Ndarja nga jeta e themeluesit te PD ne Berat, Basha: Na la...

Ndarja nga jeta e themeluesit te PD ne Berat, Basha: Na la trashegim nje thesar qe duhet ta ruajme

71
0
Shares

Mësova me hidhërim për largimin prej nesh të Fehmi Telegrafit, kryetarit të Komisionit Nismëtar për themelimin e Partisë Demokratike në Berat, në ditët e para të janarit të 1991-it. Në një ditë të vështirë për demokracinë shqiptare, mësuesi, intelektuali, patrioti dhe demokrati beratas Fehmi Telegrafi e përjetësoi emrin e vet në historinë e Partisë Demokratike.

Ai së bashku me një grup intelektualësh dhe qytetarësh beratas, mori pjesë aktive në organizimin e mitingut të parë të Partisë Demokratike më 9 Janar 1991 në Berat. Zyra e tij si trajner i sportit të peshëngritjes tek “Poligoni” u bë pikëtakimi për grupin organizator që do të merrej me mitingun e parë të PD në Berat, një miting madhështor e mbresëlënës që beratasit e kujtojnë sot e kësaj dite.

Komisioni nismëtar i krijimit të degës së Partisë Demokratike në Berat, i përbërë prej 26 vetësh, e zgjodhi Fehmi Telegrafin kryetar, pavarësisht se në komision merrnin pjesë intelektualë të klasit të parë si i paharruari Simon Vrusho, Bardhyl Sheme, Dhimitër Papa, Nuri Ibro, Piro Leka, Agron Musaraj, Pëllumb Nako apo Ylli Kapllani. Këta guximtarë drejtuan Partinë Demokratike të Beratit në zgjedhjet e 31 marsit 1991 dhe korrën sukses në një zonë të vështirë, kur mund të themi me plot gojën se regjimi diktatorial ishte ende i fortë.

Partia Demokratike ka fatin e madh të gëzojë një histori kaq të lavdishme e të kujtojë protagonistë të tillë si Fehmi Telegrafi. Pinjoll i nje familjeje qytetare, profesor Fehmiu ishte intelektuali, atdhetari i kulluar dhe trajneri i shkëlqyer i peshëngritjes beratase, trajner i shumë prej ikonave të peshëngritjes së Klubit Sportiv të Tomorit, që korrën sukses në rang kombëtar e ndërkombëtar.

Triumfi i Fehmi Telegrafit dhe miqve të tij, themelues të PD në Berat, është një trashëgimi frymëzuese për përballjen me sfidat e sotme. Në Berat e në të gjithë Shqipërinë, Partia Demokratike e ka pasuri këtë histori frymëzuese, këtë fibër qëndrese dhe mospranimi të së keqes.

Në Berat e në të gjithë Shqipërinë, nuk do ta lëmë të keqen të triumfojë, sepse Partia Demokratike është trashëgimtare historike e qëndresës që pesha të rënda si Fehmi Telegrafi bënë në ditët e vështira të 1991-it.
Qëndresa e sotme ndaj të keqes është nderim për kujtimin e Fehmi Telegrafit. I përjetshëm do të jetë emri i profesor Fehmi Telegrafit në historikun e Partisë Demokratike të Shqipërisë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY