Endrit Dokle u dënua në janar 2012 me burg përjetë për një listë të gjatë akuzash përfshi tre vrasje, 4 tentativa vrasje e rrëmbim personi dhe përfshirje në organizatë kriminale. Vendimi u la në fuqi nga Gjykata e Lartë në vitin 2014, pas një procesi maratonë të filluar në vitin 2005 ndaj të ashtuquajturës “Banda e Durrësit”.
Ndërkohë paralelisht me këtë proces, Dokle u dënua përsëdyti në janar 2013 me 16 vjet burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda për krijim të organizatave kriminale dhe trafik narkotikësh, pasi ndërsa ishte në paraburgim ai ishte bërë pjesë e një rrjeti të trafikut, të cilin sipas vendimit të gjykatës e kontrollonte me telefon nga qelia.
Me një vendim të tretë, në korrik 2013, Gjykata e Krimeve të Rënda i bëri bashkë të gjithë dënimet e Dokles, në një dënim të vetëm me burg përjetë. Dokle qe i vetmi prej të arrestuarve kryesorë të Bandës së Durrësit që nuk përfitoi “nga zbutja” që Gjykata e Lartë u rezervoi ish-bashkëpunëtorëve dhe armiqve të tij, të cilët shpëtuan nga dënimi i përjetshëm.
Kështu kur gjykatat liruan përmes vendimeve kontraverse Lulzim Berishën dhe më pas Indrit Taullain, ish-bashkëpunëtorët dhe armiqtë e tij të dënuar si pjesë e të njëjtit grup, u duk sikur Dokle do të ishte i vetmi prej drejtuesve të organizatës që do vuante dënimin e dhënë.
Por katër vjet pas lirimit Lulzim Berishës, rivalit të tij, të cilin sipas vendimeve gjyqësore tentoi ta vriste katër herë, Dokle mori të njëjtin trajtim. Përmes gjashtë vendimeve, të marra njëri pas tjetrit dhe në një rast brenda të njëjtës ditë, gjyqtarja e Krujës Enkeleidi Hoxha vendosi lirmin e tij “me kusht”, duke cituar në vendim gjendjen shëndetësore të të atit dhe depresionin që kishte kapluar Doklen.
Vendimi i marrë nga Hoxha u apelua menjëherë nga prokuroria. Ndërkohë Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj njoftoi kallëzimin penal të gjyqtares dhe i bëri Këshillit të Lartë Gjyqësor një kërkesë për pezullimin e Hoxhës. Por reagimet e ashpra erdhën shumë vonë dhe një pjesë e tyre siç gjeti BIRN, ishin “kërcënime” pa ndonjë bazë.
Kështu anëtari i Këshillit të Lart Gjyqësor Erjon Muharremaj, i tha BIRN se KLGJ nuk mund të merrej me kërkesën e ministres Gjonaj dhe se procedimi disiplinor në këtë rast dhe në raste të tjera duhej të ndiqej nga Inspektori i lartë i Drejtësisë.
Nga ana e tij Artur Metani, që u zgjodh sëfundmi si Inspektor Lartë i Drejtësisë, i tha BIRN se institucioni ende nuk ishte ngritur, se kishte një volum të madh kërkesash dhe se nuk mund të thoshte se cilat çështje do shqyrtoheshin me prioritet.
Të dhënat e marra nga BIRN, tregojnë se Gjyqtarja Enkeledi Hoxha – e cila ka liruar më herët në rrethana të ngjashme edhe të dënuarit për krime të rënda Ilir Paja dhe Genci Tafili, ka marrë e ndihmuar nga raportet e drejtuesve të institucioneve në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, një sërë vendimesh, pa të cilat lirimi i Dokles do kishte qenë i pamundur. Këto vendime nuk janë kundërshtuar nga prokuroria.
Vendimet e gjykatës të marra nga BIRN përmes një kërkese për të drejtë informimi nga Gjykata e Krujës tregojnë se për të mbërritur tek liria Dokles iu deshën një sërë procesesh gjyqësore, në të cilat gjyqtarja Hoxha i njohu përfitim amnistije dhe po ashtu i pranoi përfitime prej paraburgimit edhe ulje dënimi për të dënuar me vendim të formës së prerë.
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN nëse kishte pasur dijeni apo nëse kishte kontroll mbi raportet pozitive të herëpashershme që Dokle dhe të tjerë të dënuar për krime të rënda merrnin nga institucionet e vuajtjes së dënimit në varësi të saj.
Ndërkohë i pyetur në telefon nga BIRN drejtuesi i Prokurorisë Krujës, Petrit Çano tha se moskundërshtimi i vendimeve për amnistinë kishte qenë në dorë të prokurorit të çështjes Bujar Memia.
“Ashtu e ka çmuar,” tha Çano duke ia lënë përgjegjësinë prokurorit Memia. Ky i fundit nuk qe i arritshëm për koment deri në publikimin e këtij shkrimi. Nga ana e saj gjyqtarja Enkeleidi Hoxha nuk iu përgjigj pyetjeve që BIRN i dërgoi asaj. Ndërsa avokati mbrojtës i Dokles nuk qe i arritshëm përmes kontakteve që BIRN mundi të siguronte.
Ulje dhe njohje paraburgimi në të njëjtën kohë
Kodi Penal, i vitit 1995, të cilit i është referuar gjykatësja e Krujës për të liruar Doklen, parashikon që i dënuari me burg përjetë të ketë vuajtur 25 vjet dhe të ketë patur “sjellje shembullore”. Në vendimin e lirmit gjyqtarja Hoxha thotë se duke iu referuar Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale Fush Krujë, deri më 5 nëntor 2019, Dokle kishte vuajtur 25 vjet 6 muaj e 10 ditë burgim.
Fizikisht kjo ishte e pamundur. Dokle prej arrestimit në fund të vitit 2005 ka vuajtur realisht 14 vjet e 3 muaj burg. Ai kishte bërë edhe sipas përllogaritjeve të vetë gjyqtares Hoxha deri në maj 2019, përfshi kohën e paraburgimit dhe disa muaj të përfituar nga puna në burg, një total prej rreth 18 vjetësh.
Për “të fituar” 7 vite, për 7 muaj, nga maj 2019 deri në nëntor 2019, Dokle përpiloi një sërë kërkesash për ulje dënimi dhe përfitime nga amnistia në Gjykatën e Krujës. Në një skemë të vënë re nga BIRN edhe në rastet e tjera, ai aplikoi disa herë për të njëjtat kërkesa dhe u tërhoq në të gjitha gjyqet që nuk i qëlluan me short gjyqtares Hoxha.
Përpjekja e Dokles në fakt filloi me një dështim. Në prill të vitit 2019, gjyqtarja Alma Kolgjoka refuzoi një kërkesë të tij për të përfituar ulje dënimi me nga 45 ditë në vit për të gjithë kohën që kishte qenë i arrestuar nga viti 2005 deri në vitin 2017.
Kolgjoka arsyetoi ndër të tjera se si të dënuarit më burg përjetë nuk mund t’i llogaritej koha e mbetur e dënimit. Ajo po ashtu e gjeti kërkesën të pabazuar në ligj, ndërsa arsyetoi se ai nuk mund të kërkonte ulje dënimi për kohën e paraburgimit. Kjo e fundit paraprakisht llogaritet në favor të të arrestuarit me gjysmë dite shtesë për çdo ditë ndalimi.
“Deri në ditën që vendimi i dënimit merr formë të prerë, ligjvënësi nuk i ka njohur të drejtën të paraburgosurit të përfitojë ulje dënimi, por kjo periudhë paraburgimi llogaritet me raportin 1:1.5.”, shprehet Kolgjoka.
Një muaj më vonë në një gjyq me të njëjtën kërkesë, por në të cilin ishte shortuar Enkeleidi Hoxha, kërkesa e Dokles u pranua e plotë, duke i dhënë atij rreth 1 vit e 220 ditë ulje. Hoxha në vendim nuk ka arsyetim, por i referohet vendimeve të supozuara të ngjashme të marra në gjykatat e rretheve. Identifikimi i këtyre vendimeve referencë, bëhet i vështirë nga amonimizimi që Gjykata e Krujës i ka bërë vendimit të zbardhur të Dokles.
I vetmi ndër vendimet që BIRN arriti të gjente ishte i përkiste Gjykatës së Apelit në Tiranë, për një të dënuar për shpërndarje narkotikësh. Përndryshe nga sa pretendon Hoxha në vendimin e saj, vendimi i Apelit i referohet vetëm mundësisë së përfitimit të uljes së dënimit pasi ky ka marrë formë të prerë dhe jo për periudhën e paraburgimit.
Duke qenë se ligji paracakton se ulja përfitohet vetëm në rast të sjelljes së mirë, Hoxha e ndihmuar nga raportet pozitive të përfaqësuesve të IEVP-së, vlerëson se Dokle kishte qenë i dënuar shembullor që prej vitit 2005. Megjithatë, në të njëjtin vendim gjyqtarja i referohet bashkimit të dënimeve ndaj Dokles në korrik 2013, i cili përmend dhe ridënimin e tij për “krijim të organizatës kriminale” dhe “trafik narkotikësh” gjatë kohës që ishte i në qeli (viti 2011).
Është e paqartë se si IEVP Fushë Krujë e ka cilësuar ‘sjellje shembullore’ trafikun e lëndëve narkotike nga urgu dhe krijimin e një organizate kriminale.
Përndryshe e njëjta gjyqtare i kishte rrëzuar sëfundmi kërkesën e një të dënuari tjetër për ndryshimin e llojit të sigurisë në të cilën vuante dënimin me 25 vjet burg për vrasje në rrethana cilësuese. Hoxha ka arsyetuar në atë rast se ai kishte marrë masa disiplinore për mbajtje celulari në burg.
Celular në burg përdorte dhe Dokle dhe ai është përgjuar gjerësisht gjatë qëndrimit në qeli. Por as gjyqtarja Hoxha dhe as IEVP-ja në raportet e saj, nuk duket se kanë përmendur në ndonjë moment faktin se Dokle ishte ridënuar për vepra penale të rënda.
Po ashtu në vendim nuk referohet as fakti i përfitimit të dyfishtë të uljeve prej Dokles edhe si i paraburgosur edhe si i dënuar me vendim të formës së prerë. Hoxha vetë, siç rezulton nga vendimet e siguruara nga BIRN, i zgjati Dokles në nëntor 2018 kohën e paraburgimit me 2 vjet të tjera – nga viti 2012 deri në vitin 2014, kur proceset ndaj tij përfunduan në Gjykatën e Lartë.
Përfitimi nga amnistitë, lapsuse dhe moslexime
Uljet e dënimit dhe shtimi i paraburgimit e afruan Doklen tek rreth 21 vjet burgim, por në fund të këtyre vendimeve të pakontetsuara atij ende i mbeteshin 4 vjet për të kërkuar “liri me kusht”. Në këtë moment Dokle aplikon disa herë për të përfituar nga amnistitë.
Pesë gjyqe në të cilat shortohen Engjullush Tahiri dhe Alma Kolgjoka pushohen nga gjykata, pasi përfaqësuesi i Dokles heq dorë ose nuk nuk paraqitet. Ndërkohë dy kërkesa – një për të përfituar nga amnistia e vitit 2012 dhe një tjetër nga ajo e vitit 2015, për të cilat shortohet gjyqtarja Hoxha, u zhvilluan deri në fund dhe përfunduan në të njëjtën ditë në favor të Dokles.
Me 6 shtator 2019, gjyqtarja Enkeleidi Hoxha i njohu të dënuarit të drejtën e përfitimit nga amnistia e vitit 2012 duke iu referuar “ligjit 107/2012” (Për dhënie amnistie) dhe amnistitë e viteve 2015 dhe 2016.
Në vendimin për përfitim nga amnistia e vitit 2012, të cilin BIRN e siguroi të anonimizuar, citohet: “Në nenin 3 pika c të këtij ligji nr. 107 /2012, “Për dhënie amnistie”, është e përcaktuar se plotësojnë kriteret për të përfituar sipas këtij ligji personat e dënuar me burgim të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç”.
Por përndryshe në ligjin e botuar në Fletoren Zyrtare në atë pikë e gërmë shkruhet se faleshin “personat e dënuar me gjobë”. Gabime të ngjashme gjenden edhe në vendimin tjetër.
Megjithatë ligjet përkatës e kanë një pikë që i përngjan asaj që perifrazohet në vendimet e Hoxhës dhe që prekin të dënuarit që kanë qenë 18 ose më pak vjeç në kohën e kryerjes së veprës penale. Nisur prej kësaj pike Hoxha duket se ka ndarë nga dënimet e Dokles atë për rrëmbim personi. Ai ishte gjetur fajtor për rrëmbimin e një vajze në kohën kur ka qenë rreth 18 vjeç.
