8 motrat katolike që mungojnë në listën e martirëve të Kishës

8 motrat katolike që mungojnë në listën e martirëve të Kishës

93
0
Shares

Nga A.Çano, kujto.al

Më 5 nëntor 2016, u lumturuan 38 martirë të kishës katolike, mes tyre edhe një vajzë, Marije Tuci, por sipas disa dëshmive që janë publikuar në librin “Premtimi i përmbushur” të Gjon Sinishtës, lista e martirëve katolikë është më e gjatë dhe mes tyre janë edhe 8 motra, që deri më tani nuk figurojnë në asnjë listë zyrtare

Pas rënies së komunizmit, është folur vazhdimisht për persekutimin e rreptë të klerit, veçanërisht katolik gjatë diktaturës; janë publikuar dëshmi të të mbijetuarve dhe biografi të klerikëve të rënë për besim; 38 prej tyre janë lumturuar nga Kisha Katolike, duke u shpallur Martirë të saj, por duket se përsëri nuk është thënë gjithçka. Në librin “Premtimi i Përmbushur” që Gjon Sinishta, një ish-seminarist katolik, i arratisur nga Shqipëria, e ka shkruar në SHBA dhe që rreth 40 vjet më vonë është publikuar në Shkodër, përmenden emra ipeshkvijsh, jezuitësh, françeskanësh, seminaristësh dhe mes tyre, edhe motrash, të cilët, kanë humbur jetën në tortura apo janë ekzekutuar nga pushteti komunist.

Ndër 38 martirët katolikë të lumturuar më 5 nëntor të 2016-ës, është vetëm një vajzë. Marije Tuci, rishtarja stigmatine nga Mirdita, ishte vetëm 22 vjeçe kur u arrestua, pas vrasjes së Bardhok Bibës dhe brenda pak kohe, ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës prej torturave. Hetuesit dhe oficerët rezervuan për të një nga torturat më djallëzore të dokumentuara në dosjet e komunizmit: futjen në një thes, bashkë me një mace dhe goditjen e maces me shkop nga jashtë. Ia copëtuan trupin, por besimi i saj te Zoti nuk pësoi asnjë gërvishtje, përderisa duroi me heroizëm të gjitha vuajtjet.

Megjithatë, sipas Gjon Sinishtës, janë edhe 8 motra katolike që kanë humbur jetën gjatë viteve të diktaturës, të cilat nuk i gjejmë jo vetëm në listën e martirëve të lumturuar më 5 nëntor 2016, por as në faqet zyrtare në internet të kishës katolike apo të institucioneve që merren me zbardhjen e krimeve të komunizmit. Siç merret me mend, krimet e komunizmit, nuk janë zbardhur plotësisht, as viktimat nuk njihen  të gjitha.

“Numri i klerikëve katolikë shqiptarë që u martirizuan gjatë sundimit të komunizmit, mund të mos llogaritet kurrë me saktësi. Disa emra shfaqen në disa përmbledhje të përcipta mbi persekutimin fetar gjatë shekullit, ose nganjëherë edhe në përmbledhje më të detajuara, por të papërfunduara. Lista e mëposhtme përmban gjithë informacionin e përditësuar. E kam përpiluar, bazuar mbi kujtimet dhe hulumtimet e mia si dhe me ndihmën e Fr. Jak Gardin, z.Toni Markaj, z.Anton Mëlyshi, Fr.P.G.P.,S.J., ish-teologu shqiptar z.Ndoc Vulaj, Mons. Jozef J.Oroshi, Fr. Zef Valentini, Fretërit Ambroz Martini dhe Daniel Gjeçaj O.F.M dhe dy të tjerë për të cilët është e nevojshme të ruhet anonimati”, shkruan Gjon Sinishta në librin e tij, të publikuar në vitin 1976, në SHBA, duke pasur kujdes të mos rrezikojë persona, ndërsa në Shqipëri vazhdonte regjimi komunist.

Shumë emra në listën e tij, janë tashmë martirë të shpallur të Kishës Katolike, por ka dhe nga ata që i mungojnë kësaj liste dhe listave të institucioneve zyrtare të krimeve të komunizmit në Shqipëri. Për disa ka përshkrime më të detajuara, fakte tashmë të njohura nga jeta e tyre, për disa shënohen vetëm vitet e jetës, por ka edhe një listë që përmban vetëm emrat, pa asnjë të dhënë tjetër përbri. Është lista e motrave, ku janë tetë emra.

Kujto.al po e sjell këtë listë, që, megjithë respektin për punën e autorit të librave, duhet marrë me rezervë, por duhet të nxisë kërkime të mëtejshme, për të mos i lënë në terr këto jetë që, sipas disa burimeve të mbledhura nga Sinishta, regjimi komunist i ka sakrifikuar. Ato janë:

Luigja Bardhaniolli

Ester Dajçi

Jozefina Daragjati

Alberta Hila

Pierina Leka

Domenika Liaria

Margarita Vulaj

Imelda Zojzi

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY