PRONONCIMI I KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, NË BERAT
Sot jam në Berat me demokratët e Beratit, për t’i falenderuar me shumë mirënjohje, jo vetëm strukturat tona të Partisë Demokratike për betejën e jashtëzakonshme që kanë bërë kundër krimit, kundër korrupsionit, por, në veçanti, se, së bashku me qytetarët e Beratit, qytetarinë beratase, ia kanë dalë të vrasin frikën, të ringrenë kurajon qytetare dhe të vetëdijësojnë të gjithë qytetarët e Beratit, pavarësisht përkatësive politike, për nevojën akute për ndryshim.
Kjo u duk më së miri dy javë më parë, ku qytetarët e Beratit, të cilëve u shpreh mirënjohjen time nga zemra për qytetarinë e treguar, të cilët me aktin e tyre refuzuan në masë Edi Ramën. E refuzuan demokratët, e refuzuan mbështetësit tanë, e refuzuan edhe socialistët e ndershëm.
Pjesëmarrja në Berat ishte nën mesataren kombëtare, e cila kapi më pak se 15 %, që do të thotë se edhe në Berat socialistët janë vetëdijësuar që rruga e çlirimit të partisë së tyre nga tutela e krimit kalon në qendrimin krah për krah me qytetarët e tjerë të Beratit, me demokratët dhe të gjithë qytetarët e tjerë të Beratit, në betejën tonë për vlera, në betejën tonë për liri ekonomike, mundësi dhe mirëqenie për çdo qytetar.
Unë dhe Partia Demokratike e konsiderojmë këtë refuzim të regjimit të Edi Ramës me 30 qershor si një përgjegjësi të madhe për t’i dhënë qytetit të Beratit, qytetarëve të Beratit, por edhe të gjithë bashkisë së Beratit, sikundër të gjithë shqiptarëve, rrugën e ndryshimit, rrugën e transformimit ekonomik, që do të mundësojë lirinë ekonomike, konkurrencë ekonomike, do të mundësojë që njerëzit të punojnë dhe të jetojnë me punën e ndershme, do të mundësojë t’i japim fund varfërisë ekstreme.
31 % e familjeve shqiptare nuk mbyllin dot muajin, nga 25 % që ishte. Pra, nga 1 në 4 familje, është rritur me 6 % në vetëm një vit.
Mjerimi ekonomik i shqiptarëve, varfëria, papunësia, janë veprat e vërteta të një qeverie që nuk ka ardhur me votën e qytetarëve, por ka ardhur me ndihmën e kriminelëve dhe të oligarkëve. Dhe prandaj nuk qeveris për qytetarët, por qeveris për kriminelët dhe oligarkët.
Kanë shkatërruar çdo interes publik, kanë shkatërruar infrastrukturën, kanë shkatërruar shëndetësinë, arsimin, bujqësinë.
Nuk ka gjë më të trishtë dhe më kriminale se të shikosh dritat e fikura të Universitetit të Beratit. Por dua t’u jap fjalën qytetarëve të Beratit që dritat e universitetit do të ndizen në Berat. Do të ndizen anembanë Shqipërisë dritat e arsimit. Dua t’ju them, në veçanti, qindra prindërve që më kanë dërguar sms gjatë këtyre ditëve, përfshirë edhe prindër nga Berati, se padrejtësia që është bërë me ndryshimin në çastin e fundit të kriterit të mesatares për maturantët është një nga paudhësitë e fundit të këtij regjimi.
Shqiptarët, prindërit, të rinjtë dhe të rejat, e kanë dhënë verdiktin e tyre.
85 % e shqiptarëve është vota më e pastër për largimin e këtij regjimi, është vota më e pastër “Rama ik”,
Tani është detyra jonë që ta kthejmë këtë në një energji për ndryshim, në një projekt shprese dhe ndryshimi, në radhë të parë për ekonominë, për punësimin dhe për mirëqenien e beratasve dhe të të gjithë shqiptarëve.
Pyetje: Zoti Basha, si do të vijojë aksioni opozitar në ditët në vijim?
Lulzim Basha: Ne do të vazhdojmë me një ndërthurje të aksionit opozitar, me vazhdimin e qëndresës opozitare, denoncimit, të protestave, por edhe me shpalosjen e alternativës sonë, e planit tonë për të ndryshuar vendin, duke filluar me ndryshimin ekonomik, i cili do të jetë i prekshëm për të gjthë qytetarët, për sipërmarrësit, për të punësuarit, për fermerët, për të rinjtë e papunë që kërkojnë punë, sigurinë e punës për ata që kanë vende pune, por nuk e dinë në do t’i kenë nesër apo jo. Padyshim, ky ndryshim ekonomik do të vijë vetëm atëherë, kur të kemi një qeveri të njerëzve, nga njerëzit dhe për njerëzit dhe jo një qeveri të krimit dhe oligarkisë, për krimin dhe oligarkinë, nga krimi dhe oligarkia.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/