegjial,” shton gjykata.
Bashkia e Tiranës dhe biznesmeni Shkëlqim Fusha nuk i përgjigjën një kërkese për koment mbi këtë hetim. Edhe prokurori i çështjes, Alket Mersini refuzoi të komentonte mbi vendimin e gjykatës. Ndërkohë, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu – i cili bëri kallëzimin penal ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe kompanisë Fusha dhe po ashtu apeloi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për pushimin e hetimeve, i tha BIRN në një bisedë telefonike se nuk ishte informuar si palë e interesuar për këtë vendim.
Nuk di asgjë. Nuk kemi asnjë njoftim,” tha Balliu.
Pas 24-orësh, me datë 21 dhjetor 2017, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, ka proceduar me hapjen e ofertave të paraqitura nga subjektet. Vetëm kompania Fusha ka paraqitur ofertë dhe është shpallur fitues në të njëjtën datë nga KVO.
Me 22 dhjetor ose 48 orë nga ftesa fillestare për negocim, kompania Fusha ka filluar punimet. Ndërkohë, 6 ditë më vonë, me 28 dhjetor 2017, kompania Fusha i ka dërguar bashkisë Tiranë situacionin progresiv pjesor nr.1 të punimeve, duke kërkuar një pagesë prej 70.2 milionë lekësh për 60 pisha, të cilat janë likuiduar me 14 shkurt 2018 – në ditën e Shën Valentinit.
Bazuar në situacion nr.1, vlera mesatare e një pishe të blerë nga bashkia është 1.17 milionë lekë (€8200). Nëse i njëjti çmim për njësi është zbatuar për të gjitha pishat e mbjella, në total bashkia ka blerë nga Fusha 284 pisha për një vlerë totale të kontratës prej 332.56 milionë lekë me TVSH.
Në një raportim të mëparshëm mbi këtë tender, BIRN iu drejtua tre kompanive që tregtojnë dru dekorativë; njëra në Kavajë dhe dy të tjerat në Tiranë dhe mësoi se çmimi i shitjes për një pishë të ngjashme në treg varion nga 700 deri në 1000 euro.
Partia Demokratike ka pretenduar në kallëzimin e saj se kompania “Fusha” nuk i ka pasur deri në janar 2018 në gjendje 60 pishat për të cilat ka lëshuar faturë mbi situacionin e parë me 28 dhjetor 2017. Megjithatë, sipas gjykatës ky fakt nuk rezulton i vërtetë. Referuar deklaratave doganore dhe faturave tatimore, gjykata shprehet se subjekti ka blerë një sasi pishash që në shkurt 2017 dhe ka pasur në gjendje 92 pisha në dhjetor 2017.
Kompania Fusha është kontraktori më i madh i bashkisë Tiranë dhe gjatë 3 viteve të fundit ka përfituar me shumë se 3.1 miliardë lekë për punë publike në kryeqytet.
Sipas kallëzimit të Partisë Demokratike të depozituar në Prokurorinë e Tiranës, pretendohet se mes bashkisë së Tiranës dhe kompanisë Fusha Sh.p.k, “ka një marrëdhënie personale, e cila vjen në kundërshtim me parimet dhe qëllimin e ligjit “Për prokurimin publik”.
Kallëzimi thekson se bashkia ka zgjedhur një procedurë prokurimi në kundërshtim me ligjin dhe në mungesë të çdo lloj gare, duke zgjedhur ne mënyrë selektive një operator ekonomik, i cili duket të jetë i privilegjuar në fushën e prokurimeve publike.
Referuar ligjit ‘Për prokurimin publik’, procedura me ‘negocim pa shpallje paraprake të njoftimit’ përdoret vetëm në raste të veçanta, kur për arsye të nevojës ekstreme, të shkaktuar nga ngjarje të paparashikueshme nga autoriteti kontraktor, afati kohor i parashikuar për njoftimin e kontratës për procedurat e hapura, të kufizuara ose me negocim, me publikim, nuk mund të respektohet.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/