Kryedemokrati Lulzim Basha ka zbardhur për mediat një pjesë të bisedës dhe asaj çfarë kërkon opozita për reformën zgjedhore dhe zgjidhjen e krizës mes palëve fill pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger.
Ai tha se OSBE vetë ofron këto 3 mundësi, t’i kujtojë Shqipërisë detyrimet për zgjedhje të lira e të ndershme, t’i ofrojë ekspertizë dhes së treti që të ndihmojë në një dialog të vërtetë që të ketë një produkt. Sa i përket dialogut, Basha tha se ky dialog duhet të jetë jashtë dyerve të parlamentit.
“Siç mund ta imagjinoni, me sekretarin e përgjithshëm të OSBE, tema kryesore ka qenë tema e zgjedhjeve. Opozita është e vendosur të japë kontributin e saj për një reformë të vërtetë zgjedhore që të garantojë lirinë e votës. Prandaj me sekretarin e Përgjithshëm të OSBE kemi diskutuar për ndihmën që OSBE mund të japë në këtë drejtim, në veçanti në tre fusha kryesore, në rolin që ka OSBE për t’i kujtuar vendeve anëtare për standardet dhe kushtet që duhet të përmbushin sa i përket demokracisë dhe shtetit ligjor; së dyti në ofrimin e ekspertizës të ekspertëve të OSBE-së për të ndihmuar në këtë proces dhe së treti në rolin që OSBE mund të luajë për të ndihmuar në dialogun politik kaq shumë të nevojshëm dhe të kërkuar dhe nga BE dhe nga Gjermania për t’i dhënë fund krizës politike në vend.
Për opozitën rruga është e qartë, është e njëjta rrugë që përshkruhet dhe nga kushtet e Bundestagut, miratimi i reformës dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhjet kushtetuese vendore ku vota e shqiptarëve është e garantuar dhe vullneti i shqiptarëve nuk tjetërsohet nga grupet kriminale dhe nga një qeveri e paaftë dhe pa vullnet për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme siç është qeveria dhe kryeministri aktual”, deklaroi Basha.
LIVE – Komunikim me gazetarët
Publiée par Lulzim Basha sur Vendredi 25 octobre 2019
KOMUNIKIMI ME GAZETARËT I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA PAS TAKIMIT TË OPOZITËS SË BASHKUAR ME SEKRETARIN E PËRGJITHSHËM TË OSBE-SË.
Pyetje: Çfarë diskutuat me z.Greminger dhe çfarë ju kërkoi?
Lulzim Basha: Siç mund ta imagjinoni, me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së tema kryesore ka qenë tema e zgjedhjeve. Opozita është e vendosur të japë kontributin e saj për një reformë të vërtetë zgjedhore që të garantojë lirinë e votes. Për këtë nevojitet vullnet politik. Vullnet politik për ta miratuar këtë reformë dhe, më e rëndësishmja, vullnet politik për ta zbatuar këtë reformë. Kjo është arsyeja pse opozita, Partia Demokratike, aleatët tanë, kanë vënë në dispozicion të kësaj reforme shumë të rëndësishme për qytetarët, gjithë ekspertizën tone. Mund të them se është ekspertiza më e mirë në vend. Por, nga ana tjetër, duhet vullnet politik, i cili, deri më sot, mungon nga pala tjetër, që është edhe pala e kapur në shkatërrimin e tre palë zgjedhjeve, siç tregojnë edhe raportet e OSBE/ODIHR-it.
Prandaj me sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së kemi diskutuar për ndihmën që OSBE mund të japë në këtë drejtim, në veçanti në tre fusha kryesore:
1. Në rolin që ka OSBE për t’i kujtuar vendeve anëtare për standardet dhe kushtet që duhet të përmbushim sa i përket demokracisë dhe shtetit ligjor.
2. Në ofrimin e ekspertizës, të ekspertëve të OSBE-së për të ndihmuar në këtë proces.
3. Në rolin që OSBE mund të luajë për të ndihmuar në dialogun politik, kaq shumë të nevojshëm dhe të kërkuar edhe nga Bashkimi Europian, edhe nga Gjermania, për t’i dhënë fund krizës së rëndë politike në vend.
Për opozitën, rruga është e qartë, është e njëjta rrugë që përshkruhet edhe nga kushtet e Bundestagut – miratimi i reformës dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhje kushtetuese vendore, ku vota e shqiptarëve është e garantuar dhe vullneti i shqiptarëve nuk tjetërsohet nga grupet kriminale dhe nga një qeveri e paaftë dhe pavullnet për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, siç është qeveria dhe kryeministri aktual.
Pyetje: Zoti Basha, kur thoni se OSBE mund të luajë rol për rikthimin e dialogut po nënkuptoni që Partia Demokratike do të pranonte që OSBE të jetë ndërmjetëse që të uleni në një tryezë për reformën zgjedhore me maxhorancën?
Lulzim Basha: Jo, nuk është kjo ajo që po them. Po them që OSBE-ja vetë ofron këto tre mundësi.
Së pari, t’i kujtojë Shqipërisë si çdo vendi tjetër anëtar detyrimet që ka për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe këtë e ka bërë me raportin e ODIHR-it. Së dyti, të ofrojë ekspertizë dhe këtë e ka bërë dhe shpresoj që ta bëjë. Së treti, që të ndihmojë, sa i përket rolit të OSBE-së, nuk është vetëm OSBE-ja këtu janë edhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë në një dialog të vërtetë që të ketë një produkt. Dhe për ne një produkt duhet të jetë një reformë zgjedhore e vërtetë dhe vullneti politik për ta zbatuar këtë reformë përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe zgjedhjeve lokale në një ditë sipas përcaktimeve kushtetuese dhe të reformës zgjedhore.
Pyetje: Zoti Basha, keni një koment në lidhje me draftin e maxhorancës, sipas të cilit, 6 muaj para zgjedhjeve qeveria kthehet në qeveri teknike, pothuajse “defacto” qeveri teknike?
Lulzim Basha: Të botohet, ta diskutojnë me transparencë dhe një mendim i tillë pastaj mund të shqyrtohet, pa diskutim. Në fakt është një propozim i yni. Ju e dini fare mirë që është një nga propozimet tona që jo vetëm kësaj radhe, që është e domosdoshme, – nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme me këtë kryeministër dhe më këtë qeveri që u kapën duke vjedhur edhe veten e tyre me 30 Qershor – por deri sa vendi të bëhet anëtar i Bashkimit Europian, të kemi një dispozitë të tillë tranzitore që garanton një qeveri kujdestare të zgjedhjeve dhe një proces të pakontestueshëm zgjedhor. Pra, që zhduk këtë dramën e përsëritur të zgjedhjeve shqiptare e të kemi edhe ne, të paktën zgjedhje me standarde të Kosovës.
Pyetje: A është dakord OSBE që dialogu mes palëve të zhvillohet jashtë dyerve të Parlamentit?
Lulzim Basha: Dialog brenda dyrve të pseudoparlamentit nuk mund të ketë, sepse është monolog. Kështu që, normalisht, dialogu do të zhvillohet jashtë dyerve të pseudoparlamentit deri sa të kemi një parlament që është produkt i votës së qytetarëve dhe jo i përfshirjes së bandave kriminale.
Pyetje: Kush do ta ndërmjetësojë dialogun zoti Basha? Ju keni nisur një ditë më parë diskutime për propozime konkrete për reformën zgjedhore. Zoti Gjiknuri tha se “jemi dakord që të jetë OSBE, shkesi që të vijnë propozimet e PD. A do ta pranoni këtë?
Lulzim Basha: Këto janë budallallëqe për t’u hedhur hi syve njerëzve dhe për t’u bërë ju që të bëni pyetje të tilla dhe ta fusni diskutimin në qorrsokak. Këto punë nuk bëhen me shkes as në Afrikë, jo më në Europë.
Pyetje: Si do të bëhet zoti Basha?
Lulzim Basha: Ashtu siç bëhet dialogu politik. Ashtu siç janë zgjidhur krizat politike edhe në Shqipëri dhe në vendet fqinje. Merrini dhe shfletojini, nuk do të jap leksion se nuk është vendi për leksion këtu. Këto janë budallallëqe, merri këtu, çoi atje, budallallëqe. Janë heqje përgjegjësie. Për fat të keq, ajo që shikojmë, është që kjo qeveri, ky kryeministër dhe zëdhënësit e kësaj qeverie, nuk mbajnë përgjegjësi. Nuk mbajnë përgjegjësi për dështimet, siç ishte dështimi me refuzimin e negociatave nga BE. Nuk mbajnë përgjegjësi për dështimin për t’u dhënë shqiptarëve një mundësi për të zgjedhur pushtetin vendor dhe u organizua një farsë që e pa gjithë bota. Është një turp që e pa gjithë bota. Dhe në atë farsë prapë se prapë, vodhën, edhe kur nuk kishin kundërshtar. Nuk mbajnë përgjegjësi për dështimin me ekonominë, nuk mbajnë përgjegjësi për dështimin me luftën ndaj korrupsionit. Dje ka rënë Shqipëria 19 vende në klasifikimin e Bankës Botërore për klimën e biznesit, për shkak të korrupsionit. Çfarë bëjnë këta? Të tjerë tendera korruptivë, të tjera dhurata qindra milionë euro oligarkëve për inceneratorë, Kepin e Rodonit një trafikanti droge. Janë të papërgjegjshëm. Megjithatë, rruga për ta zgjidhur këtë është e qartë, është rruga për t’u kthyer shqiptarëve atë që iu është marrë me të padrejtë: të drejtën e tyre për të zgjedhur me votë të lirë qeverinë që duan dhe për të shkarkuar qeverinë kur do që dëshiron.
Pyetje: Zoti Basha, javën e ardhshme do të mblidhet Komisioni për Reformën Zgjedhore në një tryezë gjithëpërfshirëse. A do të marrë pjesë PD?
Lulzim Basha: Nuk ka Komision të Reformës Zgjedhore. Ka një komisariat të Partisë Socialiste dhe të marionetave të PS në parlamentin ilegjitim, të dalë nga zgjedhjet e Avdylajve. Prandaj, le t’i japim fund kësaj shfaqjeje. Gjithë shqiptarët e dinë se çfarë ka ndodhur. Gjithë shqiptarët presin t’i japin fund kësaj “status quo-je”. Edhe socialistët nuk e duam më këtë gjendje. Të vetmit që pretendojnë se nuk ka ndodhur asgjë, i vetmi që pretendon se mund të vazhdojë kështu, është ai që ruan interesat e pushtetit dhe i vendos ato mbi interesat e shqiptarëve. Kjo duhet të marrë fund. Për interesat e Edi Ramës, Shqipërisë i është mbyllur përsëri dera e Europës. Nuk mundet që për interesat e Edi Ramës dhe të 10 pashallarëve të Edi Ramës, të vazhdojmë të mbajmë vendin në këtë gjendje. Ndryshimi është i domosdoshëm dhe i pandalshëm.
/DRONI.al
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/