“INANE”/Filmi që riktheu në kinema Anila Bishën, aktorja ndan rolin me të...

“INANE”/Filmi që riktheu në kinema Anila Bishën, aktorja ndan rolin me të bijën

274
0
Shares

7 ditë për të mbajtur një premtim, për të tronditur ligjet e jetës e ato të pasjetës. 7 ditë për t’i dhënë jetë një dashurie që vdekja s’mund ta ndalë.

Mund t’ju duket ngjarje “E pamend”, aq sa “edhe Zoti mund të çuditet”, por kinemaja është krijuar për të guxuar, ndaj regjisori Besnik Bisha ka zgjedh për filmin e tij një histori të pazakontë, e ditët që ajo zhvillohet përkojnë ndoshta rastësisht me krijimin e botës. Mbrëmjen e djeshme prej sallës së kinema “Millenium”, filmi “INANE” shënoi premierën, duke veshur ekranin me çaste ngazëllimi plot ngjyra nga e kaluara, e të tjera, ato të brengës së ëndërrt të dashurisë, që shënojnë kohën filmike në bardhë e zi.

“Është kështu, sepse Sana ka mbetur në të kaluarën, e ngjyrat e jetës i jetoi kur u njoh me Gorin e ai i premtoi se do të martoheshin”, thotë Neritan Liçaj (Gori), protagonist i filmit. Skenari i Besnik Bishës i jep një frymë të veçantë regjisoriale “Verës pa kthim” të Besnik Mustafajit, ku në subkoshiencën e Sanës (Anila Bisha), ai do të vijë pas dekada pritjesh për të mbajtur fjalën e dhënë. Sana e pohon se gjatë këtyre çasteve ka qenë “gjysmë në gjumë e gjysmë zgjuar” e Bisha e thotë përmes Liçajt se “Koka në errësirë, s’mund të jetë kurrë e kthjellët”.

Interpretimi i fuqishëm i protagonistëve arrin qëllimin e bën publikun konfuz: A është kjo një ëndërr apo gjithçka po ndodh, e të vërtetat universale po rrëzohen para syve tanë? E po s’duhet harruar si nisi gjithçka, sepse siç Gori thotë: “Harresa ka fuqi djallëzore”. Për tablonë e së kaluarës, regjisori gjen portretin e duhur dhe Rea Bishaj në aktrim siç Liçaj tregon, “është një mrekulli”. Anila tregon se bashkëpunimi u mendua fillimisht për shkak të ngjashmërisë së madhe që nënë e bijë kanë, por nuk e mohon se në sheshxhirm, Rea e ka befasuar.

“Ditën e parë që xhiroi, isha tejet e emocionuar, druhesha se nuk do ia dilte. Kur mbaroi skenën, ashtu pa kuptuar, isha përlotur nga gëzimi që Rea e tejkaloi sfidën dhe e meritoi plotësisht rolin. Më la pa fjalë e thashë: Ja që prindërit nuk i njohkan të gjitha talentet që fëmijët e tyre fshikan”. Me figurën e pastër, interpretimin e sinqertë Rea arrin të ndihmojë Anilën për të ndarë sadopak peshën e rolit të Sanës e të historisë së saj rrëqethëse. “Historia është mjaft e bukur, por njëherazi edhe e vështirë për ne si aktorë, veçanërisht për mua si protagoniste. M’u desh ta ndërtoja personazhin tim, duke u bazuar në një përjetim surreal, pasi ngjarja zhvillohet brenda një ëndrre, madje shpesh edhe si ëndërr brenda ëndrrës”, thotë Anila.

Aktorja e konsideron veten me fat që mundi t’i shtojë karrierës së saj edhe rolin e një personazhi si ai i Sanës, sa kompleks e të vështirë edhe të bukur. E pohon se historia mund të jetë e pazakontë, por siç rrëfen nuk është e padëgjuar. “Jeta më ka njohur me dy persona të tillë, që pasi humbën dashurinë e vërtetë, dhimbja bëri që të mbylleshin në guaskën e tyre, në vend që të vazhdonin jetën, duke mos e çuar dëm. Prandaj filmi ka edhe atë, titull: INANE. E pamend, në kuptimin zgjedhjes, veprimit që Sana bën”.

NERITAN LIÇAJ, NË KINEMA SI FANTAZMË

“Sa herë që shkruaj për Gorin si personazh, më shfaqet portreti i Neritanit”, janë këto ndjesitë e regjisorit Besnik Bisha të ndara me bashkëshorten e tij Anilën, gjatë procesit të krijimit. E në fakt, Liçaj arrin ta veshë rolin më së miri, duke përçuar te publiku imazhin kompleks të një johumani që gjallon, mban premtime e dashuron… “Në përgjithësi, unë kam interpretuar shumë role karakterial, narkomanin, të dhunuarin, gjysmë të marrin etj., ky është një tjetër rol specifik. Unë interpretoj një fantazmë, një njeri që ekziston vetëm në subkoshiencën e Sanës. Pra, unë duhet të jem i gjallë sa një fantazmë, pa lot, pa lëvizjet emocionale që ka një human. Për realizmin e rolit më ka ndihmuar shumë Besa Islami (piktorja e grimit)”, tregon aktori.

Liçaj rrëfen se para xhirimeve me regjisorin e grupin e xhirimit është bërë një punë përgatitore mjaft e mirë. “Kur unë kam shkuar në set, s’kam pasur asnjë pikëpyetje. Ka pasur një frymë harmonie e bashkëpunimi si rrallëherë ndodh e ku të gjithë e ndienim se po bënim një film të mirë”, tregon Liçaj. Gori, momentet që ka kaluar me të në rini, në kujtesën e Sanës vijnë nën interpretimin e Sokol Gugës, ndërsa tablonë e personazheve e plotësojnë me mjeshtëri aktorët Zamira Kita (punonjësja sociale që marton të dashuruarit) dhe Petrit Malaj (menaxheri i hotel “Panorama” ku zhvillohet një pjesë e konsiderueshme e filmit).

NJË NGJARJE E PAKOHË (DHE VËSHTIRËSITË E PRAPASKENAVE)

Edhe pse Bisha e ambienton skenarin e “INANE” në vitet ’70, Liçaj pohon se kjo ngjarje është e pakohë, mund të ndodhë kurdo e në çdo vend. Pjesa më e madhe e xhirimeve janë realizuar në dekorin e Kinostudios, e të tjerat në Korçë e në Plazhin e Gjeneralit, në Kavajë. “Për kompozimin e skenave ka pasur shumë vështirësi, pasi duhej të gjendeshin mobiliet e arredimi të bëhej si në vitet ’70 (për skenën e dhomës së hotelit)”, tregon Anila.

Mirëpo, vështirësitë teknike me bashkëpunëtorë profesionistë si skenografi Ilir Martini apo drejtorët e fotografisë Sebastiano Celeste e Leonardo Qendro (ndarë nga jeta në maj të 2018-ës) duket se janë tejkaluar me sukses. Një tjetër aset i çmuar në këtë produksion është padyshim kompozitori Marco Werba, mbajtës i çmimit Golden. Veshja e thjeshtë e elegante që lë të flasin karakteret, duke iu përshtatur kohës është e krijuar nga kostumografja Blegina Bezo. Montazhin e ka realizuar Erika Manoni, ndërsa producenti ekzekutiv është Denis Cara./PANORAMA

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY