Kur kanë kaluar pesë ditë nga atentati ku mbeti i plagosur së bashku me dy miqtë e tij, prokurori Arian Ndoja po përpiqet të rimarrë veten teksa ndodhet nën kujdesin e bluzave të bardha në Spitalin e Durrësit.
Ndoja ka hematoma në syrin e djathtë, është fashuar në pjesën e sipërme të trupit, por në gjendje të stabilizuar shëndetësore. Familjarët, të afërmit, shokët dhe kolegët nuk i ndahen për asnjë moment nga dhoma ku ndodhet në repartin e Ortopedisë.
Ndërkohë, pas dere ndodhen dy punonjës Policie të Komisariatit të Durrësit, të cilët e kanë marrë në mbrojtje që prej ditës kur mbërriti i plagosur në spital. Këta të fundit nuk lejojnë asnjë person të futet të vizitojë prokurorin e plagosur, pa marrë më parë miratimin e tij.
Ndoja nuk pranon të prononcohet në lidhje me atentatin apo “akuzat” e ngritura rreth tij, pasi shprehet se do të flasë në një moment të dytë për të sqaruar të gjitha paqartësitë që janë publikuar për të gjatë këtyre ditëve që ai ndodhet i plagosur në Spitalin e Durrësit.
Megjithatë, ai shprehet se pret nga Policia e Shtetit e nga kolegët e tij të Prokurorisë së Krimeve të Rënda që të zbardhin ngjarjen ku ai mbeti i plagosur.
Nga ana tjetër, duket disi i zhgënjyer nga e gjithë situata e krijuar pas ngjarjes së rëndë, në një kohë që thotë se ka investuar 20 vite të jetës së tij duke ushtruar këtë profesion.
Nga bashkëbisedimi me Prokurorin Ndoja, mësuam se makina në të cilën ai u qëllua, është e bashkëshortes së tij dhe dokumentet e kësaj makine janë në emër të saj.
Bashkëbisedimi
Prokurori Arian Ndoja mohon të jetë shprehur në lidhje me një lajm që kishte të bënte me një prononcim të tijin, të pretenduar se ishte dhënë nga spitali ku ndodhet nën kujdes mjekësor, pas atentatit të pak ditëve më parë, për të cilin thuhej se kishte pranuar se në makinën e tij ishin gjetur disa shkresa, dokumente dhe fotokopje të dosjeve, për të cilat ai ka ofruar konsulencë ligjore.
I kontaktuar nga Gazeta PANORAMA, ai pohon se në lidhje me këtë lajm, nuk është shprehur kurrë.
Ndërsa thotë se në një moment të dytë do të flasë për të sqaruar të gjitha keqkuptimet.
Gjithashtu, Ndoja mohon që dosjet e gjetura në makinën e tij të jenë të një rëndësie të veçantë. Sipas tij, nëse në mjet do të kishte fashikujt e vjedhur në Prokurorinë e Durrësit dhe dosja e gjyqtarit të vrarë, Skerdilajd Konomi, ai tashmë do të ishte në pranga.
Ndërsa në lidhje me atentatin, Ndoja nuk e mohon të jetë ai objektivi, por këtu ndan personin fizik nga prokurori.
“Sa i përket atentatit, nuk mendoj se ka të bëjë me mua si Arian, ndoshta si prokuror po… Unë nuk mund të flas për këto detajet tani, ndaj do të flas në një moment të dytë për të sqaruar gjithçka rreth akuzave ndaj meje. Nëse materialet e gjetura në makinën time do të ishin të një rëndësie të veçantë, që me implikonin mua, sot unë nuk do të isha këtu, pasi do më kishin arrestuar”, tha shkurtimisht Ndoja.
Arian Ndoja vijon të jetë në kujdesin e mjekëve në repartin e Ortopedisë në Spitalin e Durrësit, së bashku me Aleksandër Lahon, që gjithashtu mbeti i plagosur në atentat.
Ndërsa shoferi i tij, Andi Maloku, ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë. Policia ka arrestuar si autor të kësaj ngjarjeje të rëndë, Redjon Rrajën, të afërmin e deputetit socialist Rrahman Rraja, ndërsa grupi hetimor vijon hetimet intensive për të identifikuar dhe arrestuar të tjerë persona të përfshirë në këtë atentat./panorama
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/