Por citimet e ligjit prej gjyqtares në këtë pikë janë të pjesshme. Megjithëse referon që Dokle ishte dënuar me 1 burgim të përjetshëm dhe jo me 7 apo 8 dënime të ndryshme, Hoxha ndan atë që ishte bashkuar më herët në vendime të gjykatave të tjera dhe amniston Doklen vetëm për akuzën e rrëbimit të personit.
Vendimi i gjykatës nuk sqaron se si ishte veçuar ky dënim prej morisë së dënimeve të tjera që rëndonin mbi Doklen dhe as se si ulja e dënimit “për rrëmbim personi” ndikonte dënimin e përgjithshëm me burg përjetë.
Edhe pse i përmend në vendim ndalimet për përfitim nga amnistia të të dënuarve për vrasje, vrasje me paramendim dhe krijim të organizatave kriminale e trafik narkotikësh, vepratë cilat të gjitha rëndonin mbi Doklen, Enkeledi Hoxha nuk i sheh si pengesë për t’i njohur atij 4 vjet amnisti.
Në të dy seancat ka qenë e pranishme edhe Prokuroria e Krujës përmes prokurorit Bujar Memia, e cila ashtu si IEVP ia ka lënë vendimin në “çmim të gjykatës”.
Vendimi i lirimit
Dokle plotësoi sipas gjyqtares Enkeledi Hoxha në nëntor 2019, 25 vjet burgim dhe ishte i gatshëm për t’u liruar më janar 2020. Pretendimet e prokurorisë se koha e amnistisë nuk duhej të llogaritej si vuajtje dënimi, siç edhe përcaktohej në Kodin Penal, janë rrëzuar nga gjyqtarja.
Ajo shprehet në vendim se i është referuar nenit 65 të Kodit Penal të vitit 1995 dhe jo ndryshimeve të mëtejshme të tij, që sipas saj përkeqësonin situatën për të dënuarin. Hoxha arsyeton, siç kuptohet nga vendimi se ndryshimet ligjore që ndalonin llogaritjen e amnistisë si kohë kryerje dënimi, të përcaktuara në nenin 64 në vitin 2001, janë bërë pas kryerjes së veprave penale nga Dokle.
Përndryshe gjykata në vendimin e lirimit është bazuar më fort në raportet nga IEVP Fushë Krujë dhe nga Shërbimi i Provës Krujë. Gjykata citon, të dy strukturat në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, që kishin dhënë rekomandime në favor të “lirimit me kusht” dhe përpiluar po ashtu raporte sjelljeje pozitive.
Sipas vendimit të gjyaktëses Hoxha, IEVP Fushë Krujë kishte përpiluar raporte pozitive për Doklen që prej vitit 2015. Nga ana e tij raporti i Shërbimit të Provës e bën të qartë se pritshmëritë e Dokles për tu liruar kishin filluar më herët.
“Ka qenë pjesëmarrës aktiv në aktivitete që Shërbimi i Provës ka zhvilluar në bashkëpunim me administratën e IEVP, me qëllim njohjen e të dënuarve që janë në prag të lirimit me kusht me Institucionin e Shërbimit të Provës. I gjithë ky aktivitet dhe kjo pjesëmarrje në këto aktivitete rehabilituese janë të bazuara në vlerësimet e sjelljeve të IEVP-së”, citohet në vendim raporti i Shërbimit të Provës.
Po aty thuhet se koha e kaluar mbyllur e kishte bërë Doklen të reflektojë, ai ishte penduar dhe se ishte bërë i përgjegjshëm. Po ashtu referohet edhe një letër nga një biznesmen i naftës dhe ndërtimit, i identifikuar si Agim Çako, sipas të cilës ky i fundit i ofronte Dokles punë në kompaninë e tij.
Gjykata vetë arsyeton bazuar në një vendim të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut kundër Italisë, mbi mbajtjen e një personi në regjimin 41/bis dhe mbi të drejtën e të dënuarve me burgim të përjetshëm për të pasur mundësi të qarta rehabilitimi, por pa shpjeguar se si kjo lidhej specifikisht me rastin e Dokles.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/