Vendimi për Tahirin/ Ja çfarë thonë diplomatët dhe analistët në Tiranë

Vendimi për Tahirin/ Ja çfarë thonë diplomatët dhe analistët në Tiranë

98
0
Shares

Në Tiranë vazhduan sot reagime të ndryshme lidhur me dënimin e ish-ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri, për shpërdorim detyre, pasi u lirua nga akuzat për grup kriminal i strukturuar dhe trafik narkotikësh.

Sipas ambasadës amerikane në Shqipëri, këtu nis fundi i pandëshkueshmërisë për personat me lidhje të forta.

Ndërsa analistët pohuan që gjyqi ndaj Tahirit tregoi se qytetarët nuk janë të barabartë përpara ligjit.

Ambasada amerikane në Tiranë e quajti sot shkurajues dënimin që iu dha ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, por tha se kjo sinjalizon një hap përpara për pavarësinë e gjyqësorit në Shqipëri.

“Vendimi ndaj ish ministrit Tahiri tregon pavarësi në rritje të gjyqësorit dhe fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë për personat me lidhje të forta”, – thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane në Tiranë. – “Dënimi i zotit Tahiri për shpërdorim detyre shënon një hap të rëndësishëm përpara, por nga ana tjetër dënimi është shkurajues, duke pasur parasysh se sa të rënda ishin akuzat”, – tha ambasada amerikane. – “Ata që shpërdorojnë besimin publik dhe shkelin ligjin duhet të përballen me pasoja domethënëse. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbeten partnerë të Shqipërisë, në mbështetje të përparimit të mëtejshëm të reformës në drejtësi, transparencës dhe qeverisjes së mirë”, – deklaroi ambasada amerikane në Tiranë.

Ndërkaq, analisti politik Lutfi Dervishi thotë se dita e djeshme do të mbahet mend gjatë jo për masën e vendimit, apo ndryshimin e akuzës ndaj ish ministrit të brendshëm, por për mënyrën se si u mor ky vendim dhe për pritjen dhe pritshmëritë që kishte publiku.

“U zhvilluan tre gjyqe, një gjyq politik, një gjyq i opinionit publik dhe një gjyq në sallën e gjyqit. Në sallën e gjyqit nuk vlen ajo që dimë apo ajo që perceptojmë por ajo që mund të provohet me prova. Ka një perceptim që prokurorët nuk e bërë siç duhet punën e tyre. Shqipëria është ende larg ditës që publiku të shohë si heronj dhe të admirojë një prokuror apo gjyqtar dhe drejtësia shqiptare është ende larg standartit që ligji të jetë i barabartë për të gjithë. Ndryshe gjykohet një zyrtar apo ish zyrtar dhe ndryshe një qytetar i thjeshtë. Me një fjalë vlen thënia e Orwellit: Të gjithë janë të barabartë, por disa janë më të barabartë se të tjerët”, tha zoti Dervishi.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, tha se nga përvoja si prokuror i duhej që të lexojë me vëmendje vendimin e djeshëm të Gjykatës përpara se të japë një mendim për të.

Opozita tha ndërkohë se vendimi i dënimit për ish-ministrin Tahiri ishte një zhgënjim. “Rasti i Saimir Tahirit u tregoi shqiptarëve se me Edi Ramën kryeministër, kryeprokuror dhe kryegjykatës nuk ka ndëshkim nga drejtësia, as për krimin, as për politikanët e lidhur me krimin. Edi Rama ka bërë veprime konkrete dyvjeçare për të prishur dosjen e Saimir Tahirit, për të ndaluar arrestimin e tij dhe dënimin e tij me burg, që nga mbrojtja me imunitet, deri tek largimi i prokurorëve dhe presioni ndaj gjykatësve” – tha sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi.

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të dënojë mbrëmjen e së enjtes, me 5 vite burgim ish ministrin e brendshëm Saimir Tahiri.

Ai pranoi gjykimin e shkurtuar, ndaj dënimi sipas vendimit, konvertohet në 3 vite shërbim prove. Zotit Tahiri i ndalohet të ushtrojë funksione publike gjatë kësaj periudhe.

Prokuroria kërkoi javën e shkuar dënimin prej 12 vitesh burgim, duke e akuzuar ish ministrin për të paktën tre vepra të rënda: Trafik i narkotikëve kryer në bashkëpunim në formën e grupit të struktuar kriminal; Pjesmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe Kryerja e veprës në grup të strukturuar kriminal. Por gjykata i rrëzoi ato, duke vlerësuar se nuk kishte prova që të mbështesnin këto akuza, por se megjithatë, ishin sipas saj të mjaftueshme për ta dënuar zotin Tahiri për shpërdorim detyre.

* Marrë me shkurtime nga VOA

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY