Dy burra, njëri 44 dhe tjetri 46 vjeç kanë rënë në prangat e policisë së Fierit pasi shantazhonin përmes fotove intime një grua.
Sipas policisë, të dy burrat banues në Cakran të Fierit, i kërkonin para dhe favore seksuale një shtetaseje, ndryshe do t’i publikonin disa foto me përmbajtje intime.
“Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier në bashkëpunim me Drejtorinë Kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pronës në Departamentin e Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, pas një hetimi disa javor me metoda speciale të hetimit, zhvilluan operacionin policor “Koshovica”, duke e finalizuar me arrestimin në flagrancë të shtetasve:
G.M, 44 vjeç, banues në Cakran.
J.Sh, 46 vjeç, banues në Cakran.
Arrestimi në flagrancë i këtyre shtetasve u bë pasi në bashkëpunim me njëri tjetrin, dyshohet se kanë shantazhuar dhe kërcënuar një shtetase, duke i kërkuar para dhe favore seksuale me qëllim mos publikimin në rrjetet sociale të disa fotove personale të saj.
Nga tërësia e veprimeve të kryera, shtetasit e sipërpërmendur kanë konsumuar elementët e veprës penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” e kryer në bashkëpunim.
Materialet për veprime të mëtejshme do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë”,-sqaron policia.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/