Yuri Kim: Perpjekjet e Rusisë në Shqipëri nuk patën efekt

Yuri Kim: Perpjekjet e Rusisë në Shqipëri nuk patën efekt

96
0
Shares

Yuri Kim, e emëruar si ambasadore e SHBA në Shqipëri, foli të martën pasdite në Uashington përpara Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme në një seancë për konfirmimin e saj, raporton zeri i amerikes.

Zonja Kim, e cila u emërua nga Presidenti Donald Trump në qershor të këtij viti, tha se nëse konfirmohet do të ndiqte disa përparësi në punën e saj si ambasadore.

Ajo tha se do të inkurajonte Shqipërinë për të arritur nivelin 2 përqind në shpenzimet e mbrojtjes deri në vitin 2024.

Diplomatja tha se do të nxiste udhëheqësit e vendit për të zgjidhur ngërçin aktual politik në mënyrë që të forcohet perspektiva e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE.

Zonja Kim shtoi se do të inkurajonte gjithashtu Shqipëri të zbatonte plotësisht reformat në drejtësi, përfshirë kontrollin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe krijimin e strukturave të posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ajo tha se sheh si përpërësi edhe ndihmën teknike për Shqipërinë në hetimin, ndjekjen dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërnacional.

Shqipëria, tha zonja Kim në seancë, ka një emër jo të mirë për krimin e organizuar, për trafikimin e njerëzve, sidomos të grave si dhe të narkotikëve përmes kufijve.

Zonja Kim tha se nëse konfirmohet, do të punonte gjithashtu për të nxitur eksportet dhe investimet amerikane në Shqipëri.

Ajo tha se pak miq e kanë përqafuar Amerikën më ngrohtësisht se sa shqiptarët; sondazhe të shumta tregojnë se mbështetja shqiptare për Shtetet e Bashkuara mbetet ndër më të lartat në botë. Zonja Kim tha se SHBA kanë një mik të fortë dhe besnik te Shqipëria dhe se është e domosdoshme që t’i mbajnë pranë miq të tillë. Pak partnerë janë më të gatshëm se Shqipëria që të bëjnë më shumë me Shtetet e Bashkuara, tha zonja Kim.

Ajo tha se ushtarët shqiptarë kanë luftuar krah për krah me trupat amerikane në Afganistan dhe kanë shërbyer për këshillimin dhe trajnimin e forcave afgane krahas trupave të SHBA.

Shqipëria, tha zonja Kim, ka qenë një partnere e besueshme në koalicionin global për të mposhtur ISIS-in dhe “ka treguar se jo vetëm vlerëson përfitimet nga anëtarësimi në NATO, por edhe përqafon përgjegjësitë që burojnë nga të qënit anëtare e aleancës.”

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të senatorëve për ndikimin e mundshëm të Rusisë në rajon, zonja Kim tha se fatmirësisht, përpjekjet e Rusisë në këtë aspekt nuk kanë patur shumë efekt. Për këtë arësye, tha zonja Kim, “e kemi për detyrë që t’i mbajmë më afër miq të tillë si Shqipëria në kohë si kjo”. Ka rëndësi, tha ajo, që t’i ndihmojmë shqiptarët të forcojnë institucionet, në mënyrë që ata të jenë më rezistentë ndaj përpjekjeve të Rusisë si dhe të depërtimit ekonomik të Kinës.

Nëse konfirmohet, Yuri Kim do të ishte gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori, do të ishte gjithashtu personi i parë nga territori amerikan i Guamit që shërben në një post të tillë.

Me Kushtetutë, ambasadorët emërohen nga Presidenti dhe konfirmohen nga Senati.

KARRIERA DIPLOMATIKE

Yuri Kim është anëtare në stafin e lartë të Shërbimit të Huaj dhe ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore.

Më herët, ajo ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake.

Ajo ka qenë gjithashtu Asistente Speciale e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit dhe anëtare e delegacionit të Shteteve të Bashkuara në bisedimet gjashtëpalëshe për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut.

Zonja Kim ka shërbyer si Këshilltare Politike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Bagdad dhe në Ankara.

Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor.voa

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY