Artan Fuga: Shqipëria është pa arbitër!

Artan Fuga: Shqipëria është pa arbitër!

70
0
Shares

Nga Artan Fuga:

Edward Murphy, Presidenti i Republikës dhe shteti i privatëve
———
Shqipëria është pa arbitër.

Kur në librin tim që shtëpia botuese Papirus e ka në proces përgatitjeje : “Origjinat e pronës, pasurisë, pushtetit në Shqipëri. Gjatë daljes nga komunizmi” kam argumentuar se na duhet një Republikë tjetër, këtë kam pasur parasysh! .

Shteti duhet të jetë arbitër. Partitë politike janë organizma private. Njësoj si komunitetet fetare. Si klubet e futbollit. Si mediat. Si shoqatat bamirëse a si të doni! Madje edhe si shoqata bixhozçinjsh!

Shteti te ne me këtë model të këtyre tridhjet vjetëve nuk është bërë dot arbitër sepse mbeti shtet dypartiak ose disapartiak. Institucionet e tij janë ndarë mes të deleguarve nga partitë e ndryshme: Gjykatat, kuvendi, administrata, policia, gjithçka!

Madje edhe AMA!

Në këtë shtet, kam tridhjet vjet që shkruaj, kur partitë që e përbëjnë dhe e ndajnë, grinden me njera tjetrën, atëhere ai bie. Fillimisht bie, si besueshmëri, pastaj si arbitër për të ndarë të drejtën nga e padrejta, pastaj si veprimtari, si institucione dhe si procese zgjedhore.

Ne dolëm nga një shtet njëpartiak dhe ramë në një shtet shumëpartiak, por nuk ndërtuam dot shtetin mbipartiak. Ky është problemi ynë.

Të tjerat hajde bëjmë llogje!

Prandaj sot midis partive kryesore, kur opozita i ka braktisur institucionet dhe partia qeverisëse vazhdon t’i quajë legjitime ato si edhe zgjedhjet e ardhëshme, nuk ka më arbitër.

Nuk është fjala se çfarë mendoj unë dhe cilat janë dëshirat e mia, as të tuat! Madje as të Mustafa Nanos! I lemë mënjanë ato!

Pyetja është ku është arbitri i besueshëm shtetror mbipartiak që të ndajë shapin nga sheqeri, të ketë legjitimitet social dhe qytetarët të mos rrinë të vrasin mendjen mendjen për një gjë a gjëzë që shpesh nuk i japin drejtim!

Te kemi apo të mos kemi zgjedhje në 30 qershor? Nuk ka në Shqipëri asnjë institucion shtetror që mbi partitë, krejtësisht mbi partitë, të jetë një arbitër i paanshëm!

Dopjo gjashta i ka mbetur një individi!

Ikja e opozitës nga institucionet dhe nga zgjedhjet në fakt ka rrëzuar shtetin! Shtetin e partive. Shtetin e privatëve !Dhe në këto kushte ne na duhet të shkojmë në zgjedhje???

Kjo është të të marrin për idiot!

Po mirë, po komisionet zgjedhore zonale dhe ato të qendrave të votimit kush do t’i përbëjë nëse komisionerët e opozitës nuk do të jenë aty për të numuruar votat që t’a zemë partia socialiste ose partia socialdemokrate do të marri me kanoçe, me shporta a me trasta ?

Fton dot ky shtet qytetarët në votime kur ai ka rënë sepse si shtet shumëpartiak gjysma e partive që e kanë përbërë e ka braktisur dhe gjysma tjetër thotë se “shteti jam unë”?

Ja vajtëm edhe në zgjedhje. U votua. U numëruan votat. Kandidadët morrën 90 përqind të votave të votuesve. Cfarë do t’a bëjnë këtë pushtet lokal??? A nuk do të ktheheshim në shtetin njëpartiak? Sepse shteti shumë partiak kur bie në krizë ka vesin që u bëka njëpartiak !!!

Brenda një dite!

Ne shkojmë në zgjedhje për të rinovuar demokracinë lokale kurse si pasojë do të na dilte një pushtet lokal monist.

Përse të çohet kombi drejt gjoja zgjedhjeve, por që në fakt e kthejnë 35 vjet pas atë! A treqind vjet pas! ?

Po sikur partitë politike që si faktorë privatë kanë uzurpuar shtetin në datën 30 qershordo të prisheshin nga mendtë dhe të na çonin në një konfrontim civil? Do thoni ju : Joooo nuk ndodhte! E po unë nuk jam si ju, unë i besoj ligjit të Edward Murphit. Nuk e dini se kush ishte ky? Muhabet i gjatë. Vetëm dini thelbin : Ai pak a shumë vërtetoi se kur një gjë e keqe parashikohet të ndodhi, ajo ka shumë, po shumë, probabilitet të ndodhi!

Ajo ndodh!

Unë Kushtetutën e njoh thjesht si qytetar. E di që datën e zgjedhjeve e cakton Presidenti, pra sot z. Ilir Meta, sikurse edhe ka ndodhur. E di po ashtu aq mirë që Kushtetuta nuk parashikon fjalë për fjalë në kompetencat e tij që pasi ai e ka dekretuar atë ta datë ta cdekretojë! Por, as e ndalon. Por, ka në Kushtetutë gjithsesi që Presidenti nuk mund të ushtrojë më shumë funksione a kompetenca seç i ka dhënë kushtetuta?

Patjetër!

Mirëpo ne thamë që sipas asaj Kushtetute ne kemi shtet shumëpartiak dhe kur një shtet i tillë braktiset nga njera gjysëm partiake, ai nuk funksionon dot! Jo vetëm komisione zgjedhore që nuk ngre dot më, por nuk i jep mundësinë as qytetarit të ketë mundësi zgjedhjeje midis dy ose më shumë alternativash! Atëhere çfarë zgjedhjesh do të jenë ato? Atë ditë ke frikë të dalësh nga shtëpia për shkak të ndonjë konfrontimi masiv civil, jo më të shkosh të votosh. Siguria e votuesit është po aq sa të shkoje të votoje në një situatë lufte.

Në këto kushte unë e kuptoj z. President. Cdo njeri i arsyeshëm do të vinte gishtin në kokë për t’a pyetur veten: Pse me dekretin tim këta, pra partitë politike, si faktorë privatë, do të bëjnë sikur bëjnë zgjedhje? Cila është përgjegjësia ime para qytetarit? Përgjegjësi e rëndë. Cila vlerë juridike të prevalojë ? Përgjegjësia e Presidentit para detyrave të tij në raport me qytetarin, me sovranin, apo respektimi i ngurtë i një norme të paqartë dhe i një boshlliku juridik uluritës?

Cdo njeri në këto kushte nuk do të donte të bëhej palë në një proces zgjedhor në kushtet kur shteti shumëpartiak ka rënë. Jo më Presidenti i Republikës!

Po, po, e them hapur, nuk janë zgjedhjet vendore që kanë ikur në përrua, ne na ka rënë shteti. Shteti shumëpartiak bie kur gjysma e tij partiake nuk pranon t’a quajë veten më për arsyet që i bënë të ditura në të drejtën e vet pjesë e institucioneve të shtetit. Le ta quajë gjysma tjetër private qeverisëse se kjo është e padrejtë, nuk ka pikë rëndësie. Problemi është tjetër, shteti shumëpartiak ka rënë dhe vazhdimi i lojës me një skuadër është i pamundur. Kthehemi në shtet monolitik njëpartiak. Vetë Kushtetuta hidhet në erë!

Unë nuk mund t’i di qëllimet e Presidentit! Unë kuptoj se ai si çdo njeri i arsyeshëm midis rrezikut të djegies të Kushtetutës tërësisht, pra të kthimit në shtet njëpartiak dhe veprimit në një terren boshlliku juridik, ka zgjedhur të vendoset në një pozitë delikate, pra të veprojë në ujra që normativisht janë bosh, por t’a mbrojë Kushtetutën in extremis në atë që është vlera jonë : Moskthimit në shtet njëpartiak!

Se nesër historia nuk do të na pyeste ne të dyve, por do t’i drejtohej Ilir Metës: Cfarë bënit ju z. President kur në horizont po dukej qartë se Shqipëria po digjej dhe shumë zëra ju kishin paralajmëruar për këtë?

Ka burrë me mend në kokë që nuk e eviton që një natë t’i vijë kjo pyetje ?

Sepse Kushtetuta është mbi ligjet, por mbi Kushtetutën është arsyeja. Nëse dikush, qoftë edhe Presidenti i Republikës nxjerr një dekret, si është e mundur që në kushte të arsyetuara partitë politike të kenë pasur të drejtën të tërhiqen nga vendimet e tyre kurse Presidenti të mos e ketë këtë të drejtë, pra të tërhiqet në kohë nga një dekret i tij?

Këtë të drejtë, të divorcit, e ka cdo burrë a grua lidhur në martesë, pra në çështje civile, jo më një aktor kushtetues!

Kjo do të shkonte në kundërshtim me arsyen njerëzore. Cdo gjë është me kusht në një shtet ligjor. Nëse dekretoj zgjedhjet por ju si faktorë privatë nuk bëni zgjedhje por bëni luftë, si mundem unë pasi ju thërras t’i thërrisni mendjes të mos tërheq vendimin tim të parë të abuzuar?

Kujt t’i drejtohej ai për të matur e testuar nëse e kishte këtë të drejtë? Gjykatës Kushtetuese? Ku ka gjykatë! Kuvendit? Kuvendi është njëpartiak! Kujt? Të kërkonte referendum popullor? Kush ja var?

In extremis ai në fakt i shtyn zgjedhjet. Pra cakton një datë tjetër të pacaktuar me ditë e me orë, por cakton një afat të dytë! Që kushtetuta ja njeh si të drejtë! Ja kaq është!

Jo për faj të tij!

A thotë Prokuroria se e ka ceshtjen në hetim për trafikim votash? A nuk është më mirë të zbardhet njëherë kjo cështje dhe pastaj të bëjmë zgjedhjet e tjera, T’i lemë pak kohë kohës!

Jep kohë për reflektim. Jo për ndonjë marrëveshje sikurse thonë a ndonjë kompromis ku partitë private politike të gjejnë fjalën mes tyre dhe ne si qytetarë vazhdojmë përsëri të jetojmë me frikë, me ankth, të përbuzur, të kapur në çark nga privatët që kapin shtetin, dhe të na ngopin me lugën e zbrazët me gjoja të drejtën për të votuar!

Jo!

Ne duam Shqipërinë si e gjithë Europa! A si Shtetet e Bashkuara ! Thirrja jonë e fillimit e vitit 1990 ka mbetur fare e parealizuar. Prandaj ja vlen të kontribuojmë për të!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY