ARTAN FUGA/ Ditë zie edhe për grykësinë dhe mendjeshkurtësinë tonë

ARTAN FUGA/ Ditë zie edhe për grykësinë dhe mendjeshkurtësinë tonë

120
0
Shares

Të shpëtojmë njerëzit, të reflektojmë për sigurinë, jetën
dhe shëndetin publik !

Shoqëria pïramidale na rrezikon shëndetin, jetën dhe sigurinë publike!
Të paktën nuk na i mbron si duhet.

Numurojmë deri më tash 40 njerëz të vrarë, shqiptarë nën rrënoja që u përpëlitën nën beton dhe ikën. Nuk dihet se çfarë kanë menduar në çastet e fundit të tyre nën peshën e blloqeve të betonit, në errësirë, nuk dihet në vdiqën urie, nga plagët, apo u shuan nga goditjet!

Ndoshta kanë shpresuar te ne që ishim sipër rrënojash të ardhshme, ndofta na kanë falur, ndofta na kanë mallkuar që nuk i shpëtuam dot!

Sot në ditën e Pavarësisë, ditë e shënuar, nuk kam asnjë mendim tjetër veç atij që shkon te viktimat e pafajshme të tërmetit të 26 nëntorit 2019!

Ajo ditë duhet të shpallet ditë zie kombëtare, ani pse tashmë ka kaluar. Goditjet vazhdojnë.

Në këtë mënyrë çdo vit do të na vijë në kujtesë dhe do të na fajësojë! Përpara festave të 28 dhe 29 nëntorit një ditë zie, trishtimi dhe refleksioni kombëtar do të na vlente shumë.

Le t’a ulim atë ditë flamurin kombëtar në gjysëm shtize dhe t’a ringrejmë në 28 dhe 29 nëntor.

Zi dhe trishtim, kujtesë dhe reflektim mbi të vrarët, viktimat, dëshmorët e urbanizimit kaotik, vlen një ditë në vit.

Ende nuk kemi parë në ekrane televizorësh të na parakalojnë para syve, ose në faqe gazetash, emrat e viktimave, si edhe fotot e tyre! Ata nuk janë thjesht numra, janë njerëz që kanë jetuar mes nesh, njerëz si ne, në vend të tyre mund të ishte secili nga ne! Mos i trajtojmë si numra!

Sa shumë të vrarë na shkaktoi tërmeti. Ne e ndihmuam me papërgjeshmërinë tonë në vite e vite!

Shoqëria piramidale i përkeqëson edhe më tej pasojat e dramave me origjina natyrore.

Shoqëria piramidale nuk i del zot sigurisë dhe shëndet publik, jetës së qytetarëve.

Edhe në themelet e piramidave të Egjiptit janë varrosur njerëz të gjallë, skllevër!

Sa shumë të vrarë në këto dekada!

Te vrarë në kufi.
Të vrarë në aksidente automobilistike.
Të vrarë në aksidente në punë të pasiguruar.
Te vrarë në bulevard.
Të mbytur në fund të detit, me gjithë gomonet e vdekjes.
Të vrarë nga krimi.
Të vrarë nga tërmetet, përmbytjet, ndotja e mjedisit.
Të vrarë për tokën, pronën, familjen.
Të vrarë rrugëve të botës.

A i llogarit dot kush të gjithë këta? Eshtë detyra e shtetit të na japi informacion sa jetë njerëzish kemi humbur këta vite.

Sikur kemi ndihmuar apokalipsin!

A do të ngrihet diku në mes të Thumanës, Durrësit, Tiranës, një monument madhështor, që të shihet nga kilometra larg, e të përkujtojë të vrarët në ditët e tërmetit?

Sikundër u ngrit, kotmëkot, një monumen përr viktimat e një gjoja grushti shteti diku andej larg nga Bosfori?

A do të ngremë dot, pasi të përballojmë me kurajo dëmet e pësuara në njerëz e pasuri, një monument gjigand që të na kujtojë të gjitha viktimat dhe dëshmorët e një udhëtimi kaq të sfilitshëm drejt një demokracie së cilës i kemi humbur udhën?

Tërmeti na shkaktoi viktima në njerëz. Por, ne e kemi ndihmuar me marrëzinë tonë njerëzore!

Le të jetë një ditë në mos zie, një ditë trishtimi kombëtar, përkujtimi, kujtese, sikurse edhe një obelisk, kushtuar gabimeve tona si komb, për budallallikun tonë, moskokëçarjen tonë, naivitetin, grykësinë, mendjeshkurtësinë, hipokrizinë tonë fenomenale!

Po! Ka ardhur koha të mendojmë seriozisht:

A dimë të ndërtojmë shtet?

Si ta ndërtojmë shtetin?

Cfarë është ky vit i nëmur 2019, që pasi na prishi demokracinë, tani po na vret, e rrënon?

Na rrënon themelet!

Na duhet një ditë trishtimi dhe refleksioni kombëtar për gabimet tona, sikurse :

5 maji për dëshmorët,
1 qershori për fëmijët,
1 prilli për Pinokët tanë që nuk dallojnë më as vete se kur gënjejnë dhe kur mashtrojnë!

Pinokët tanë të lodhur!

Ditë trishtimi, reflektimi, faljeje për viktimat nga :

keqtrajtimi i mjedisit,
braktisja e natyrës,
ndotja,
urbanizimi masakrues,
flukset demokrafike të çoroditura,
korrupsioni në dhënien e lejeve të ndërtimit,
bjerja e pushteteve.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY