PD zbulon skandalin në KED, Gjata: Rama kualifikon Artur Metanin për ILD

PD zbulon skandalin në KED, Gjata: Rama kualifikon Artur Metanin për ILD

84
0
Shares

Partia Demokratike e ka cilësuar kandidaturën e Avokatit të Shtetit Artur Metani për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin dhe kërkon skualifikim të saj.

Sekretari për Cështjet Ligjore, Clirim Gjata thotë se KED nën drejtimin e dyshes besnike Edi Rama Dvorani – Arta Marku, është  e gatshme për të plotësuar urdhrat e shefit të tyre Kryeministër, misioni i të cilit është të kapë çdo qelizë të organeve të reja të drejtësisë.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, SEKRETAR PËR ÇËSHTJET LIGJORE ÇLIRIM GJATA

Me anë të kësaj deklarate Partia Demokratike bën publik skandalin e radhës të iniciuar nga Kryeministri Rama, i cili nuk ndalet së kapuri çdo institucion të pavarur të drejtësisë.

Rasti më i fundit është ai i Këshilli i Emërimeve në Drejtësi(KED), i cili në mbledhjen për seleksionimin e kandidaturave për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë vendosi të kualifikojë si kandidaturë kryesore atë të Artur Metanit pavarësisht se ai nuk plotëson kriteret kushtetuese ligjore për këtë pozicion të rëndësishëm.
Kjo vendimmarrje e KED-së është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të Drejtësisë”. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 147/d, pika 3, parashikon se “…Kandidati për Inspektor të Lartë të Drejtësisë nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit”.

Po ashtu, ligji për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, në nenin 199/pika 1/dh, parashikon se:“Inspektor i Lartë i Drejtësisë mund të zgjidhet shtetasi shqiptar, që në momentin e kandidimit përmbush këto kushte:

dh) nuk ka mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit;

Artur Metani është në kushtet e ndalimit kushtetues dhe ligjor. Ai ka mbajtur funksionin e Këshilltarit Juridik të Presidentit të Republikës, në periudhën Maj 2002-Korrik 2012.

Në bazë të Ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve” (Ligji i Vetingut), nenin 3 pika17, pozicioni i Këshilltarit të Presidentit konsiderohet “funksion politik” në administratën publike. Për më thjeshtë po citojmë ligjin:( nenin 3 pika17)

– “Shprehja “nuk ka ushtruar funksione politike në administratën publike” do të thotë që nuk ka qenë deputet, Kryeministër, Zëvendëskryeministër, ministër, zëvendësministër ose nëpunës pjesë e kabinetit të Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, Zëvendëskryeministrit, ose ministrit që kryen detyrën e drejtorit të kabinetit, këshilltarit, ndihmësit, zëdhënësit ose sekretarit personal të titullarit të kabinetit”.

Pra, në bazë të këtij përcaktimi, Artur Metani rezulton se 10 vitet e fundit ka qënë “funksionar politik”, si pjesë e Kabinetit të Presidentit të Republikës.

Për ta përmbledhur:

Ligji i vetingut e konsideron këshilltarin e Presidentit funksion politik.

Kushtetuta dhe ligji për organet e drejtësisë ia ndalojnë kandidimin personit që 10 vitet e fundit ka patur funksion politik.

Në këto kushte kualifikimi i Artur Metanit nga KED si një nga kandidatët kryesorë për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin në fjalë.

Por KED, siç e dimë tashmë, drejtohet nga dyshja besnike e Edi Ramës Dvorani – Arta Marku. Ata janë të gatshëm të bëjnë gjithshka për të plotësuar urdhërat e shefit të tyre Kryeministër, misioni i të cilit është të kapë çdo qelizë të organeve të reja të drejtësisë.

Metani, aktualisht mban postin Avokat të Shtetit, i emëruar këtu direkt nga Kryeministri Rama. Ai është gjithashtu edhe vëllai i deputetes dhe ish-ministres socialiste, Eglantina Gjermeni. E pra në këto vënde Edi Rama nuk cakton pa dhënë prova të forta besnikërie.

Njëlloj si bashkëshorti i deputetes Felaj i cili u emërua prokuror nga KLP pa magjistraturë dhe pa veting. E njëjta situatë po ndodh për emërimin e Artur

Metanit si Inspektor i Lartë i Drejtësisë nga KED.

Kualifikimi i kandidaturës së Artur Metanit për ILD është antikushtetues dhe antiligjor, ndaj kërkojmë nga KED të rishikojë vendimin e saj dhe të skualifikojë kandidaturën në fjalë. Në të kundërtën askush nuk beson më në pavarësinë e organeve të reja të drejtësisë nga Kryeministri, i cili po i kthen në organe private të tij.​

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY