Qeveria shkrin Inspektoriatin Shtetëror Shëndetësor, priten shkarkime

Qeveria shkrin Inspektoriatin Shtetëror Shëndetësor, priten shkarkime

133
0
Shares

Pas vendimit për kryerjen e analizave ushqimore në një laborator privat, qeveria merr vendimin për të shkrirë Inspektoriatin Shtetëror Shëndetësor, një strukturë në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë.

Kjo shkrirje që do të shoqërohet edhe me largime punonjësish do të realizohet nëpërmjet një ndryshimi ligjor duke bërë që kompetencat që ky Inspektoriat të kalojë te Agjencia Kombëtare e Ushqimit.

Drafti për ndryshimin e ligjit “Për Ushqimin” është hedhur për konsultim nga ministria e Bujqësisë dhe në të parashikohet që AKU të marrë super kompetenca dhe gjobat që vendoset të marrin formën e një titulli ekzekutiv.

Në relacionin e siguruar nga Gazeta SI, theksohet se mbi bazën këtij ndryshimi ligjor Parashikohet që rreth 15,000 biznese ose më shumë se 60% e bizneseve të listuara në regjistrin e ISHSH t’i kalojnë për inspektim vetëm AKU-së, me qëllim që të eliminohen inspektimet e dyfishta.

AKU ka 260 inspektorë, ndërsa ISHSH rreth 220 inspektorë. Kalimi i kompetencave për inspektimin e 60% të bizneseve nga ISHSH tek AKU, parashikohet që të shoqërohet gjithashtu edhe me kalimin e 120 inspektorë të këtij inspektorati tek AKU.

Shkrirja e funksioneve midis AKU-së dhe ISHSH-së, sjell edhe ndryshimin në marrëdhëniet e punësimit të AKU-së duke kaluar në një sistem më dinamik dhe më eficent të rregulluar nga Kodi i Punës, në mënyrë të njëjtë si rregullohen edhe marrëdhëniet e punës të ISHSH. Procedurat e organizimit dhe funksionimit të AKU-së do të specifikohen më tej me akte nënligjore.

Ministria bën të ditur se nisma për largimin e punonjësve ka një efekt financiar të konsiderueshëm prej 110 milionë lekësh për vitin 2019 e në vijim si rezultat i ndryshimit të statusit të nëpunësve të AKU-së.

Kjo kosto që nuk është parashikuar në buxhetin e vitit aktual dhe në vazhdim edhe nëse merren parasysh efektet do fillojnë pasi të jenë miratuar burimet financiare, pas vitit 2021.

Ministria siguron se nëpunësit aktualë do të vazhdojnë të qëndrojnë në të njëjtin pozicion pune dhe me të njëjtën pagë.

Heqja dorë nga laboratorët shtetërorë me ligj

Më 23 shtator ministri i Bujqësisë, Bledar Çuçi firmosi urdhrin ku autorizon “Noval Laboratory” për kryerjen e analizave laboratorike të mostrave të marra gjatë kontrollit zyrtar dhe tipin e analizave që është i autorizuar të kryejë për ushqimet.

Ky urdhër u cilësua si tjetër dhënie e koncesionit, por që është hedhur poshtë po nga ministria e cila me anë të një deklarate thekson se nuk bëhet fjalë për asnjë kontratë të partneritetit publik privat dhe as për shmangie të laboratorëve të AKU-së apo të ISUV-it si laborator reference.

Por ndryshimet e fundit ligjore të propozuara, që pritet të miratohet së shpejti nga Qeveria, duke se hedhin poshtë pretendimin e ministrisë, pasi ministria ka ndërhyrë pikërisht te neni i mënyrës së funksionimit të laboratorëve.

Kështu propozohet shfuqizimi i pikës 2 të nenit 45 të ligjit “Për ushqimin”, i cili përcakton se “Laboratorët e autorizuar të kontrollit, për të kryer veprimtari bazë, duhet të plotësojnë kushtet e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit”.

Ministria e Drejtësisë ka ngritur shqetësimin edhe për shfuqizimin e pikës dy të nenit 45, duke kërkuar rishikimin, por se ministri Çuçi në relacionin e tij thekson se në lidhje me sugjerimin për evidentimin në relacion të aktit ku janë të përcaktuara kushtet që duhet të plotësojnë Laboratorët e Autorizuar të Kontrollit për ushtrimin e veprimtarisë së tyre është riformuluar pika 3 e këtij neni, duke përcaktuar që edhe laboratorët e autorizuar të kontrollit për të kryer veprimtari bazë, duhet të përmbushin kushtet e përcaktuara në praktikat e mira laboratorike.

Mos nxjerrja e akteve me anë të VKM-së duket se ka qenë edhe shqetësim i ministrisë së Drejtësisë, ku ka kërkuar që të mos hiqet dorë nga kjo praktikë.

“Duke qenë se procedura e miratimit të një VKM-je, kërkon një kohë më të gjatë se një akt nënligjor i ministrit, kjo është mënyra e vetme për të kapur ritmin e përgatitjes së këtij legjislacioni nga përafrimi i këtij kapitulli në legjislacionin shqiptar dhe për të mos penguar import-eksportet e produkteve ushqimore”, thuhet në relacionin e kësaj nisme të firmosur nga ministri Çuçi.

Burimi: Gazeta Si

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY