Shefja e misionit të ONM-së në Tiranë, Genoveva Calavera e pranishme në përurimin e godinës së re të drejtësisë që përkon edhe me 3 vjetorin e miratimit të reformës në drejtësi dha mesazhe të qarta.
Ajo u shpreh se procesi i vettingut duhet të vazhdojë, por më shumë se sashpejtësinë, duhet të ruajë cilësinë.
“KLP dhe KLGJ janë formuar si rrjedhojë e kësaj reforme, po ashtu shkolla e Magjistraturës është rigjallëruar me më shumë përgjegjësi duke reflektuar edhe përvojën e BE.
BE e ka mbështetur jo vetëm financiarisht këtë reformë por edhe me përkrahjen e të gjitha ndryshimeve kushtetuese. Ne kemi kërkuar zbatimin e reformës dhe ecjen në një drejtim, në konsolidimin e sistemit, që të ishte i pavarur, llogaridhënës, transparent në të mirën e të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Zbatimi i kësaj reforme ka arritur në një pikë kyçe, kemi tashëm institucionet e reja, vijon vlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, janë vlerësuar mbi 150 raste. Të vazhdohet duke ruajtur cilësinë, duke mos e dëmtuar cilësinë, pavarësisht shpejtësisë”,- tha ajo.
Calavera tha ndër të tjera se në të gjithë këtë proces, çdo aktor duhet të marrë përgjegjësitë e veta.
“Të gjithë aktorët të ndërmarrin përgjegjësitë e tyre pa vonesa, sepse kemi konsolidimin e Gjykatës Kushtetuese, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë si dhe këtë zinxhir të plotë për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar që ka filluar me krijimin e SPAK.
Ndërkohë që pritet të krijohen këto institucione ne duhet të jemi krenarë për gjithçka është arritur dhe të kremtojmë sonte me këtë pallat të drejtësisë. Një reformë e tillë nuk mund të bëhet në një ditë, do vite, përkushtim dhe integritetin më të lartë të mundshëm”,- vijoi ajo.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/