Tre persona të tjerë subjekt i ligjit special anti KÇK kane marrë formularët nga OFL dhe brenda 48 orëve duhet të justifikojnë pasurinë e tyre.
Agjentja e OFL në një deklaratë për mediat bëri me dije se “sapo i ka nisur kërkesat me shkrim shtetasve Dashamir Gj me banim në Durrës i dënuar në Itali për trafik të qenieve njerezore. Emiljano H, i dënuar në Gjermani për trafik narkotikesh e pastrim parash.
Edlir H. me lidhje familjare me Emiljano H pasi dyshohet se gezon pasuri te prejardhura nga krimi”. Burime nga policia, raportojnë se ata janë: Dashamir Gjoka, Emiljano Hajri dhe kushëriri i tij Edlir Hajri.
NJOFTIMI I PLOTE
Në kuadër të operacionit Forca e Ligjit, në vijim të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL sapo i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
– Dashamir. Gj., me banim në Durrës, pasi rezulton i dënuar në Itali për veprën penale “Trafik i qenieve njerëzore”.
– Emiljano H., me banim në Durrës, pasi rezulton i dënuar në Gjermani për trafikim narkotikësh dhe pastrim parash.
– Edlir H., banues në Durrës, me lidhje familjare me Emiljano H., pasi dyshohet se gëzon pasuri të prejardhura nga krimi.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, i cili do të vlerësojë dosjen e përgatitur nga OFL-ja mbi aktivitetin kriminal të këtyre subjekteve, si edhe pasurinë e tyre.
Sapo të bëjë këtë vlerësim, SPAK-u duhet t’i kërkojë Gjykatës Speciale masën e sekuestrimit për pasuritë e subjekteve dhe pas sekuestrimit, në jo më shumë se 6 muaj Gjykata Speciale duhet të vendosë për konfiskimin përfundimtar të tyre.
Me marrjen e masës së sekuestros, çdo pronë e subjekteve do të administrohet nga agjencia e posaçme e Ministrisë së Brendshme. Vetëm banesa mund të vazhdojë të përdoret për strehim, por nuk mund të shitet apo të jepet me qira nga subjekti.
Të gjitha subjektet e Ligjit Special, pra të gjithë të dënuarit apo të akuzuarit gjatë 30 viteve të fundit, për krimet e parashikuara në këtë ligj, do të kalojnë sitën e provës së ligjshmërisë së pasurisë së tyre. Asnjë përjashtim nuk do të ketë dhe nuk mund të ketë dhe çdo përpjekje për të tjetërsuar ndërkohë pronën, duke përdorur familjarë apo të njohur, do të rëndojë të dyja palët. Kujtojmë se Ligji Special parashikon vlerësime dhe hetime specifike të pasurisë edhe për rrethin familjar të personave të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar e krime të rënda.
Për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë, OFL do të informojë publikun në vijimësi.
/DRONI.al/
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/