REPORTAZH/ Oret rraskapitese te krizes se termetit ne Durres

REPORTAZH/ Oret rraskapitese te krizes se termetit ne Durres

137
0
Shares

Nga Edmond Hoxhaj/ birn
Në një kamp strehimi të ngritur pranë stadiumit të Durrësit të enjten, dhjetra qytetarë kërkonin me ngulm një vend nën çadër. Batanijet ishin shtruar përtokë dhe tek-tuk shikon ndonjë shtrojë të sfungjertë, por qytetarët e Durrësit -zonës më të goditur nga tërmeti me magnitudë 6.4 Rihter, nuk u zënë besë zgjidhjeve të tjera.

Sipas mjekëve në kamp, të mbijetuarit shfaqin probleme të vazhdueshme shëndetësore.

“Në përgjithësi me tension të lartë, me takikardi, të stresuar, me të gjitha…, por më mirë se sa ishte dje. I mësojmë se si të pinë ilaçet, pasi janë të stresuar dhe kanë harruar se si i kanë pirë. Por në përgjithësi më mirë se dje,” përsërit një mjeke për BIRN.

Plani i qeverisë për t’i strehuar nëpër hotele të prekurit nga tërmeti hasi në rezistencë masive deri në orët e mbrëmjes së enjte, kur nisën edhe shtrëngatat e shiut.  Me shtëpitë e shkatërruara dhe nën panik, banorët i thanë BIRN se nuk kishin besim te godinat ku po i dërgonin autoritetet.

“Kemi dalë të tmerruar, nëpër xhama, nëpër tulla, nuk e di ç’a të them. Ata na thonë të shkojmë në një hotel. Atje nuk shkoj dot, se atje kanë rënë hotelet. Si të shkoj në hotel në plazh unë!? Erdha këtu tani. Jam fut me një makinë të komshisë, se kam dy fëmijë të vegjël. Tani unë u kërkoj këtyre vetëm ushqimin se po rri në makinë, vetëm ushqimin,” thotë e irrituar Sabajete Lako. “Çfarë të bëjmë? Na hoqën nga çadra se donin të na çonin në hotel. Unë në hotel nuk shkoj se jam e tmerruar dhe fjeta në makinë,” shton ajo.

Njësoj si Lako, edhe Kasëm Sadiku thotë se nuk do të qëndrojë në hotel se druhet prej tërmeteve.

“Kam dy ditë që vij për një çadër. U thashë të marr një çadër me dokumenta, me vulë e ta dorëzoja prapë, vetëm të ruaj shtëpinë. Ai më thotë shko në hotel. Hoteli është më keq se shtëpia. Unë s’kam besim, as tek shtëpia ime, as tek hoteli. Dua të rri përjashta,” shtoi ai.

Kërkesat e banorëve të prekur nga tërmeti përplasen  shpesh me planet e autoriteteve në Durrës, duke i lënë të dyja palët të pakënaqura dhe qytetin në një gjendje të vazhdueshme kaosi. Dhjetra banorë u ankuan të enjten për BIRN se ishin lënë në mëshirë të fatit, ndërsa drejtues të Bashkisë së Durrësit  pohuan se po përballeshin me një fluks kërkesash të papërballueshme.

“Jetoj te fusha e rërës, lagja 18. Pallati ka dalë jashtë përdorimit. Kemi marrë vetëm rrobat e trupit. S’ ka ardhur njeri të na thojë: “Çfarë halli keni, ku do flini, çfarë rrobash doni? Por rrimë këtu pas gardhit për ndonjë copë bukë për të ngrënë. Pse për bukë është problemi?,” thotë i irrituar Qani Toska, duke treguar me dorë vendstrehimin e dy netëve të fundit.

Kasem Sadiku u ankua për masat e bashkisë në menaxhimin e krizës. Foto: Edmond Hoxhaj

Shtëpia është bërë katastrofë. Ishim me tërë atë pasuri, dolëm në zero. Tërë ai mall, të arrij unë këtu të vij të kërkoj batanije, është turp. Vajtëm u regjistruam dhe thanë se do vijnë. Na morën të dhënat dhe kontaktet e deri tani asnjë gjë,” shton bashkëshortja e Toskës.

Nënkryetari i Bashkisë së Durrësit, Florian Tahiri pranoi të enjten për BIRN situatën kaotike dhe problemet në menaxhimin e situatës.

“Paniku është i lartë, situata është goxha kaotike. Përballemi me një situatë që nuk e kemi imagjinuar ndonjëherë dhe me një fluks kërkesash nga qytetarët, të cilat i kemi për momentin të papërballueshme, pavarësisht se stafi i bashkisë është i gjithi në këmbë,” tha Tahiri.

Ai shtoi se Bashkia po përpiqej të kategorizonte kërkesat e banorëve, por nuk mund të montonte çadra për shkak të motit të keq dhe se duhej të mendonte edhe për kushtet higjieno-sanitare në vendet e strehimit. Tahiri pranoi se ka abuzime me ndihmat, por fajëson për këtë qytetarët.

“Ndërkohë kemi vendet ku depozitohen mallrat, ku qytetarët mund të shkojnë të kërkojnë mallra. Për shpërndarjen e ndihmave po përpiqemi ta menaxhojmë situatën, se ka mjaft abuzime. Ka qytetarë që vijnë nga tre katër herë, mos të them nga dhjetë herë. Vijnë me karroca, me çanta. Është një shtresë që nuk dua ta diskriminoj, por që janë tmerrësisht problematikë dhe prishin gjithë punën tonë,” shtoi Tahiri.

Qytetarët ngrenë edhe shqetësimin e mosverifikimit të dëmeve që kanë shkaktuar tërmetet në banesat e tyre, por Bashkia përgjigjet se për momentin është e fokusuar tek jeta e njerëzve.

“Ky është një moment ku më e rëndësishme është jeta e njeriut, nuk është dëmi material. Hasim në një kërkesë shumë të lartë të qytetarëve që thonë ‘hajde verifiko dëmet’. Gjë që do bëhet, por kjo do bëhet në bllok, nuk mund të shkosh tek një qytetar, do merren zonat në bllok. Janë aktualisht në terren inxhinierët, po vijnë inxhinierë edhe nga institucione të ndryshme,” tha nënkryetari i Bashkisë për BIRN.

Gjatë orëve të mbrëmjes së të enjtes, Durrësi i ngjante një qyteti “fantazmë”. Ndërkohë, qytetarët dhe menaxhuesit e krizës duket se arritën të binin dakord për mbylljen e kampit të stadium dhe zhvendosjen e banorëve nëpër hotele dhe palestra.

“Ata që kanë qenë të strehuar në kampin me çadra pranë stadiumit janë transferuar në hotele dhe në tre palestra. Transferimi nga çadrat u krye për shkak të reshjeve të shiut,” i tha BIRN, drejtoresha e kabinetit të Bashkisë Durrës, Keli Kërtusha.

Kampi i çadrave pranë stadiumit, i cili u mbyll vetëm pas rrebeshit të shiut. Foto: Edmond Hoxhaj

Palestra e shkollës sportive, ku vazhdojnë të qëndrojnë të prekurit nga tërmeti. Foto: Edmond Hoxhaj

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY